Art dhe Kulture

Një antikomunist në rolin e diktatorit Hoxha

Nga Edmond Prifti-Nga të gjithë, ai njihet si njeriu energjik. Është pikërisht, djaloshi që u njoh dikur me personazhin “Genti”, në filmin televiziv aq i dashur, e i trishtë që ka ngelur në memorie edhe pas kaq shumë vitesh: “Unë, Ti dhe Kasandra”.

Ai është një antikomunist i flaktë, ndonëse roli i fundmë “e çoi” tek prezantimi i figurës së diktatorit, e për këtë “antagonizëm”, ai ka shumë për të thënë…Vijon ende mbrëmjet pa gjumë në mbrojtjen e të vetmit Teatër Kombëtar, pa pranuar as lëmoshën për një karrige, as kompromisin, a provokimet. Për të gjitha këto “kryeneçësi”, por edhe për arratisjen e së motrës, Elvira Dones, në vigjiljet e Krishtlindjeve të 31 viteve më parë, në orët e mbrëmjes ai do të vuante dhunën nga reparti famëkeq 326, apo i njohur ndryshe si “Stampistat”.

Këtë ngjarje ai e ka rrëfyer edhe vetë në një monolog të disa ditëve më parë, në skenën e Teatrit Kombëtar. “Isha vetëm përballë disa qenieve të etur për dhunë, që më shkruan ligjet e diktaturës së proletariatit me shkop gome në shpinën time të njomë! Isha asokohe veçse 19 vjeç. Familja ime e unë, ishim shpallur “Armiq të Popullit”, ku ne nuk kishim bërë asgjë të keqe kundër popullit tim”.

Sot, 31 vite më pas është ngjitur në skenën e atij tempulli të madh të artit të lartuar nga lëvizja jonë, sic thote Liçaj, jo i vetëm. “I rrethuar nga ju miq, që më ngrohni zemrën me dashurinë, qëndresën e heroizmin tuaj, si dhe shumë të tjerë që nuk janë këtu me ne, por me shpirt e zemër janë pranë nesh. Ndihem i vetmuar vetëm nga mosprania e artistëve, që duhet të ishin të shumtë për të mbrojtur këtë tempull, artin, lirinë dhe demokracinë”, thekson ai.

Rrëfimi Liçajt për Gazeta “Si”

“Jeta ime ishte një tallavi e madhe, në tranzicionin e madh akoma edhe më degradues. E dua jetën time, por praktikisht nuk kam gjetur kurrë paqe”, thotë Neritan Liçaj. E në se do flasim për pengun më të madh të tij…ajo është hapësira, apo “joshja më e madhe që i vogël”. “Si duket bota jonë nga sipër? Por kjo nuk ka për t’u realizuar kohë…”, – rrëfehet Neritan Liçaj.

Ardhjen në jetë të fëmijëve të tij ai e përshkruan si “para dhe pas Kishtit”, ndërsa vijon duke thënë se “Ti nuk je më, veçse i vetes tënde.

“Në momentin kur kam parë Markun (djalin e madh) kur lindi, u transformua gjithçka brenda meje; përveç asaj lumturie brenda vetes që shikon krijesën tënde që del në dritë, është edhe ajo që nuk di ta shpjegosh me fjalë…”, thotë ai.

“Ndërsa sot unë jam në një protestë kundër ‘çitjanizmit fiqshitësor’, si një ish-student i Dhjetorit ’90, – ku për fat të keq nga ai revolucion fituan njerëz që e degraduan edhe më tej. Sot ata njerëz që provuan dhunën kundër meje, i sheh edhe në Parlament; pikërisht ata, që bëjnë ligje për mua. Nëse shoqëria nuk emancipohet, nuk mund të emancipohet politika. Mos prit nga ata”, përmend ndër të tjerash Liçaj, ku edhe “Jezu Krishtin nëse e vë Kryeministër do të bëhet abuziv, nëse nuk del në protesta e të kërkosh të drejtat e tua”.

“Gjirokastra”, filmi mbi Hoxhën që i afrohet realitetit

“Është një sfidë shumë e bukur profesionale”, thotë Neri, teksa e pyes për rolin e tij të fundmë, xhirimet e filmit të cilat po vijojnë ende, ku vijon se “nëse i madhi Sandër Prosi, bëri Ismail Bej Vlorën, i largët në kohë, ndërsa Enveri, është shumë i afërt. E mbaj mend madje kur ka ndërruar jetë. Unë kam qenë 17 vjeç dhe është një sfidë mjaft e madhe profesionale, në kuptimin aktorial”.

“Gjëja më e mirë në atë rol është se edhe regjisori nuk kishte asnjë motiv a dëshirë për mendim politik apo historik. Ne jemi artistë! Ne nuk dalim në konkluzione, por paraqesim një realitet. Edhe skenat janë tejet intime, si ajo ku në një galeri sheh një bust të vetin, në krevat duke dëgjuar lajme, në makinë kur e kapin krizat…pra janë skenat tejet njerëzore”, shton ai.

A është ky gjithsesi, një fill tejet i hollë?

Neritan Liçaj: Duam apo nuk duam ne, ai është një figurë historike. Nuk dua të lëndoj askënd…por duhet parë i gjithë filmi, ku asnjëherë nuk është tentuar që të pozicionohemi me atë çka kemi bërë…Mendoj se është bërë një punë shumë e mirë.

Personalisht, si e përjetove?

Neritan Liçaj: Duke e ditur që është hera e parë që vjen figura e Hoxhës dhe e di që do ketë reagime, – e kjo është krejt normale, – por për një gjë jam i qetë që kemi dhënë më të mirën tonën, pa asnjë manipulim.

Po subjekti?

Neritan Liçaj: Është periudha kur Shqipëria prishet me rusët, pra, ndarja e madhe, e në qendër të filmit është një arkeolog shqiptar, që lidhet me një ruse që jetojnë në Gjirokastër, – e madje ku është dhënë edhe titulli i filmit. Atëherë bën Enver Hoxha edhe ndarjen nga kampi (socialist). Është tejet njerëzore, ku vendimet politike shkatërrojnë marrëdhëniet njerëzore. Edhe me regjisorin nga një bisedë me të, ai tha që unë marr shkakun nga Enveri, që bëri ndarjen…”. Pra, historia e politika, ndërhyn dhunshëm në jetën private të njerëzve…Merret me njeriun.

Kjo ndarje dhunshme, të rikujton befas një dokumentar nga regjisorja bullgare Adela Peeva, për ndarjen e dhunshme nga kampi socialist, i meshkujve shqiptarë, të martuar me shtetase të huaja, “Albanian divorce style”.

Nerin e pyesim gjithashtu për partneren e tij, Linda Jaranin, apo në rolin e Nexhmies, apo të “aktores-koketë”, e bukur?

“U ndjeva mirë me Lindën dhe të shohim se si do jetë postproduksioni. Filmi është në shqip, por unë kam disa batuta në frëngjisht, ku njihem me të në një galeri dhe kam disa ‘batutka’ të vogla me të. Jam përpjekur ta njoh sa më mirë…personazhin”, thotë për më tej Neritani për këtë rol, duke vijuar “se për këtë figurë historike ka folur edhe me njerëz që kanë qenë të afërt me të.

“I jemi përafruar dhe nuk është e thënë që ta bësh ‘mots a mots’, jo veçse nga pamja (e jashtme), bazuar në kronikat e kohës… por edhe njëherë e ritheksoj se, është një figurë e një epokë që do një studim të mirëfilltë, pasi si i tillë, është mjaft kompleks. Specialistët, duhet të merren me atë periudhë, për të bërë të qartë se çfarë ndodhi vërtetë asokohe. Uroj të mos kem lënduar dikë!”.

Më 8 shkurt, dy vite qëndresë në Teatrin Kombëtar

Neritan Liçaj është një nga ata aktivistë, që mbahet mend e për qëndresën e tij në Teatrin Kombëtar, së bashku me aktorë të tjerë a dashamirës. Në fillim të korrikut 2019, ai u ndesh me forcat policore përkrah Edmond Budinës, ku një foto e tij qarkullon edhe sot në internet. Ai mbahet mend edhe si “zjarrmi” i kësaj proteste. “Gazeta Si” e ka pyetur Nerin edhe për këtë.

“Në shkurt mbush dy vite nga kjo qëndresë, e që nga 18 korriku, jemi 24 orë atje. Deri tani jemi në avantazh të thellë. I vërtetuam opinionit shqiptar e atij botëror, pasi u kuptua se nuk bëhej fjalë për të ndërtuar një teatër të ri, por për të shkatërruar një qendër historike në Shqipëri, – një simbol të artit, e vjedhjen e pronës publike. Ne jemi sulmuar edhe politikisht dhe e bukura qëndron se, propaganda e ulët thotë se ne jemi të pozicionuar politikisht. Ne u sulmuam nga një qeveri që çon në Parlament një ligj special, që me Kushtetutë, bëhet veçse në raste lufte, – e që ai ligj, shkelte gjashtë nene të Kushtetutës, e 3 pika nga marrëveshja e asociim-stabilizimit”, thotë ai.

Atë moment sipas Nerit, “deputetët që ngritën kartonin, dogjën edhe mandatet, pasi shkelën atë për të cilën janë betuar, e për më tepër, një qeveri e shumicë e majtë, që sulmon politikisht artin”.

Sipas Nerit në vijim të kësaj çështje, “mjafton të dëgjojmë kongresin e kryeministrit me çitjane në mars të 2019, te Sheshi Nënë Tereza, se çfarë masakre bëri, duke thënë se do prishim Muzeun Historik Kombëtar, Teatrin e Kukullave…ca vjetërsira…, ndërkohë që kjo e fundit është edhe godina e Parlamentit të Parë Shqiptar”.

Po si ka mundësi që kjo vjen pikërisht, nga një “artist”?

“Artist, nuk të bën diploma. Me diplomë ai është mësues vizatimi, e për më tepër i paaftë. Ai është një mësues vizatimi që vizaton me lapustilë, e jo me laps a karbon. Ai nuk është një artist! Artist të bën krijimtaria dhe ai pikturën e parë e ka shitur kur u bë Kryeministër që ja blenë servilët, për më tepër, që një artist nuk do sulmonte kurrë artistët me logjikë, për t’i asgjësuar”, thotë Liçaj.

Më tej Neritani ka bërë një rezyme të së gjithë diktaturave, ku shprehet ndër të tjerash se, “ne kemi jetuar në diktaturë, – e jo, komunizëm – ku Gëbelsi i Hitlerit, Musolini, Mao, Stalini, Enveri godisnin segmente të artit, dy-tre piktorë, shkrimtarë, letrarë apo aktorë, për t’i trembur, nënshtruar, e për t’i vënë në shërbim të tyre dhe kjo ka ndodhur.

“Ne u sulmuam për t’u asgjësuar. E prandaj, përmenda fjalimin e famshëm e Kryeministrit me çitjane që u shfazua komplet, në muajin mars, kur zhvillohej kongresi i PS-së, e kjo është të asgjësosh institucionet kombëtare të artit në Shqipëri, për të cilat shqiptarët kanë derdhur gjak për t’i pasur ato”, vijon ai.

Më tej Neri, për ta bërë më të plotë reagimin e tij se çfarë ka ndodhur me teatrin thotë se “Ministri i Kulturës asokohe, Rama, i jep urdhër Xhevdet Ferrit, të pushonte nga puna të gjithë aktorët”. “E kjo sigurisht, që nuk u pranua. Më thuaj çfarë kuptimi ka? Asgjësoi, mbylli? Po edhe një përçapje atje, ditë e natë…pa e ditur se çdo ndodhë, e kur? “…këtë do doja të thosha. U sulmuam edhe nga policia. Ky ishte një precedent i paparë në historinë e botës duke dërguar mbi 300-400 efektivë policie, kundër artistëve që është skandal…e s’ka realitet ta pranojë”.

E gjitha kjo, sipas Liçajt, për të boshatisur teatrin, që të ishte më kollaj për t’i futur rruspën. E si për mbyllje, e pyesim se çfarë do ndodhë me atë teatër, ai thotë se, “atë e ka marrë në mbrojtje “Europa Nostra”, që është organizmi më i lartë europian që mbron trashëgiminë europiane, duke qenë vepra e 14-të, – pra si trashëgimi europiane, ku edhe shumë shpejt do ta financojnë restaurimin e ku edhe Rama vetë, e ka të vështirë të vijë me trupa, megjithatë çartja në këtë vend, nuk ka fund”.

“Nëse dua një teatër të ri, jam unë i pari që dua. Aty janë dhënë mbi 50 shfaqje deri tani, (që nga fillesa e problemeve) që nga Amerika, Austria…e ato, me kontribut vullnetar. Janë klikë gangsterësh lagjesh, ku gjithë problematikën e vet e projektojnë tek të tjerët, – madje edhe duke bërë ligj, ‘për kap ça të kapësh’ edhe pse është mendimtari i parë, – bashkë me ‘fiqshitësin e Bashkisë’, që shet caraca, e thotë janë fiq modern. Rasti i dytë pas diktatorit Hoxha, që s’ka bërë universitet. Lali! E ke të qartë, një kryeqytet me 1 milionë banorë, një kryebashkiak ‘Lali’. Është njësoj, sikur ‘La citta eterna’, Roma, të ketë për kryebashkiak një ‘Ualione’ (Lali). Çfarë populizmi banal, fshataresk”, thotë aktori.

Më tej me Nerin, bisedojmë gjerë e gjatë, për politikë e deri tek zgjedhjet. Ai përmend “fake-un në nivelin e mediave e votimet e 30 qershorit, ku thotë se 9000 vota u çuan me dhunë nga Bashkia. “Le të mbahen me ca faqe false”, thotë ai e madje, e krahasoi me Gëbelsin e propagandën e tij, që shkruante ‘Për Fyhrerin e Gjermaninë tonë!’. “Kurse këtu nuk njihet realiteti. Niveli real, është krejt ndryshe…”, vijon aktori.

“Holta ime ha bateri ‘Duracell’ për mëngjes”

Tentuam më tej të largoheshim nga politika, duke e filluar bisedën me Nerin, lidhur me familjen e tij…e normale, duke e filluar se si e përjetoi tërmetin kur dihet se kryesisht, Neri është pothuajse gjatë gjithë kohës, i larguar me punë e larg shtëpisë. Ai përgjigjet se, për fat të mirë a të keq, atë mbrëmje ndodhej në shtëpi, ku dolën me vrap, pasi Holta ishte me shërbim.

“Jetoj në pallat të lartë, e shtëpia shkonte si traget. Joni, djali i vogël, nuk u zgjua fare, por me Markun, u ndodhëm në korridor, të dy me pizhame…e të dy të frikësuar”, rrëfen ai.

Kur e pyet për dashurinë e tij të madhe, Holtën, ai përgjigjet se: “ka qenë vërtet goditje rrufeje”, apo Kupidi, siç e shpjegon ai me fjalë të tjera.

Të dy jeni energjik. Ku e gjeni atë “stopimin”?

Neritan Liçaj: Askund. Edhe në gjumë, jemi energjikë!. Holta është edhe ca më energjike se unë, saqë unë i them që ti ha çdo mëngjes bateri ‘Duracell’, se s’ka mundësi.

Si jeni njohur?

Neritan Liçaj: Asokohe isha asistent pedagog tek Akademia e Arteve e Holta kishte miqësi me ata të kursit ku unë jepja mësim. Erdhi një ditë të shikonte provimin me atë energjinë e vet. U eklipsova nga energjia, gazi, hareja, e i them një mikut tim, kush është ajo. E njëjta gjë kishte ndodhur dhe me të. Pastaj ndërruam numrin e telefonit, filluam të frekuentoheshim. Pra, 23 vite më parë, pikërisht në vitin 1997, në atë vit të tmerrshëm, unë gjeta dashurinë e jetës sime.

Dhe kur është përvjetori?

Neritan Liçaj: Ah, ne nuk kemi asgjë të tillë…as unaza, as përvjetor e as dasma, e po ashtu, të dy nuk jemi të tipit nishane, kafet e vogla dhe të mëdha. Kapemi prej dore, ashtu si ditën e parë…”.

Çfarë ndodh midis dy tipave energjikë?

Neritan Liçaj: Shumë adrenalinë, shumë qyfyre, shumë gallatë…por edhe sherre. Edhe kur zihemi, rrallë, tundet gjithë pallati. Janë të gjitha me tepricë dhe me shaka them se, provova të ndërtoj një familje dhe më doli një familje Adams, e përzierë më Flinstones. Është pra, një familje shumë larg kornizave të zakonshme. Jemi natyra të lira dhe është shumë e bukur, siç është. Perfekt!.

E për çunat që tashmë kanë shkuar 16 dhe 14 vjeç?

Neritan Liçaj: (Që kur jemi njohur, jemi bërë edhe ne “të lashtë”?) “…edhe ty të kam njohur pa rrudha, pa thinja, e sot…”.

Çfarë keni menduar për të ardhmen e tyre këtu në Shqipëri, në këtë situatë politike apo ekonomike të paqartë?

Neritan Liçaj: Të dy, edhe unë edhe Holta, nuk kemi menduar t’u bëjmë jetën fëmijëve, e as t’ua drejtojmë. Detyra jonë është të nxjerrim në jetë dy qytetarë dhe faktikisht i kemi orientuar drejt sportit e artit, e para dëshira për garë dhe arti që zbukuron mendjen dhe shpirtin. Të dyja formojnë një njeri të denjë pasi në fund fare, fëmijët e mi të mos jenë më poshtë se një fëmijë francez, apo gjerman. A kam frikë? Hap pas hapi, përpiqemi të jetojnë të denjë edhe këtu, pastaj, jetojnë jashtë, apo këtu. Është e drejta e tyre, ndonëse asnjë prind nuk i do fëmijët larg. Kemi për detyrë, t’i edukojmë.

E ndjekin babin ende edhe sot?

Neritan Liçaj: Vijnë ngaherë në shfaqje, ekspozita, lexojmë libra bashkë, shkojmë në plazh, deri edhe nja dy vjet kur të thonë, pse me plakun e plakën do të shkoj në plazh unë?! Bëj shaka. Por gjithsesi, së bashku me ta, rritemi edhe ne. E nga ana tjetër të them të drejtën, familja shqiptare është shpërbërë paksa…e ne këtë pikërisht, nuk duam të bëjmë. Familja është e para.

“Delja e qëlluar me shpullë” dhe adoleshenca…

Ai film theu një tabu! Sipas Nerit, problemi i narkomanisë asokohe, filloi të bëhej një problem i Shqipërisë, e mendësia komuniste ishte, që nuk i themi ato gjëra. “Prandaj ai film tha ca gjëra të vërteta. Ai në fakt ka qenë filmi im i katërt dhe një eksperiencë tejet e bukur, me një specifikë të veçantë, një grup njerëzish, që kanë një jetë ndryshe nga njerëzit e tjerë dhe duhet ta njohësh mirë mendësinë e tyre, duke u përpjekur ta nxirrnim sa më të vërtetë atë…”, thotë ai.

Ndërsa më tej, Neri ka folur për “Gazetën Si” për atë “rebelizmin e tij”, apo prizmin si e shihte jetën ndryshe në ato vitet e rinisë, duke përmendur madje edhe një emër politikani të sotëm.

“Duke qenë se jam i projektuar drejt arteve, kjo normalisht të bën pakëz rebel. Prizmi me të cilin sheh fenomenet është ndryshe dhe normalisht unë nuk isha i kënaqur, ku adoleshenca dhe rinia ime iku në një regjim, e ku njeriu nuk kishte më dinjitet. Ishte një dele e qëlluar me shpullë brenda një vathe”, vijon aktori.

Më tej ai shpjegon edhe se si Fatmir Xhafa, ishte njeriu që në lice u mor me të për “çerek ore, për një palë pantallona tub. “Ndërkohë që unë isha artist, në atë timen, e tashmë e sheh që të bën të ndershmin e moralistin”, thotë ai.

“Nuk kisha liritë”, rrëfehet Neri më tej, ndërsa ishte 19-vjeç, ku e motra e tij, bën një akt disidence të pastër, apo “grusht knokdown” siç i thotë Neri, duke u arratisur e “duke parë se si ligjet e proletariatit, u shkruan në kurrizin tim me shkop gome, më keq se bluza e Juves.

“M’u larguan njerëzit sikur të isha Djalli, e normalisht kjo më hapi sytë. Për fat të mirë ishte regjimi në ditët e fundit. 21 vite ikën me regjimin diktatorial dhe 29 të tjera, më ikën në tranzicion. Sot unë jam një 50-vjeçar!”, mbyll rrëfimin e tij për Gazetën “Si”, Neritan Liçaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë