Mendim

Nisma e Kadillit për “iDE” që nuk mund t’i ngjajë një KOP-i të dytë

Fatbardh Kadilli nuk mundi të fitojë garën për kreun e partisë dhe as të kalojë pragun për të qenë anëtar kryesie në listën paraprake, që iu prezantua Këshillit Kombëtar.

Megjithatë, ai nuk hoqi dorë nga përpjekja e tij tre mujore për të sjellë brenda partisë një qasje të re, që në thelb synon bashkimin e PD-së dhe çuarjen përpara të saj bazuar tek alternativa dhe idetë.

Kadilli ka shfrytëzuar një boshllëk të madh krijuar në PD nga përplasja Basha-Berisha me argumentin se kjo luftë mes tyre po shpenzon energji dhe po nxjerr jashtë misionin e PD-së.

“Ne besojmë se asnjëra palë nuk jep zgjidhje të qëndrueshme. Nuk janë zgjidhja as për PD dhe as për të ndërtuar opozitë të pastër. Asnjëri nuk bashkon, nuk forcon, nuk na shton, nuk fiton. Nuk jep një fokus të qartë e të vërtetë opozitar. Një alternativë konkurruese.

Pikërisht tek krijimi i alternativës qëndron propozimi ynë. Ne kemi marrë përgjegjësitë tona”, tha Kadilli.

E thënë në këtë mënyrë, nisma e tij të çon në një situatë paralele të PD-së në vitin 2005 edhe pse situata politike nuk është e njëjtë dhe as vetë PD-ja, por qëllimi po.

Në vitin 2005, më ndërmjetësimin e Preç Zogajt dhe Besnik Mustafajit, Sali Berisha mundi të sjellë një tjetër imazh në PD që do ta çonte atë në fitore pas 8 vjetësh opozitë, krijimin e KOP-it.

Njerëzit e atij viti nuk u zgjodhën mbi ide militanteste, por shërbyen si paradhomë mendimi.

Ndryshimi i atij viti me atë që po përpiqet të bëjë Kadilli sot është i madh.

E para; ai grupim erdhi nën bekimin e Sali Berishës, ish-kryetar i PD-së dhe mori direkt bekimin e lidershipit.  

Së dyti; PD-ja ndodhej në një kohë dhe situatë krejt tjetër politike si jashtë saj ashtu edhe për zhvillimet e brendshme.

Së treti dhe më kryesorja; figurat apo fluksi që KOP-i përcolli. Nga Edmond Leka, Selami Xhepa, Florian Mima, Përparim Dervishi,  Neritan Sejamini, Besnik Aliaj, Taulant Bino, Ylli Pango, Myqerem Tafaj, të rikthyerit Genc Ruli, Genc Pollo e deri tek prurjet e reja që do t’i mbijetonin më gjatë politikës ndër vite në PD Majlinda Bregu dhe Lulzim Basha aktualisht kryetar i Partisë Demokratike.

Identifikimi me figura të tilla ishte ajo që i mungonte, së paku deri dje, Fatbardh Kadillit.

Gjatë prezantimit të nismës “iDE”, përballë Kadillit gjendeshin më shumë sesa njerëz që kërkojnë të përçojnë ide, figura të hatërmbetura ndaj zgjedhjeve të kryetarit.  

Ishte Enno Bozdo që nuk u fut nga Basha në listën e kandidatëve për deputet, edhe pse ai u përpoq ta “rehabilitonte” me një detyrë koordinatori,  Arben Ristani një tjetër i mënjanuar dhe qejfmbetur, Ivi Kaso jashtë vijës së listës fituese të kandidatëve për deputete për PD-në në qarkun Tiranës, Dritan Shano ekspert i mirë ekonomie, por i pa angazhuar politikisht, të cilin Basha nuk e çoi në krye të listës së kandidatëve për deputet në qarkun e Korçës siç ishte përfolur më herët.

A kishte aty një fluks njerëzish që mund të ndryshojnë PD-në siç është edhe qëllimi i tyre? Nisur nga eksperienca e secilit prej tyre mund të thuhet që jo.   

Njerëz të mbetur në mes, as me Bashën të cilit i rreshtohet lidershipi zyrtar dhe as me Berishën të cilit i bashkangjiten ish-bashkëpunëtoret më të ngushte ndër vite.

Një listë prurjesh serioze nuk ka ende.

Fatbardh Kadillin deri më tash nuk po e mbështesin as të larguarit nga partia që sot nuk janë as me Bashën dhe as me Berishën.

Astrit Patozi, ish-nënkryetar i PD-së nuk sheh asgjë të frytshme në lëvizjen e re përsa kohe që ajo zhvillohet brenda partisë.

Patozi i përket atij stofi të politikanit që duke e njohur mirë PD-në nuk sheh drite në fund të tunelit për këdo që kërkon ta ndryshojë atë nga brenda.

Ndaj dhe nisma e Kadillit që të ngjan me një KOP të dytë në frymë është shumë larg asaj të parës qoftë me njerëz qoftë edhe në rrethanat politike në të cilën është ngjizur kjo nismë.

Sepse sot fatkeqësisht PD-ja është rreshtuar në dy kampe militanteske, se kujt duhet t’i përkasë partia? Bashës apo  Berishës.

Dhe për ta çarë këtë hendek nuk mjaftojnë vetëm idetë. Duhet shumë më shumë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë