Drejtësia

Nis zbatimi i hartës së re gjyqësore pas shkrirjes së gjykatave në rrethe. Çështjet, në 1 Apel të vetëm në Tiranë

Gazeta Si - Nga kjo e mërkurë hyn në fuqi zbatimi i hartës së re gjyqësore, i miratuar disa muaj më parë nga KLGJ dhe Këshilli i Ministrave.

Kjo masë, i hap rrugë kështu funksionimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Të gjithë qytetarët nga veriu në jug, do t’i drejtohen kryeqytetit për të zhvilluar gjyqe në një gjykatë të vetme Apeli.

Nga ana tjetër, avokatët kanë njoftuar ankimimin në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa qytetarët thonë se kostot janë të papërballueshme.

Duke nisur nga 1 shkurti 2023, harta e re gjyqësore e miratuar në vitin 2022 mes shumë debateve, nis zbatimin, ndërsa të gjitha dosjet janë transferuar në Tiranë.

Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të shkrihen, ndërsa do të mbetet hapur vetëm një zyrë informacioni për qytetarët.

Në këto zyra do të punojnë 3 nëpunës civilë gjyqësorë dhe qytetarët do kenë mundësi vetëm të depozitojnë vetëm kërkesat.

Me hartën e re gjyqësore, të gjitha çështjet të cilat nuk kanë asnjë datë për gjykim në Apel, do të hidhen edhe një herë në short, për të caktuar gjyqtarët që do t’i shqyrtojnë.

Vendi ynë do të ketë 13 Gjykata të Shkallës së Parë me juridiksion të përgjithshëm, 2 Gjykata Administrative të shkallës së parë dhe 1 Gjykatë Apeli, me juridiksion të përgjithshëm dhe 1 Apel Administrativ.

Me ndryshimet e reja, janë riorganizuar gjykatat e shkallës së parë nga 22 që ishin, bëhen 13, një gjykatë për çdo qark, me përjashtim të qarkut të Vlorës që do të ketë gjykatë edhe në Sarandë.

Avokatët gjatë muajve qershor, korrik të vitit të kaluar bojkotuan proceset gjyqësore pikërisht se kundërshtonin shkrirjen e gjykatave të Apelit dhe bashkimin në 1 gjykatë të vetme në Tiranë.

Nga Shkodra, kreu i Dhomës së Avokatisë Anton Kosteri, paralajmëroj ankim në Gjykatën Kushtetuese.

“Reagimi tani do të jetë vetëm në distancat ligjore, ne e kemi përgatitur një kërkesë për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese, që do përfaqësohet nga dhoma e avokatisë së Shqipërisë”.

Këtë veprim vijojnë ta kundërshtojnë edhe avokatët në Korçë.

"Të gjithë e kuptojnë shumë mirë se çfarë pasoja ka vajtja për gjykime nga Korça në Tiranë. Ne nuk po flasim vetëm për avokatin por po flasim për të gjithë njerëzit që do kenë konflikte gjyqësore", tha ai.

KLGJ ka vendosur që të mbajë të njëjtin numër gjyqtarësh apeli në organikë, 78 të tillë, duke i përqendruar të gjithë në kryeqytet.

Sipas KLGJ, me këtë numër në përbërje llogaritet që secili prej tyre të shqyrtojë mesatarisht 217 dosje në rang vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë