Drejtësia

Shkrirja e Gjykatave të Apelit, Llagami sqaron procedurën si do punohet me hartën e re dhe qytetarët

Gazeta Si - Pesë Gjykatat e Apelit në rrethe nga sot nuk ekzistojnë më dhe ka vetëm 1 Gjykatë Apeli në Tiranë që do të mbulojë të gjithë territorin e Shqipërisë.

Me hyrjen në fuqi të hartës së re gjyqësore, kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami tha këtë të mërkurë se procesi për shkrirjen e Gjykatave të Apelit nuk ka qenë i lehtë.

Për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve, ajo sqaroi të gjithë procedurën si do të punohet me hartën e re, ndërsa u shpreh se janë marrë të gjitha masat që gjithçka të shkojë siç duhet.

“Janë 27 mijë çështje që janë bashkuar dhe për shkak të zhvillimeve të teknologjisë, këto janë gati për t’u rishortuar prej trupës prej 25 gjyqtarësh.  Po të bëjmë një kalkulim të thjeshtë, i bie që çdo gjyqtar do ketë 1.080 çështje dhe po të bëj krahasimin me të dhënat që kam në KLGJ, çdo gjyqtar këtu ka më pak çështje sesa ka Gjykata e Shkallës së parë që ka shkuar në 1500 çështje”.

Llagami shpjegoi se janë marrë masa për një staf administrativ cilësor. “Një gjyqtar, ka 5.5 staf administrativ. Gjyqtarët janë akomoduar në salla. Kemi të gjithë zyrat dhe KLGJ po punon për idenë e një Gjykate të re të Apelit të Përgjithshëm”.

Sipas Llagamit, çështjet të cilat kanë filluar gjykimin në Gjykatat e Apelit në rrethe që u “shkrinë”, do të vazhdojnë gjykimin.

Një nga shqetësimet kryesore, është se çfarë do të ndodhë me qytetarët.

“Kaq informacion e keni marrë në faqen zyrtare të KLGJ, që nuk do ketë asnjë pengesë. E vetmja pengesë që do të ketë qytetari, është që nuk do ta ketë të aksesueshëm gjyqtarin, - sqaroi kryetarja e KLGJ-së. - Këtu po, do kemi një pengesë, por për pengesë tjetër jo. Sepse qytetari do të marrë shërbimin aty ku e ka marrë gjithmonë. Pra në godinën e gjykatave të mëparshme të Apeleve. Aty do marrë një shërbim që ka të bëjë jo vetëm me informacionet, por edhe kërkesat dhe aktet që duhen për një gjykim. Do marrë informacion për dosjen e tij”.

Një tjetër problem që mund të përballen qytetarët, është a do ta marrin shërbimin kualitativ.

“Sa më shumë të specializuar gjyqtarët, aq më cilësor do jetë shërbimi. Sot nuk do të dështojë asnjë seanca, sot ai do shërbehet më mirë”, tha Llagami.

Ajo tha se u deshën tre vjet për hartimin e hartës së re gjyqësore. “Nuk ishte proces i lehtë, na mori 3 vjet. Nuk ishte diçka e thjeshtë, pasi përballeshim çdo ditë me prioritete. Nuk do ishte bërë nëse ne s’do kishim edhe mbështetjen e partnerëve tanë, - shtoi Llagami. - Me gjithë kundërshtitë dhe dilemat, arritëm ta miratonim, se e kuptuam që ishim në një rrugë pa kthim. Sot është koncept shërbimesh, nuk mund të diskutim për shërbime nëse nuk flasim për kosto dhe optimizim të burimeve njerëzore”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë