Drejtësia

Harta gjyqësore/ Nis bojkoti pa afat i avokatëve, por në Tiranë e Shkodër ka dhe qëndrime kundër

Gazeta Si - Avokatët në të gjithë vendin kanë nisur këtë të enjte bojkotin e seancave gjyqësore pas vendimit e Dhomës së Kombëtare të Avokatisë.

Ndërsa për 10 ditë me radhë do të bojkotohen gjyqet dhe masat e sigurisë. Por vendimi, i cili ka nisur të zbatohet sot, ka pasur edhe qëndrime kundër në Tiranë dhe Shkodër.

Në Gjykatën e Tiranës po zhvillohen seanca për masa sigurie dhe disa avokatë janë paraqitur në gjyqe, ndërkohë që disa seanca të tjera janë shtyrë.

Megjithatë, Dhoma Kombëtare e Avokatisë, ka paralajmëruar se për avokatët që nuk do të ndjekin bojkotin, do të ketë masa disiplinore deri në heqje të licencës.

Rreth 2 mijë avokatë, prej disa javësh kanë bojkotuar proceset në formë greve për të detyruar KLGJ-në që të reflektojë mbi hartën e re gjyqësore pas propozimit për mbylljen e shumë gjykatave. Dhoma e Avokatisë, pretendon se KLGJ ka injoruar dhe nuk ka marrë në konsideratë propozimet e tyre.

Shkodër - Dhoma e Avokatisë në Shkodër vazhdon bojkotin e të gjitha seancave gjyqësore.

Në këto 5 ditë janë anuluar rreth 10 masa sigurie. Kryetari Anton Kosteri tha se një kolege ka thyer vendimin e dhomës së avokatisë duke marrë pjesë në një masë sigurie prandaj ndaj saj kanë nisur procedurat për penalizimin e saj deri në heqjen e licencës.

Kosteri thotë se nga ky bojkot, që shpreson që të reagojë qeveria, fatkeqësisht mund të përfitojnë persona me nivel kriminal  duke u liruar.

Berat - Dhoma e Avokatisë së Beratit vendos të shpallë bojkotin pa afat për të gjitha seancat gjyqësore ndërsa do të bojkotohen me 10 ditë masat e sigurisë.

Kryetari i Dhomës së Avokatëve të Beratit, Plarent Lapardhaja ka deklaruar se vendimi për ndryshimin e hartës së re gjyqësore penalizon jo vetëm avokatët por edhe qytetarët.

Lapardhaja ka deklaruar se ky bojkot të vazhdojë pa afat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre dhe se avokatët e Beratit do ti bashkohen çdo vendimi që do të merret nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë.

Elbasan - Dhoma e Avokatisë e këtij qyteti do I bashkohet bojkotit. Sot në gjykatën e Elbasanit është dhe seanca e dy policëve të arrestuar për shpërdorim detyrë në vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe nuk dihet çfarë do të bëhet.

Korçë - Kryetari i dhomës së avokatisë në Korçë Arben Lena ka dalë përsëri në një deklaratë për mediat, në sajë të vendimit të fundit të marrë ditën e djeshme nga dhoma e avokatisë kombëtare, për bojkotin 10 ditor të gjithë seancave gjyqësore dhe masave të sigurisë.

Arben Lena është shprehur se në rast se nuk do të ketë një reagim nga ana e shtetit, kjo do të thotë se mungon shteti.

Po ashtu ai shprehet se në rast se do të ketë pjesë nga grupi i avokatëve të Korçës që do të paraqiten në proceset gjyqësore, dhoma e avokatisë do të nisë proces disiplinor për ta.

Vlorë - Kreu i dhomës së avokatisë Vlore Durim Barjami  ka deklaruar se do te vijohet me bojkotin.

Lushnjë - Avokatët i kanë bërë thirrje qytetarëve të bashkohen nesër në një takim ndërgjegjësimi në lidhje me hartën e re gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë