Bota

Nis samiti dy ditor i Këshillit Europian, çfarë pritet të diskutohet

Nga Gazeta ‘Si’-Këshilli Europian dyditor, i cili fillon sot në mesditë në Bruksel(21 mars) do të trajtojë disa nga çështjet kryesore duke nisur me mbështetjen financiare për mbrojtjen europiane, mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën dhe trajtimin e krizës humanitare në Gaza.

Importi i produkteve ukrainase është gjithashtu një nga pikat kyçe, pas dështimit të djeshëm për të gjetur një zgjidhje përkatëse, ndërsa bisedimet e 27 vendeve pritet të “ngecin” edhe për çështjen e zgjerimit, siç pretendojnë disa shtete anëtare.

Çështja vendimtare e mbështetjes financiare për mbrojtjen europiane pritet të mbulojë bisedimet e sotme midis liderëve europianë në Bruksel, në mes të luftës së vazhdueshme në Ukrainë dhe nevojës për mbështetje të vazhdueshme ushtarake të papenguar për Kievin.

Në këtë kontekst, presidenti francez pritet të nxisë 26 vendet e tjera të miratojnë planet e tij radikale për të rritur shpenzimet e mbrojtjes me idenë e emetimit të “eurobonove të mbrojtjes”, një ide e mbështetur edhe nga presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.

Sipas disa burimeve diplomatike, kjo çështje do të dominojë takimin e sotëm, nën “hijen” e “kërcënimit ekzistencial” të vazhdueshëm të Moskës për Europën.

Në tryezën e bisedimeve, megjithatë, do të diskutohen mënyra të tjera për financimin e shpenzimeve shtesë të mbrojtjes, nga përdorimi i pjesëve të buxhetit të përbashkët, deri te administrimi me njëfarë “fleksibiliteti” të shpenzimeve ushtarake, bazuar në rregullat që përmirësojnë deficitet buxhetore kombëtare.

Propozime të tjera kanë të bëjnë me përdorimin e të ardhurave nga asetet e ngrira ruse dhe ndryshimin e mandatit të Bankës Europiane të Investimeve (EIB) në mënyrë që të mund të investojë edhe në mbrojtje.

Lidhur me përdorimin e aseteve të “ngrira” ruse, Komisioni ditën e djeshme paraqiti një propozim përkatës që mund të forcojë çdo vit mekanizmin special të fondit të paqes (EPF) me 3 miliardë euro në vit.

Megjithatë, disa vende anëtare shprehin rezerva për kuadrin ligjor për përdorimin e këtyre fitimeve për të blerë sisteme armësh.

Çështjet bujqësore pritet të jenë sërish në hije në Këshillin Europian, pasi disa shtete anëtare kërkojnë më shumë kufizime në importet e produkteve bujqësore ukrainase. Mëngjesin e djeshëm, negociatat midis Këshillit dhe Parlamentit Europian rezultuan në një marrëveshje për të kufizuar importet e produkteve ukrainase në përgjigje të kërkesave përkatëse të fermerëve në Europën Qendrore dhe Francë.

“Pauzë e menjëhershme humanitare në Gaza”

Kriza humanitare në Gaza, për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme do të jetë një nga temat që do të diskutohet në Këshillin Evropian në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

27 liderët evropianë do të përpiqen të gjejnë një zgjidhje të përbashkët për luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Nga ana e tij, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres do të informojë për zhvillimet në lidhje me krizën humanitare në zhvillim në Gaza, ku organizata e tij tashmë ka paralajmëruar një rrezik të afërt të urisë, ndërsa do të përpiqet të bindë vendet anëtare që kanë pezulluar ndihmën për UNWRA për të rivendosur mbështetjen e tyre financiare për Agjencinë e Ndihmës Palestineze të Kombeve të Bashkuara.

Për shkak të luftës në Lindjen e Mesme, disa shtete anëtare të BE-së  kërkojnë të flasin edhe çështjen e marrëdhënieve euro-turke në axhendën e madhe të Këshillit Europian, e cila aktualisht nuk është përfshirë, ndërkohë që Turqia nuk përmendet as në seksionin e marrëdhënieve me jashtë të draft-konkluzioneve.

Gjermania “udhëhoqi” këtë iniciativë, ndërsa si Komisioni ashtu edhe shtetet e tjera anëtare si Italia dhe Qiproja do të donin të kishin një diskutim bazuar në raportin përkatës të kreut të diplomacisë europiane, Josep Borrell, sipas burimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë