Ne rrjet

Nis numërimi mbrapsht, NASA gati të çelë epokën e re të eksplorimit hapësinor

NASA ka nisur numërimin mbrapsht për lëshimin të raketës së re që do të rikthejë njerëzimin në Hënë. Sistemi i Lëshimit në Hapësirë (Space Launch System, SLS) është makineria më e fuqishme e zhvilluar nga NASA dhe do të jetë baza e projektit Artemis, që do të çojë njeriun në Hënë pas 5 dekadash.

Misioni hënor është konceptuar edhe si paradhomë e një fluturimi drejt Marsit në vitet 2040. Raketa do të lëshohet nga “Kennedy Space Centre” rreth orës 13:30 minuta me orën tonë. Synimi është testimi i lëshimit të një kapsule, të quajtur Orion larg Tokës.

Orion do të udhëtojë përreth Hënës para se të rikthehet e të përplaset në Oqeanin Paqësor në Tokë pas rreth gjashtë javësh. Anija nuk do të ketë staf njerëzor, por udhëtimi do të shërbejë si një test për t’u siguruar që të gjitha pajisjet, softuerike dhe inxhinierike funksionojnë para se në 2024 të niset misioni më kompleks me austronautë për në Hënë.

“Gjithçka që po bëjmë me fluturimin Artemis I është që të na tregojë dhe të na mësojë se çfarë mund të bëjmë me Artemis II duke minimizuar në maksimum rreziqet për misionin me ekuipazh”, tha astronauti i NASA-s, Randy Bresnik.

NASA ka zgjedhur lëshimin mes një moti të paqëndrueshëm edhe për të testuar rezistencën e Orion dhe të sistemit të lëshimit. Të dielën, një stuhi në Florida u shoqërua me rrufe të shumta, ku njëra prej të cilave goditi edhe platformën e lëshimit, SLS.

Shkarkesa elektrike nuk shkaktoi asnjë dëm dhe këtë, NASA e interpreton si kalim me sukses të testit. Mëngjeset, në zonën ku ndodhet “Kennedy Space Centre” janë me mot më të qetë dhe NASA do të shfrytëzojë këtë periudhë.

A është Artemis Apollo e gjeneratës së re?

Në 1969-n, kur Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin hodhën hapat e parë në Hënë, ata hapën portat e epokës së artë të eksplorimit hapësinor. Programi Apollo shndërroi mënyrën se si ne e shohim sot planetin tonë, madje edhe se si e shohim veten.

Tani, 50 vite më vonë, njerëzimi ka rikthyer sërish sytë nga Hëna dhe për ata që nuk ishin dot dëshmitarë të misioneve Apollo personalisht, ka shpresa se Artemis do të frymëzojë një gjeneratë të re.

Misioni i ri do të jetë ndryshe. NASA po planifikon që në Hënë të zbresë gruaja e parë dhe personi i parë me ngjyrë, si për të treguar se eksplorimi në hapësirë është i hapur për të gjithë dhe sipërfaqja e Hënës është vetëm fillimi. Ambicia e NASA-s shkon përtej dhe me objektiv që brenda dy dekadash të zbresë në Mars.

Misioni është një moment me rëndësi jo vetëm për NASA-n, por edhe për Agjencinë Hapësinore Europiane, ESA. Kjo e fundit ka ndërtuar modulin e shërbimeve për kapsulën hapësinore të Orion. Ky kontribut domethënës e shtyn agjencinë europiane të shpresojë që në fluturimet e ardhshme të përfshihen edhe shtetas nga Kontinenti i Vjetës.

Aktualisht janë projektuar 8 misione Artemis dhe planifikohet i nënti. Në kohën kur do të realizohet i nënti, në Hënë do të jetë ndërtuar një bazë për austronautët, që do të shërbejë për qëndrimin e tyre për muaj me radhë. Koha e parashikuar është viti 2033.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë