Histori

Nga Zeqo te Kumbaro, kush i drejtoi politikat kulturore nga ’90

Godina aktuale e Ministrisë së Kulturës.

Nga Suadela Balliu - Emra të njohur në fushën e kulturës, personalitete të letrave, importe të panjohura që u kthyen në politikanë karriere, ministra jetëgjatë e të tjerë apo ata të emëruar si “qoka” nga politika, lista e ministrave të Kulturës, pas ’90 është e gjatë, ndërsa vetë dikasteri ka parë shndërrime të herëpashershme të emërtimit, duke u bashkuar me departamente apo edhe duke u shkrirë me ministri të tjera, herë si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nga viti 1992 – pas zgjedhjeve të para pluraliste, me rënien zyrtare të regjimit komunist – si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Gruas, emërtim i përdorur për vetëm një vit, nga 1996 deri më 1997-ën, ku u rikthye emërtimi si Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas 2005-ës do të riemërtohej si Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ndërsa qeveria e majtë, e cila erdhi në pushtet pas zgjedhjeve të 2013-ës, do ta emërtonte thjesht si Ministri e Kulturës, duke i kaluar politikat e turizmit në tjetër dikaster e po ashtu politikat e rinisë dhe sporteve, iu bashkëngjitën çështjeve të Ministrisë së Arsimit.

Moikom Zeqo

’91 –’97; Epoka e shkrimtarëve dhe kineastëve

Moikom Zeqo

I pari ministër i Kulturës, pas vitit 1990 do të ishte Moikom Zeqo, një nga personalitetet e njohura të kulturës. Pasi kishte punuar si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë deri në vitin 1990 e më herët si punonjës shkencor pranë Muzeut Arkeologjik të Durrësit, në vitin 1991, Moikom Zeqo, i cili mban sot titullin “Mjeshtër i Madh”, ishte pjesë e grupit organizator të Kongresit të 10-të të Partisë së Punës. Edhe pse poezia e tij ishte kritikuar në Plenumin e IV, për hermetizëm dhe mungesë së temës politike – e si ndëshkim do të kalonte tre vite si mësues letërsie në Rrogozhinë – në fillim të 1991-shit, Zeqo u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe, më 11 maj të 1991-shit, iu dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, detyrë jetëshkurtër që do ta mbante deri më 4 qershor të po atij viti. Në një intervistë të shumë viteve më pas, Zeqo do të kujtonte kohën kur iu ngarkuan politikat e kulturës, në fillimet e tranzicionit shqiptar. “Në vitet ’90 më ofruan detyrën e lartë që ishte në atë kohë, të kryetarit të Komitetit të Kulturës edhe të Arteve, detyrë që përfshihej në mbledhjet e qeverisë”, do të kujtonte Zeqo, ndërsa ka kujtuar fundin e një sistemi, ku kryeministër ishte Fatos Nano, i cili ishte pasardhës i Adil Çarçanit në krye të qeverisë, e që do të pasohej një vit më vonë nga qeveria teknike e Ylli Bufit. Zeqo do të kujtonte me rëndësi aktivitetet ku u përfshi si ministër Kulture i asaj kohe, si marrja pjesë për herë të parë në mbledhjen e zhvilluar në Leon të Spanjës, me të gjithë ministrat e Europës dhe po për herë të parë në mbledhjen e ministrave të kulturës së Ballkanit, që u bë në Ankara të Turqisë. Pas zgjedhjeve të para pluraliste, në mars të vitit 1992, Moikom Zeqo do të zgjidhej deputet në Parlamentin Shqiptar në një legjislaturë, deri në vitin 1996. Një vit më pas, më 1997-ën Moikom Zeqo – autor i 62 librave, ndër to poezi, studime arkeologjike dhe histori të artit do të zgjidhej drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, detyrë që do ta mbante deri në vitin 2005.  Zeqo do ta mbante detyrën e ministrit të Kulturës deri më 4 qershor të 1991-shit e pas tij, në qeverinë e Stabilitetit, me përfaqësi të forcave të djathta e të majta, të sapothemeluara asokohe, ku kryeministër ishte Ylli Bufi, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve nga Partia Demokratike do të ishte shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj.

Preç Zogaj

Preç Zogaj

Pasi kishte punuar gjashtë vite si gazetar, në organin “Zëri i Rinisë” dhe kishte qenë shef i prozës së shkurtër në shtëpinë botuese shtetërore “Naim Frashëri”, Zogaj do të bëhej themelues i gazetës Rilindja Demokratike dhe një prej nismëtarëve të krijimit të Partisë Demokratike. Gjatë kohës që ishte ministër i kabinetit Bufi, Zogaj ishte zgjedhur gjithashtu deputet i Partisë Demokratike, në periudhën 1991-1992, por më pas do të themelonte partinë Aleanca Demokratike. I rreshtuar shpesh si zë opozitar në karrierën e tij politike, në vitin 1997, Zogaj do të ishte këshilltar i Presidentit Rexhep Meidani, deri më 1999-ën, ndërsa deri në vitin 2000, për një vit do të ishte ministër Shteti në Qeverinë Meta. Nga viti 2005, do të zgjidhej Deputet i Partisë Demokratike për një legjislaturë, deri më 2009-ën. Por në vitin 2011, në protestën e 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër protestues Zogaj do të ishte në krah të Ramës, gjatë asaj proteste, nga i cili do të zhgënjehej me të ardhur në pushtet, më 2013-ën. Ngjarjet politike, pas viteve ’90, ku ai ka qenë jo vetëm vëzhgues e kronikan, por gjithaq aktor i zhvillimeve politike, Zogaj i ka përfshirë në publicistiken e tij, duke botuar libra si "Vera e përjetshme”, “Rënia e zgjedhjeve”, “Lufta jo civile”, “Paradhoma e një presidenti”, “Nga hiri”, “Finalja”, “Të gjithë nëpër vendet e tyre” apo “Në kërkim të zgjedhjeve të humbura”. Në dhjetor të 1991-shit, Zogaj, i cili nuk pati jetëgjatësi në politikat kulturore, do t’ia linte vendin shkrimtarit Vath Koreshi.

Vath Koreshi

Vath Koreshi

I njohur si gazetar në “Zëri i Rinisë” dhe gazeta “Drita” e më pas si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re”, Vath Koreshi para se të merrte postin e ministrit të Kulturës, duke pasuar Preç Zogajn, kishte punuar si drejtor i Drejtorisë së Arteve në Komitetin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. I vlerësuar si nder i kombit, dy vite pas vdekjes – Koreshi u nda nga jeta më 2006 –ën – dhe i cilësuar si zë i fuqishëm i letërsisë shqipe, edhe pse krijimtarisë së tij sipas kritikës nuk i është dhënë vëmendja e merituar – Koreshi njihej për skenarët e filmave si “Gjeneral Gramafoni”, “Rrugë të bardha” , “Balada e Kurbinit, “Dasma e Sakos”, “Rekuiem për një grua”, si edhe shumë skenarë filmash. Në legjislaturën 2001-2005 do të zgjidhej deputet i Partisë Socialiste, ndërsa një vit më vonë do të ndahej nga jeta. Në prill të vitit 1992, në postin e ministrit të Kulturës do të vinte një tjetër emër i njohur i kinematografisë Shqiptare. Në qeverinë e re, drejtuar nga kryeministri Aleksandër Meksi, pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, ministër i Kulturës do të emërohej kineast i njohur Dhimitër Anagnosti.

Dhimitër Anagnosti

Dhimitër Anagnosti

Kur u zgjodh ministër i Kulturës, Dhimitër Anagnosti kishte bërë emër dhe karrierë të gjatë në kinematografinë shqiptare, pasi e kishte nisur si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re” në vitin 1961, në filmin “Debatik” . Viti 1991, e gjeti regjisorin të angazhuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, që e çoi fill më pas të zgjidhej deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë, nga viti 1991 e deri më 1996-ën. Postin si ministër i Kulturës, Anagnosti do ta mbante deri më dhjetor të 1994-ës, ku më pas do të jepte dorëheqjen. Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, duke fituar një sërë çmimesh kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij, skenarët i ka shkruar vetë. Në vitin 2001 do të shkruante dhe ngjiste në skenën e Teatrit Kombëtar, të vetmen dramë në karrierën e tij “Nata e trokitjeve në xham”, ndërsa në vitin 2005 do të realizonte filmin “Gjoleka, djali i Abazit”, film që do të dëshmonte talentin e një brezi kineastësh që i dhanë jetë Kinostudios “Shqipëria e Re”, edhe pas viteve ’90, duke u nderuar me çmime edhe jashtë vendit. Anagnosti do të pasohej nga një tjetër figurë e shquar e kulturës shqiptare si shkrimtari Teodor Laço.

Teodor Laço

Teodor Laço

Shkrimtari Teodor Laço zgjidhet ministër i Kulturës në dhjetor të ‘94 deri më 10 mars të vitit 1997, kur edhe nisën trazirat civile pasi shqiptarët humbën kursimet e tyre në skemat piramidale, që pasoi me atë që u njoh si luftë civile. Megjithëse me një formim akademik në Agronomi, në Universitetin e Tiranës, Teodor Laço e zhvilloi karrierën e tij në fushën e letrave, duke shkruar e botuar një sërë romanesh, novelash, tregimesh, drama, komedi e skenarë filmash artistikë e dokumentarë. Laço e gjeti veten, si shumë intelektualë të tjerë, pas viteve ’90 të angazhuar në jetën politike të vendit. Fillimisht u përfshi në proceset e krijimit të sistemit shumëpartiak në krahun liberal demokrat, fillimisht si një prej themeluesve e drejtuesve të Partisë Social-Demokrate dhe më pas si krijues e drejtues për 10 vjet i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat. Nga viti 1997 e deri më 2005-ën do të ishte deputet i Parlamentit, ndërsa në vitin 2006 e deri më 2008-ën do të emërohej ambasador i Shqipërisë në Federatën Ruse. Si ministër i Kulturës, Laço do të qëndronte për tre vite, deri më 1997-ën, ku u pasua nga Engjëll Ndocaj.

Engjëll Ndocaj

Engjëll Ndocaj e mori detyrën si Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Gruas, në mes të trazirave të vitit 1997 dhe e mbajti deri më 24 korrik, të po atij viti. I diplomuar në Gjuhe Letërsi, si shumë prej paraardhësve të tij në ministrinë e Kulturës, Ndocaj vinte nga një karrierë si gazetar në Televizionin Publik Shqiptar, autor i qindra emisioneve dhe filmave dokumentar dhe një prej figurave të rëndësishme të ekranit deri në të atëkohë. Pas detyrës si ministër në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, me kryeministër Bashkim Finon, e cila zgjati vetëm pak muaj, nga 11 marsi deri më 27 korrik të vitit 1997 , Ndocaj si përfaqësues i Partisë Demokristiane, do t’i rikthehej sërish punës në televizion, si gazetar në TVSh e më pas nga viti 2000 si drejtor i Departamentit të Kulturës e nga 2005 si zëvendës drejtor i Televizionit Publik Shqiptar. Ndocaj njihet edhe si organizatori dhe skenaristi i dy edicioneve te para te spektaklit “Miss Albania”, ku regjisore ishte Vera Grabocka. Me ardhjen në pushtet të të majtëve, posti i ministres së Kulturës do t’i kalonte Arta Dades.

Arta Dade

Mes  figurave politike  edhe emrave të panjohur

Arta Dade

Pedagogia e gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës, do të angazhohej në politikë në vitin 1991, me themelimin e Partisë Socialiste. “Atë kohë jepja mësim në universitet dhe studentët po më prisnin për provimin me gojë, pasi kishin përfunduar provimin me shkrim në lëndën kryesore të gjuhës angleze. Pikërisht në këtë kohë, mora pjesë në Kongresin e themelimit të Partisë Socialiste”, do të kujtonte në një intervistë të shumë viteve më vonë, zonja Dade. Atë vit bëhet anëtare e Partisë Socaliste të Shqipërisë dhe një vit më pas, anëtare e Kryesisë së kësaj partie. Në vitin 1993 zgjidhet anëtare e Forumit të Grave të majta Europiane, ndërsa në vitin 1996 do të kandidonte si deputete në kuadër të Partisë Socialiste. Nga viti 1997 e deri më 2001-shin do të ishte deputete Legjislaturën e XV të Kuvendit të Shqipërisë. Pikërisht gjatë kësaj periudhe emërohet ministre e Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në Qeverinë “Nano 2”. Në shtator të vitit 2001, Arta Dade do të emërohej ministre e Punëve të Jashtme, duke u bërë kështu e para grua ministre e në këtë dikaster, post që e mban deri në korrik të vitit 2002. “Unë nuk kam qenë për një kohë të gjatë Ministre e Jashtme, sepse për shkak të zhvillimeve të brendshme në parti, por edhe në vend, m’u desh të largohesha dhe të rikthehesha sërish në postin e Ministres së Kulturës në qeverinë e tretë të Fatos Nanos, në vitin 2002”, do të kujtonte vetë Dade, vite më pas, ndërsa angazhimi i saj politik numëron tanimë thuajse tre dekada. Arta Dade, si ministre e Kulturës në qeverinë Nano 2, do t’ia linte vendin në tetor të 1998-ës Edi Ramës, i cili në dy vitet e mandatit të tij u shndërrua në ministrin më të dashur nga të rinjtë.

Edi Rama

Kultura, zanafilla politike e Edi Ramës

Si ish-basketbollist, piktor e publicist, Edi Rama do ta bënte për vete brezin e ri, përveç karizmës dhe stilit më të shpenguar nga sa kishin shfaqur politikanët deri atë kohë, edhe me stilin e tij të të veshurit, ku spikatnin xhaketat e mëdha, kravatat dhe çorapet me ngjyra të ndezura. Megjithëse ishte angazhuar në lëvizjet studentore të vitit ’90 dhe rreshtuar në anën e Partisë Demokratike, ai do të largohej shpejt për shkak të mosmarrëveshjeve me liderin e partisë, Sali Berisha, duke u vendosur në Francë për të ndjekur karrierën e tij artistike. Në vitin 1998, i kthyer në Tiranë – pasi u sulmua fizikisht një vit më herët – për ceremoninë e varrimit të të atit, skulptorit, Kristaq Rama, do të merrte një telefonatë nga kryeministri Fatos Nano, i cili i propozoi postin si Ministër të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Rama vendosi ta pranonte ofertën, duke u përfshirë kështu në politikë më seriozisht, ndryshe nga tentativat e viteve të para ’90. Si ministër, u bë shpejt i njohur për ekstravagancën. Projektet e tij të reja kulturore, të shoqëruara me veshjen e tij të çuditshme dhe stilin e rebeluar politik, ndihmuan Rama të arrinte përkrahje të madhe në mesin e të rinjve, gjë që luajti një rol kritik në zgjedhjen e tij si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, ku do të zgjidhet edhe si Kryebashkiaku i Botës “World Mayer”, në vitin 2004. Nga momenti kur pranoi ofertën e kryeministrit të asokohe Fatos Nano, karriera politike e Edi Ramës do të shihte vetëm ngjitje. Do të qëndronte në krye të Bashkisë së Tiranës deri në vitin 2011 e gjithashtu do të merrte drejtimin e Partisë Socialiste për të kulmuar më 2013-ën, si kryeministër i vendit, për t’u zgjedhur edhe për një qeverisje të dytë më 2017-ën.

Esmeralda Uruçi

Më 26 tetor të vitit 2000, ministre e Kulturës zgjidhet Esmeralda Uruçi, e cila e mban këtë post deri më 2001-shin. Uruçi, e cila do të ndahej nga jeta si pasojë e një aksidenti automobilist në vitin 2012, njihet si autore e teksteve universitare, me botime publicistike brenda dhe jashtë vendit, për tema që prekin kryesisht probleme ekonomike të periudhës së tranzicionit. Uruçi ka qenë lektore në disa universitete të vendit, dekane e Fakultetit të Ekonomisë, drejtore e Marrëdhënieve me Publikun në Bankën e Shqipërisë. Uruçi ka qenë për disa kohë në krye të LSI-së së Shkodrës, por më pas vendosi që të japë dorëheqjen.

Luan Rama

Luan Rama

Pas detyrës thuajse njëvjeçare nga Uruçi, ministër i Kulturës emërohet Luan Rama, i angazhuar në politikë prej vitit 1991, si themelues i Partisë Socialiste. Pas një karriere si gazetar nga viti 1990 si redaktor e më vonë si kryeredaktor i organit të Partisë Socialiste “Zëri i Popullit” dhe anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH e po ashtu deputet i Partisë Socialiste nga vitet 1997 e deri më 2005-ën, Luan Rama do të zgjidhej ministër i Kulturës , në shtator të 2001-shit, detyrë që do ta mbante për vetëm pak muaj, por fill më pas do të emërohej si ministër i Brendshëm, në qeverinë socialiste. Nga viti 2008, pas ndarjes së madhe të Partisë Socialiste, Luan Rama do të ishte një prej themeluesve dhe drejtuesve kryesorë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, sekretar i përgjithshëm i saj dhe nënkryetar dhe deputet i LSI-së, nga viti 2013.

Agron Tato

Në shkurt të vitit 2002, gjatë qeverisjes së dytë të kryeministrit Pandeli Majko, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve zgjidhet Agron Tato, një emër që vinte nga bota akademike, pedagog në Fakultetin e Shkencave të natyrës dhe autor disa teksteve shkollore, në shkencat natyrore. Karriera ministrore e Tatos, e po ashtu edhe ajo politike, do të zgjaste vetëm pak muaj, deri në korrik të vitit 2002.

Blendi Klosi

Blendi Klosi

Blendi Klosi, do të shërbente si ministër kulture nga dhjetori i 2003-shit, deri më 1 shtator të 2005-ës, pasi zgjedhjet e përgjithshme të 2005-ës , u fituan nga Partia Demokratike. Klosi, i diplomuar në fushën e Inxhinierisë Elektronike, në Universitetin e Tiranës, do ta merrte detyrën e ministrit të Kulturës, pas disa eksperiencave si zëvendësministër i Pushtetit Lokal , nga vitit 1999 e deri më 2001-shin, më pas si kryetar i Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe ministër i Shtetit. i zgjedhur deputet i Partisë Socialiste në pesë legjislatura, Klosi do t’i rikthehej karrierës ministrore në vitin 2015 si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, deri më 2017-ën dhe aktualisht si ministër i Turizmit dhe Mjedisit.

Bujar Leskaj

Ministrat e PD-së, që nuk erdhën nga kultura

Bujar Leskaj

Me ardhjen e Partisë Demokratike në Pushtet, në qeverinë e kryeministrit Berisha, ministër Kulture do të emërohej Bujar Leskaj, i cili me një diplomë si inxhinier nafte, pak dukej të kishte qasje në botën dhe politikat kulturore. Megjithatë veç Fakultetit Gjeologji-Miniera, Leskaj mban edhe dy diploma në Ekonomi dhe Drejtësi nga Universiteti i Tiranës e po ashtu një master për administrim Publik nga universiteti i Nebraskës. Veprimtarinë e tij profesionale Leskaj e nisi në vitin 1993 si doganier në Doganën e Vlorës, duke u bërë më pas drejtues i saj, në vitin 1994. Pasi punoi si pedagog në Fakultetin e Ekonomisë, Leskaj do të angazhohej në politikë në vitin e vështirë 1997, si anëtar i Partisë Demokratike, do të zgjidhej deputet i qarkut të Vlorës, në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 2005 për një legjislaturë. Pikërisht në këtë vit karriera e tij politike sheh ngjitje, ku zgjidhet edhe ministër Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku çështjet e kulturës ishin një nga shumë të tjerat që drejtonte ky dikaster. Nga viti 2007, Leskaj ishte anëtar i delegacionit të përhershëm të Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Më 2011-ën, Leskaj do të zgjidhej si Kryetar i Kontrollit të Lartë Shtetit, në një mandat 7 vjeçar, i cili ka përfunduar më 22 dhjetor të 2018-ës.

Ylli Pango

Ylli Pango

Pas Bujar Leksaj, në kabinetin Berisha, do të zgjidhej ministër i Kulturës Ylli Pango, i cili u emërua në 19 mars të 2007-ës, për t’u shkarkuar më 3 mars të 2009-ës, pas videos së fshehtë, që e përfshiu atë në një skandal seksual. Si import i botës akademike, Pango do të njihej si psikolog dhe pedagog në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës dhe autor i një sërë tekstesh universitare në fushën e psikologjisë, edhe pse formimi i tij i parë universitar ishte në matematikë. Pango e nisi karrierën e tij në politikë si zëvendësministër i Arsimit në nga viti 1992 deri më ‘ 94. Pas karrierës si pedagog në Universitetin e Tiranës, ku më 1999 do të zgjidhej dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale deri në vitin 2005, Pango do të ishte edhe këshilltar politik i presidentit nga viti 2002. Ai do të zgjidhej deputet i Parlamentit dhe do të ishte për katër vjet, nga 2005 deri më 2009-ën si zëvendës kryetar i Komisionit të Medias dhe Arsimit. Pas skandalit të publikuar në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në Top Channel, ku ministri Pango shihej i përfshirë në një skandal seksual, kryeministri i asokohe, Sali Berisha vendosi shkarkimin e menjëhershëm nga detyra, duke i komunikuar këtij të fundit se episodi që u paraqit në media, ishte i papranueshëm për moralin dhe standardet e qeverisë Berisha, edhe pse Pango fillimisht u shpreh se bëhej fjalë për një video të montuar. Nga viti 2010, një vit pas shkarkimit si ministër, Ylli Pango do të emërohej Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Agjencisë Shqiptare të Kërkimit, Teknologjisë dhe Inovacionit.

Ardian Turku    

Me shkarkimin e menjëhershëm të Ylli Pangos, në mars të 2009-ës, ministër i Kulturës emërohet Ardian Turku, asokohe deputet i Partisë Demokratike. I diplomuar për Fizikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës dhe i specializuar, si pararendësi i tij në pedagogji dhe psikologji, Ardian Turku, me një karrierë disavjeçare si pedagog do të merrte një telefonatë nga kryeministri i asokohe Sali Berisha, për t’u bërë ministër i Kulturës. Berisha do t’i rrëfente këtij të fundit rreth skandalit publik, që përfshiu ministrin e Kulturës. “Për aq sa e njoh unë Ministrinë e Kulturës, di që ka strategji të mira në fushën e kulturës dhe të turizmit. Unë do të përpiqem që të vazhdojë puna në Ministrinë e Kulturës dhe do të përpiqemi të rregullojmë diçka më shumë. Por dua të bëj të ditur se unë do të punoj për punët e përditshme, të mos mendojë kush se do të rri si kukull. Pra do të punoj, pavarësisht se është kohë fushate”, do të shprehej asokohe Turku, edhe pse do të qëndronte në këtë detyrë për vetëm tre muaj, afat që nuk i la shumë mundësi për të shfaqur aftësitë e tij në politikat kulturore( por jo vetëm, duke qenë se ministria asokohe përfaqësonte çështjet e turizmit dhe rinisë e sporteve). Turku do ta linte mandatin e deputetit në vitin 2015, kur kandidoi për kryetar të Bashkisë Elbasan në zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015.

Ferdinand Xhaferraj

Në shtator të 2009-ës , posti i ministrit të Kulturës do t’i kalonte Ferdinand Xhaferrajt, i cili qëndron në detyrë deri më 30 mars të 2011-ës. Si deputet i Partisë Demokratike dhe ministër i Turizmit,Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Xhaferraj do të jepte dorëheqjen nga kjo detyrë për të kandiduar në Bashkinë e Durrësit. I diplomuar në Inxhinieri Mekanike, Ferdinand Xhaferraj do të kryente studime master për marrëdhënie ndërkombëtare dhe doktoraturën për çështje te sigurisë kombëtare. Xhaferaj do ta niste karrierën politike në vitin 1996 si deputet i Deputet ne Kuvendin e Shqipërisë, anëtar i Komisionit te Mbrojtjes, duke u zgjedhur në disa legjislatura.

Aldo Bumçi

Aldo Bumçi

Pas Xhaferrajt, më 19 korrik të 2011-ës ministër i Kulturës emërohet Aldo Bumçi. Si deputet i Parlamentit, Bumçi ëshë zgjedhur në disa legjislatura, në qarkun e Lezhës dhe përpara se të emërohej ministër i Kulturës, Bumçi kishte shërbyer më parë si ministër i Drejtësisë, nga shtator i 2005 deri në mars të 2007-ës, ku kulmoi me përpjekjet e tij për të larguar nga detyra Prokurorin e Përgjithshëm Theodhori Sollaku. Pas mandatit dy vjeçar në punët e Kulturës, Bumçi zgjidhet ministër i Punëve të Jashtme, në një detyrë që e mban për fare pak muaj, nga prilli i 2013-ës deri në shtator, të po atij viti, kur në pushtet vjen e majta.

Visar Zhiti

Visar Zhiti

Bumçi e mbajti detyrën e ministrit të Kulturës deri më 3 prill 2013, ku u pasua nga shkrimtari i njohur Visar Zhiti, detyrë që Zhiti e mbajti thuajse formalisht, pasi zgjedhjet e përgjithshme të 2013-ës shpallën fitues të majtën. Zhiti, shkrimtari i cili vuajti në burgjet famëkeqe të diktaturës komuniste për 13 vite, njihet për krijimtarinë e tij të pasur letrare në poezi dhe prozë. Pas përmbysjes së regjimit diktatorial Zhiti do të jetonte për pak kohë në Itali, Gjermani e ShBA, ndërsa pas kthimit në Shqipëri, Zhiti do të punonte si gazetar. U punësua më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në vitin 1996 u zgjodh vetë në parlament. Pas realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai u tërhoq nga politika. Në vitin 1997 ai u emërua atashe kulturor në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999. Në zgjedhjet e qershorit 2013, Visar Zhiti ishte 13-ti në listat e Partisë Demokratike, të qarkut të Tiranë, por nuk mundi të zgjidhej deputet, pasi demokratët fituan vetëm 11 mandate në këtë qark. Në shtator të 2013-ës, në pushtet do të vinin të majtët, pas tetë vitesh qeverisje të së djathtës dhe dy qeverive të drejtuara nga Sali Berisha.

Mirela Kumbaro

Kumbaro  më jetëgjata në Ministrinë e Kulturës

Mirela Kumbaro

Me të ardhur në pushtet qeverisja e majtë, ministre e Kulturës zgjidhet Mirela Kumbaro, e cila e mban këtë detyrë deri në dhjetor të 2018-ës, duke bërë një mandat të plotë dhe një vit të mandatit të dytë të qeverisë Rama, duke u bërë kështu ministrja e kulturës më jetëgjatë pas ’90. Vendin e Kumbaros në Ministrinë e Kulturës e zë arkitektja Elva Margariti. Si ministre e Kulturës, Kumbaro nuk vinte nga radhët e politikës, por nga karriera akademike dhe nga një angazhim i gjatë e aktiv në shoqërinë civile, ku kishte kon­tribuuar në fushat e kulturës, arsimit dhe problemeve sociale. Me një titull si profesore e asociuar në fushën e gjuhës dhe si doktore e shkencave në fushën e përkthimtarisë, Mirela Kumbaro nuk ishte emër i panjohur në fushën e kulturës si përkthyese e shumë librave nga gjuha frënge, angleze e italiane. Pas katër viteve si ministre e Kulturës, Kumbaro do të kandidonte në zgjedhjet e përgjithshme të 2017-ës, si deputete e qarkut të Gjirokastër. E debatuar nga kritikët shpesh për Ligjin mbi Trashëgiminë Kulturore e veçanërisht për ligjin që i dha udhë shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Mirela Kumbaro do të pasohej në vitin e pestë si ministre e Kulturës nga arkitektja Elva Margariti, një emër thuajse i panjohur jo vetëm në politikë, por edhe në çështjet e kulturës.

Elva Margariti

Elva Margariti

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro do të zëvendësohet nga arkitektja Elva Margariti, e cila ka qenë deri më tani edhe koordinatorja kombëtare e programit “100 Fshatra’, një projekt që bëri bashkë katër ministri: atë të Infrastrukturës, Bujqësisë, Turizmit dhe Kulturës, për investime në bujqësi, turizëm, infrastrukturë dhe kulturë. Margariti është diplomuar për Arkitekturë në Università degli Studi, në Firence të Italisë dhe ka punuar si arkitekte në disa kompani të huaja si Lumen apo Anzillotti Assocati dhe pedagoge e arkitekturës në Univeristetin “Zoja e Këshillit të Mirë”. E ftuar në një nga puntatat e emisionit “Opinion” në Televizionin Klan, ku diskutohej çështja e godinës aktuale të Teatrit Kombëtar, ligji për shembjen e së cilës u miratuar para pak muajsh nga Parlamenti shqiptar, Margariti do të shprehej për teknikat e ndërtimit të përdorura në fillim të viteve ’40, kur edhe godina u ndërtua nga qeveria italiane, se kanë bërë që struktura të ketë vështirësi të mëdha, pasi sipas saj ishte menduar të jetonte rreth pesëmbëdhjetë vite si godinë. Duket se në postin e ministres do ta hasë sërish këtë çështje, sepse edhe me miratimin e ligjit, komuniteti i aktorëve, regjisorëve dhe shoqërisë civile kundër shembjes së tij i vijon protestat në sheshin e godinës së teatrit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë