Menaxhim

Nga peshkimi te zhytjet dhe lundrimi për zbavitje, vetëm certifikatë për motorët e ujit gjatë sezonit. Hiqet detyrimi i regjistrimit në QKB për operatorët turistikë

Nga Gazeta ‘SI’- Të gjithë operatorët në vend që kryejnë veprimtari ujore me qëllime turistike do të futen në një proces certifikimi.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik projektligjin për ndryshime në aktivitetet e turizmit detar,  ku fillimisht ndan “detyrat” e operatorit turistik dhe operatorit të turizmit detar. 

Për arsye se operatori i turizmit detar dhe operatori turistik nuk janë i njëjti person, por ushtrojnë aktivitete të ndryshme dhe licencimi në radhë të parë si operator turistik mbingarkon subjektet me procedura, është vendosur shfuqizimi i pocesit të  licensimit pranë QKB-së. 

Certifikimi i subjekteve për ushtrimin e veprimtarive si operator i turizmit detar, kërkonte fillimisht pajisjen me licensën e operatorit turistik. 

Operatorët që  do të ushtrojnë veprimtari të turizmit detar do t’i nënshtrohen vetëm procesit të certifikimit, pa pasur nevojë të licencohen më  parë si operatorë  turistikë.

Aktivitete të turizmit detar që ushtrohen nga operatorët e turizmit detar janë  lundrimi për zbavitje, peshkimi, zhytjet dhe aktivitete të tjera ujore. Ndërsa operatorët turistikë punojnë  për dizenjimin dhe organizimin e një udhëtimi/pakete të paraplanifikuar e të promovuar.

Sezoni veror në Shqipëri është shoqëruar shpesh me aksidente tragjike si pasojë e sporteve detare lidhur dhe me mungesën e certifikimit të tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë