Rend dhe Ligj

Nga ngacmimi seksual me të mitur deri te dhuna në familje, arrestohen 8 persona

Tetë persona kanë përfunduar në prangat e policisë së Tiranës për vepra të ndryshme penale, ku shumica e të arrestuarve lidhen me dhunën në familje dhe raste të ngacmimit seksual.

Një ndër rastet që bie në sy është arrestimi i një të riu një fshatin Shupal të Tiranës, pasi akuzohet se ngacmoi seksualisht një vajzë të mitur.

24-vjeçari me inicialet O. N., punonte si bari në këtë fshat, ndërsa 15-vjeçarja ishte ngacmuar nga i riu teksa ajo kishte shkuar në kullotë për të marrë delet.

Po ashtu mësohet se kur 24-vjeçari është gjendur në kullotë i vetëm me vajzën, ka nisur ta ngacmojë me fjalë. Kaq mjaftoi që kjo e fundit t’ju tregojë prindërve dhe më pas ata të bënin kallëzimin në polici, duke e çuar autorin e ngjarjes pas hekurave.

Ndërkohë një tjetër rast dhune është shënuar në Babrru.

“Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. H., 44 vjeç, pasi në rrugën ‘Sadik Stavaleci’, Babrru, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj 3 vajzave të tij. Gjithashtu, ky shtetas ka shkelur vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila ka vendosur lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes për vajzat e tij”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë, nga Komisariati i Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. C., 44 vjeç, pasi në fshatin Pezë Helmës, në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, së cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Gjithashtu janë referuar materialet dhe punohet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim J. C., 26 vjeç, sepse në mënyrë të përsëritur ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të dashurës së tij, si dhe ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e tij.

“Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 24 vjeç, pasi në rrugën ‘Fran Bardhi’, gjatë kontrollit fizik iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit kokainë.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. B., 32 vjeç dhe S. B., 19 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet pa lejen përkatëse.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve të mitur me iniciale A. Th., 16 vjeç dhe M. K., 17 vjeç, pasi në Kamzë, në lagjen Nr. 5, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje në marketin e shtetasit S. K., ku kanë marrë një shumë parash dhe disa paketa cigaresh”, vijon më tej njoftimi i policisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë