Në më shumë se një orë konference për shtyp, ish-kryeministri Sali Berisha foli për shumëçka mbi zhvillimet në vend.
Berisha tha se “Rithemelimi” nuk ka ende një emër për President dhe shtoi se nëse do të ketë, kandidati do të dalë në bashkëpunim me partitë e tjera të opozitës.
“Nuk kam dijeni për ecurinë e negociatave se po merrem me garën time. Nuk kemi një emër, akoma. Por nëse do kemi do dalë në bashkëpunim me partitë e tjera opozitare”.
Ai përjashtoi mundësinë e kandidimit të Fatos Nanos kur u pyet nga media, nëse opozita do ta mbështeste si emër
“Unë mendoj që nuk ja vlen t’ja prishim privatësinë e tij (Nanos). Ai është i akomoduar në rehatinë e tij. Eshtë hedonist mes të tjerash. Më mirë ta lëmë….”, tha Berisha duke qeshur
Ai përjashtoi sërish Alibeajn si palë në negociata për Presidentin kur tha edhe njëherë se “loja e Ramës me kukullat e tij ka marrë fund”.
I pyetur po nga media, Berisha tha se ambasadorja amerikane Yuri Kim po bën fushatë elektorale kundër tij, në prag të garës për kryetar partie të PD.
Berisha iu përgjigj deklaratës së ambasadores amerikane, e cila tha se nga 200 vendime për shpallje non grata nga SHBA, asnjë nuk është tërhequr.
“I bëj thirrje Presidentit Biden që të mos lejojë përfaqësuesit e tij të ndërhyjnë në punët e brendshme të partive politike, veçanërisht përpjekjet e paimagjinueshme për caktimin e kryetarit të opozitës shqiptare, të partisë konservatore shqiptare”, tha ai.
Berisha foli edhe për gjashtë pika të tjera gjatë takimit me gazetarët.
Ai u fokusua tek dënimi i gjenocidit në Srebenicë që u rrëzua nga socialistët në Kuvend, duke bërë përgjegjës Ramën.

Berisha foli ashpër edhe ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç kur tha se ky i fundit po përgatitet për gjenocide të reja.
Berisha paralajmëroi edhe Ramën se ndaj tij do të ketë protesta.
Megjithatë, Berisha i bëri thirrje BE që Shqipërisë t’i hapen negociatat pavarësisht se sipas tij Rama nuk plotëson asnjë kusht.
Por për integrimin, “Rithemelimi” ka depozituar një mocion me debat për tu diskutuar ditën që është parashikuar seanca për Presidentin.
Mocioni, sipas Rithemelimit, vjen pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama të bëra në Bruksel për ndryshim të kursit të qëndrimit në rast se nuk do të ketë hapje të negociatave për Shqipërinë.


Berisha tha gjithashtu se Rama ka shkatërruar standardet e reformës në drejtësi.
“Ka një muaj që sulmon SPAK-un sepse e di që opozita e vërtetë do të jetë fundi i tij. Opozita e vërtetë do të firmosë fundin e tij. Ka shpifur në Departamentin e Shtetit, ka mashtruar dhe loguar në mënyrën më korruptive për dezinjimin tim ‘non grata’ në kohën kur puthet me Dodik-un në Bosnje. Tani u kërkon gjyqtarëve dhe prokurorëve të faktojnë shpifjet që ai ka bërë ndaj meje me raportet e tij falso”, tha ai.

Ish-kryeministri kërkoi nga anëtarët e bordeve që janë ngritur për çmimet në vend që të japin dorëheqjen.
“I bëj thirrje anëtarëve të bordeve të largohen nga bordet, t’i braktisin pasi po mbrojnë një qeveri që vetëm vjedh. Qëndrimi juaj në këto borde do t’ju skalisë në të zeza në memorien e vendit. Cfarë biznesmenësh jeni ju që pranoni në kundërshtim me të gjitha rregullat e tregut në interes të një qeverie dhe një njeriu që vjedh nga mëngjesi në darkë, t’u caktoni shqiptarëve çmimet? Kush jua dha këtë fuqi. Këto janë praktika staliniste anti-treg, antikushtetuese ndaj me praninë tuaj në borde mund të fitoni lehtësira dhe të merrni edhe zarfe, por turpëroni veten dhe bëheni përgjegjës përpara ligjit. Çmimet po rriten, bordet po përligjen. Qeveria është e papërgjegjshme. Ka vetëm një qëndrim kur rriten çmimet, indeksimi, indeksimi, indeksimi. Ligji është ligj. Edi Rama ju ka korruptuar, por përgjegjësia është shumë më e madhe dhe ju kërkoj në emër të PD, të largoheni nga bordet”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.