Politike

Raundi i parë pa kandidat, opozita ka kohë për emra deri më 23 maj, çfarë u arrit nga negociatat (dhe debati brenda PD)

I vetmi lajm i sigurt i prodhuar të premten nga takimet e mazhorancës me përfaqësues të opozitës për Presidentin është se në raundin e parë të votimit në datën 16 maj nuk do të ketë kandidat për kreun e Shtetit.

Taulant Balla nuk shkoi me emra, por i tregoi Fatmir Mediut dhe Shpëtim Idrizit se PS-ja është e disponueshme për një kandidat jo nga PS, por caktoi afate.

As opozita në anën tjetër nuk foli me emra konkret.

Por ajo  ka kohë, sipas Ballës, deri më 23 maj, (raundi i dytë) për presidentin.

Në bazë të Kushtetutës, raundi i dytë kërkon emër për votim, ndryshe nga votimi i parë.  

Ky ishte lëshimi që Taulant Balla bëri për opozitën, ndërsa për të pak rëndësi kanë kriteret.

Aty ku në fakt bazohet shumë Enkelejd Alibeaj i cili nuk e takoi Ballën por i çoi një dokument të servirur si qëndrim i grupit parlamentar i PD-së për Presidentin.

Dokumenti është drafti që Alibeaj propozoi pak kohë më parë, përmbajtja e të cilit, nuk ishte final po sipas tij.

Dokumenti në fakt nuk ka as firmat e 21 deputetëve që ai mblodhi për ta diskutuar.

Megjithatë, të premten Alibeaj e depozitoi përmes një kërkese  dërguar Ballës, Idrizit dhe Mediut si dokument final dhe zyrtar i PD.

Enkelejd Alibeaj dha një përgjigje evazive për çështjen në fjalë, madje e cilësoi të tejkaluar debatin nëse “Rithemelimi” ka të drejtë të futet në procesin për Presidentin.

Alibeaj konfirmoi se ai është kryetari i grupit dhe se gjithçka që vjen nga PD-ja është e mandatuar nga ai.

Ndryshe e mendon Mediu dhe Idrizi dy aleatët e PD-së.

Fatmir Mediu që ka negociuar edhe me të mandatuarit e “Rithemelimit” Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi ka kërkuar që opozita  të dalë me emra konkret dhe unik.

Në të kundërt qëndrimi i saj nuk ka vlerë.

Alibeaj tha në anën tjetër se me aleatët kishte rënë dakord që Presidenti të jetë anti-komunist por ndaheshin për pikën tjetër që ai ka propozuar se Presidenti nuk duhet të ketë qenë i angazhuar në politikë 5 vitet e fundit.

Megjithatë, Alibeaj u tregua i hapur edhe për këtë pikë.

Shpëtim Idrizi, në anën tjetër, la të hapur negocimin më të gjitha pjesët e opozitës, përfshi edhe “Rithemelimin”, duke saktësuar se Presidenti i ardhshëm nuk duhet të jetë i PS-së për shkak të disbalancave politike në vend.

Ai saktësoi gjithashtu se Presidenti i ardhshëm duhet të jetë një kandidat me peshë politike.

Në debatin brenda opozitës për të dalë me emra dhe nëse po, të kenë konsensusin e të gjitha palëve, PS-ja ka vendosur afate.

Ajo është e disponueshme të dëgjojë emrat e propozuar nga opozita  deri në datën 23 maj.

Më pas Balla la qartazi të kuptohet se procesi do të vijojë pa opozitën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës për të cilin vetë kryeministri Edi Rama ka lqënë të hapur se mund ta zgjedhin edhe vetë sa kohë që i jep hapësirë Kushtetuta.

Procedurat

Më 16 maj, ora 17:00 do të zhvillohet raundi i parë i votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, vendim i cili u mor në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.

Më 15 maj ora 16:00 është afati I fundit për të dorëzuar propozimet zyrtare të deputetëve, ndërsa më datën 16 maj ora 10:00, mblidhet Komisioni i Ligjeve për vlerësimin e kandidaturave.

Raundi i parë i votimit quhet i vlefshëm edhe kur gjatë votimit nuk paraqitet asnjë kandidat.

“Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit.

Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës.

Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj”, thuhet në pikën 2 të nenit 87 të Kushtetutës


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë