Politike

Nga kërkesa e PS për kalimin pa debat e deri tek përjashtimi i Bardhit, a po shkohet drejt një rezolute pa konsensus për Kosovën?

Seanca e fundit e të enjtes në Kuvendin e Shqipërisë prodhoi një situatë të re debati për Kosovën, kur vetëm 24 orë më herët njëra pjesë e opozitës (Bardhi dhe Berisha) kishin rënë dakord me PS-në për hartimin e një rezolute të përbashkët pas ngjarjeve që ndodhën në Veri me pasojë vdekjen e një polici.

Gazment Bardhi që drejton grupin parlamentar të PD-së kërkoi të enjten e kaluar që rezoluta e hartuar prej tyre të pranohej pa ndryshime nga PS e cila edhe ajo kishte hartuar një të tillë.

Bardhi i cilësoi të panevojshme negociatat. Sipas tij, mjaftonte që rezoluta e përbashkët të ishte e njëjtë me atë që kishte miratuar më herët Kuvendi i Kosovës.

Bardhi dhe deputetë të tjerë të PD (përjashto grupin Basha) nuk ishin dakord që në rezolutë të përfshihej hetimi nga Serbia për ngjarjen, sic e kërkonte PS-ja.  Seanca prodhoi zhurmë ndërsa vendimi u la për 12 tetor sic ishte rënë dakord paraprakisht  

Zhvillimet avancuan kur brenda 24 orësh pas seancës, sekretariati për Etikën i Kuvendit miratoi përjashtimin e tetë deputetëve të PD me argumentin se bllokuan një tjetër votim të enjten; atë për përbërjen e reformës zgjedhore.  

Të përjashtuarit nuk janë as më shumë e as më pak vecse firmëtarë të rezolutës së dorëzuar nga Gazment Bardhi.  Ky i fundit, bashkë me Gledion Nallbatin, Lefter Geshtjenjën, Elda Hotin, Asllan Dogjanin, Albana Vokshin, Luan Baci dhe  Zheni Gjergji janë përjashtuar për një afat 10 ditor nga të gjitha punimet e Kuvendit.

Pas këtij vendimi, Gazment Bardhi nuk mund të jetë pjesë e grupit të punës për rezolutën e përbashkët (nëse do ketë) dhe as fjalimbajtësi kryesor për këtë cështje të enjten që vjen.

Deputetja demokrate Dhurata Çupi thotë se pavarësisht përjashtimit, PD e ka bërë punën e saj kundrejt Kosovës.   

“Sado ta përjashtojnë Gazment Bardhin nga seanca e së enjtes, kur do të jetë debati për rezolutën e Kosovës, PS nuk fshin dot faktin se rezoluta e dorëzuar në Kuvend nga Kryetari i Grupit Parlamentar të PD njehsohet me atë të Kuvendit të Kosovës, ndërsa PS gjendet e turpëruar nga deklaratat e kryeministrit se Kosova e Veriut është kthyer në tokën e askujt. Ne do të mbrojmë fort interesin kombëtar. Ne nuk e dorëzojmë opozitën”, komenton Çupi.

Seanca e ardhshme e të enjtes pritet të prodhojë një kronikë të paralajmëruar politike ku deputetë mbështetës të Bardhit dhe ata të Berishës do të ngrihen në këmbë për debat.

Lulzim Basha ndërkohë do të parashtrojë tjetër kërkesë ( interpelancë për Kosovën) ndërsa mazhoranca do të ndihet e patrazuar për të kaluar rezolutën e saj pa debat sa kohë që këtë gjë e paralajmëroi më herët vetë Taulant Balla ku nga karrigia e ministrit i sugjeroi të enjten pasardhësit të tij në krye të grupit që rezoluta të kalonte pa diskutime sic kishte bërë më herët edhe vetë Kuvendi i Kosovës. Kryeministri Edi Rama gjithashtu nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në seancën e 12 tetorit edhe pse opozita e pret të jetë i pranishëm në seancë…


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë