Politike

Nga Berisha, SPAK për Ramën e Veliajn dhe akuzat e Ahmetajt/ Bardhi: Pse protestohet më 20 shkurt (detajet dalluese)

Nën sloganin “O sot, o kurrë”, kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka përcjellë përmes rrjeteve sociale arsyet se pse qytetarët duhet të protestojnë më 20 shkurt.

Për herë të parë grupi ‘Bardhi’ bie dakord të protestohet edhe për Sali Berishën por jo për shpalljen e tij ‘non grata’ (siç ka ndodhur herë tjetër nga PD e Rithemelimit) por për masën e vendosur ndaj tij nga SPAK “pa prova konkrete”.

Arsyeja për të protestuar për Berishën renditet e 11-ta, ndërsa do të vihet theksi tek një tjetër problematikë ajo që ata e cilësojnë si vjedhja e shekullit inceneratori i Tiranës.

Në fokus të protestës do të jenë Rama dhe Veliaj dhe fakti që sipas tyre SPAK nuk i ka përmendur në asnjë prej hetimeve. Që do të thotë se për herë të parë grupi ‘Bardhi’ bie dakord edhe për një qëndrim të dyzuar ndaj SPAK, kur e veçon (pa emër) si drejtësi e korruptuar

Do protestohet edhe për akuzat e Arben Ahmetajt ndaj Ramës edhe pse në fletushkën e shpërndarë, përmendet thjesht si zv-kryeministër pa emër.    

Për organizimin e protestës Gazment Bardhi dhe Flamur Noka nisin takimet në bazë ditën e nesërme nga Malësia e Madhe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë