Art dhe Kulture

Nga aktrimi tek arti pamor, 11 artistët Kult 2018

Reshat Arbana, Luiza Xhuvani, Namik Ajazi dhe Altin Basha ishin disa nga fituesit e çmimeve Kult për 2018-ën. Mbrëmja gala organizuar në sallën e eventeve të Katedrales Ortodokse “Ngjallja e Krishtit” mblodhi figura të njohura të artit dhe kulturës shqiptare, ndërsa si çdo vit Akademia Kult ka akorduar çmimet në njëmbëdhjetë kategori, ndërsa të përzgjedhurit kanë qenë plot 66 në fusha si aktrimi, regjia, muzika, letërsia, baleti apo arti pamor.
E ftuar speciale ishte artistja italiane Sylcia Pagni , e cila performoi dy pjesë të dashura për publikun, nga repertori i “Natë italiane”. Ky çmim, që u akordohet artistëve për arritjet dhe suksesin e tyre brenda dhe jashtë vendit. Prej vitit 2005, kur edhe u themelua, Çmimet Kult është shndërruar në një traditë dhe një pikë e rëndësishme referimi në vlerësimin dhe promovimin e prurjeve kulturore dhe artistike më të arrira të vitit. Nëpërmjet vlerësimeve për krijuesit dhe interpretuesit më të mirë në fushën e librit, muzikës, artit pamor, teatrit dhe filmit, Akademia Kult përfaqëson të vetmet çmime kulturore kombëtare vjetore dhe njëkohësisht më gjithëpërfshirëset. Mbi 120 emra të njohur të krijimit, interpretimit, studimit, medieve dhe profesoratit të arteve dhe letërsisë, përbëjnë jurinë e nderit të Akademisë Kult. Në trembëdhjetë vite, kanë qenë me qindra artistët e kandiduar dhe fituesit e statujës “Kult”.

Babai i çmimeve të Reshat  Arbanës
Në kategorinë aktori i vitit mes kandidatësh si Robert Ndrenika, Timo Flloko, Gazmend Gjoka, Igli Zarka, Lulzim Zeqja fitues u shpall Reshat Arbana për rolin e tij tek drama “Babai”. Kjo vepër e dramaturgut Florian Zeller, me regji të Spiro Dunit e ktheu aktorin në skenë pas nëntë vitesh mungesë. Në qendër të dramës është bota konfuze e një babai të moshuar, në një gjendje të rënduar demence, që ia bën realitetin të paqëndrueshëm. Personazhi kryesor. “U plas buza, por ata të shkretët nuk kanë ç’bëjnë, janë të sëmurë” do të thoshte Reshat Arbana për familjet që kanë në gjirin e tyre njerëz të prekur nga demenca. Më herët, Arbasha u vlerësua si aktori më i mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, që u zhvillua në fund të muajit shtator dhe ku morën pjesë trupa teatrore nga të gjitha trevat. Ajo që u vu re në këtë kategori ishte që dy aktorë, Gazmend Gjokadhe Lulzim Zeqja ishin të nominuar për interpretimin e tyre në komedinë e zezë “Rojat e Taxhit” ,e regji të Altin Bashës, shfaqje e cila erdhi premierë vitin e kaluar.

Altin Basha, regjisori më i mirë në dy vite radhazi
Në kategorinë “Regji Teatri” fitues, për të dytin vit radhazi u shpall Altin Basha, për punën e tij në “Rojat e Taxhit” , një vepër e shkruar nga Rajiv Joseph e cila ka në qendër marrëdhënien e Humaxhunit dhe Baburit, shokë të ngushtë dhe roje në ushtrinë perandorake të mbretit të Hindustanit, Shah Xhahanit. Ndërsa bëjnë roje ata qeshin e fantazojnë me historitë e tyre të fëmijërisë dhe arratisjet në xhungël. Ata kanë privilegjin e çuditshëm të jenë roje të Taxh Mahalit, dedikimi epik që mbreti Shah Xhahani i bëri gruas së tij të vdekur Mumtaz Mahal. Kjo ndodh një natë para se ky monument t’i shfaqet botës si personifikimi më i fuqishëm dhe mbresëlënës i bukurisë. Për këtë vepër, regjisori Basha, kur e solli premierë vitin e shkuar do të thoshte “Merret me një element thelbësor që rezonon shumë fort në shoqërinë shqiptare që është bindja e verbër ndaj liderit. Shkatërrimi i miqësisë në emër të pushtetit dhe ushtrimi i pushtetit në mënyrë autoritare”. Një vit më parë, Basha u vlerësua me çmimet Kult për regjinë e teatrit me shfaqjen “Made in Albania”, ndërsa në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit u shpall regjisori më i mirë për “Gomari i Baba Tasit” . Të tjerë emra të nominuar në këtë kategori ishin Artan Imami me dramën “Mashtrimi”, Driada Dervishi me komedinë “Shirli Valentina”, Helidon Fino me “5 Djelmoshat”, Jonida Beqo me “Euridita” dhe Spiro Duni me “Babai”.

Triumfi i Xhuvanit me Lukrecia Borxhian
Në rolin e një nëne në dëshpërim, që shumë e panë të interpretonte tragjedinë e saj, aktorja Luiza Xhuvani është zgjedhur nga votimet e jurisë Kult dhe publikut si aktorja e vitit.
Regjisori Eric Vigner e përzgjodhi Xhuvanin për shfaqjen e tij “Lukrecia Borxhia” të shkruar nga Viktor Hygo. “Çdo gjë luhet në tragjiken e brendshme të personazheve , në veçanti të Lukrecias, nënë incestuale, e cila do të donte të fshinte me dashurinë e saj krimet e klaneve tiranike dhe dekadente”, do të shkruante gazetari francez Frédérique Roussel pas shfaqjes në Tiranë. Tek Hygoi, regjisori do të gjente projektin që i përshtatej kulturës shqiptare – duke pasur gjithnjë parasysh fenomenin kanunor të gjakmarrjes. Në shfaqjen “Lukrecia Borxhia”, Luiza Xhuvani është heroina tragjike që shpërfaq dhimbjen e brendshme dhe brishtësinë. Pas arrestimit të të birit, Konstandinit, i dënuar me 35 vjet heqje lirie për akuzën e vrasjes së pesë personave, Xhuvani u tërhoq nga politika aktive, e zgjedhur si deputete e Partisë Socialiste, por u angazhua në teatër me shfaqje si “Medea”, “Hamlet” – ku ajo solli heroin shekspirian në versionin femëror – dhe “Lukrecia Borxhia” , të gjitha vepra tragjike. Për një tjetër rol, atë të Medeas, në tragjedinë e Euripidit, Xhuvani u vlerësua si aktorja më e mirë e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit. Emra të tjerë që kandidonin në këtë kategori ishin Yllka Mujo në rolin e Gabit tek “Tetë Femrat”, Ema Andrea, për rolin e znj.Strang në “Equues” , shfaqje me regji të boshnjakut Dino Mustafic e që korri sukses të madh në publik dhe kritikë vitin e kaluar. Për të njëjtën vepër, në rolin e infermieres ishte e përzgjedhur edhe aktorja Erjona Kakeli, ndërsa Ina Gjonçi ishte pretendente me rolin e Blanche Du Bois tek “Tramvaji dëshirë”. Nuk mungonte në këtë kategori edhe aktorja Olta Daku, për rolin e Shirli Valentinës, në komedinë me të njëjtin emër.


Amaneti i Namik Ajazit si film Kult
Në kategorinë e filmit Kult- e shtuar kohëve të fundit në këto çmime - fitues u shpall “Amaneti” i regjisorit Namik Ajazi, i vlerësuar edhe si film kujtese.
Ngjarjet në filmin “Amanet”, zhvillohen në kohën pas eliminimit të ish-kryeministrit të Shqipërisë, Mehmet Shehu. Ky eliminim do të merrte me vete edhe krerë të tjerë të lartë të Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit, që dhanë urdhër për “heqjen qafe” të tij. Një reaksion zinxhir, fundi i të cilit ishte i qartë për të gjithë. Për të treguar këtë proces eliminimesh, i cili në fakt kishte nisur që para çlirimit të vendit, Ajazi ndalet te historia e njërit prej tyre. E ka quajtur Mentor Hasa, por në të vërtetë është një shumësi personazhesh, copëra historish që të kujtojnë këtë apo atë drejtues të lartë të shtetit komunist. Gjen te portreti i Mentor Hasës, pak nga historia e Kadri Hazbiut, madje e tij është fotografia në të cilën paraqitet duke u dekoruar nga Enver Hoxha, vetëm pak kohë para arrestimit, por gjen edhe pak nga portreti i Feçorr Shehut, Beqir Ballukut… Tek historitë e familjeve të tyre gjen pak nga të gjitha familjet e ish-pushtetarëve që pas dënimit apo pushkatimit të tyre, u internuan, punuan nëpër miniera, disa edhe nuk u kthyen që andej.Ndërkohë regjisori Ajazi ndodhet në Romë për xhirimet e një tjetër filmi (“Portreti i pa mbaruar i Clara Bellinit”). Trofeun në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në vend të regjisorit e tërhoqi aktori Alfred Trebicka.Filma të tjerë pretendentë për këtë çmim ishin “Martesa” e regjisores nga Kosova Blerta Zeqiri, “Krom” i regjisorit Bujar Alimani, i cili sapo është vlerësuar me çmim nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Varshavë, për më të riun, “Delegacioni” , “Yjet e së ardhmes” me regji të Edmond Topit, “Dita zë fill” nga Gentian Koçi dhe “Engjëjt janë larg” të Gjergj Xhuvanit.


Flauti magjik i Jonela Golemit
Pas tre vitesh si kandidate në kategorinë “Instrumentisti i vitit”, flautistja Jonela Golemi u shpall fituese për interpretimin e saj në “Saint Saëns – Rondo Capriçioso për flaut dhe orkestër”
“E lumtur pafund për përzgjedhjen time si fituese e Çmimit Instrumentistja e Vitit. E lumtur pasi për të tretin vit radhazi nominohem si instrumentiste e vitit për Çmimin Kult. Kënaqësi dhe falënderim”, është shprehur Golemi pasi ka tërhequr trofeun gjatë mbrëmjes gala të 21 nëntorit, në sallën e eventeve të katedrales ortodokse. Të pranishëm në këtë kategori ishin violonçelisti Aristidh Prosi, violinisti Florian Vlashi, pianistja Merita Rexha Tërshana e kandiduar për performancën e saj “Aleksandër Peçi – Rapsodia Koncertante për Violinë, Piano dhe orkestër”, violinisti Klajdi Sahatçi i nominuar për të njëjtën vepër dhe violinisti Jonian Kadesha me koncertin për violinë e orkestër nga Bethoven.


Balerina e vitit, një mjellmë si Adela Muçollari
“Wow fitova!”, do të shkruante balerina në rrjetet sociale, e emocionuar pas marrjes së trofeut si balerina e vitit. “Dua të falënderoj pafund Akademinë Kult, jurisë dhe të gjithë artistët që kanë votuar punën dhe talentin tim, publikun për duartrokitjet qëmë dhuron saherë jam në skenë, por mbi të gjitha familjen dhe nënën time, pasi falë punës dhe sakrificave të saj, kam arritur këtu”. Adela Muçollari u vlerësua për rolet e saj si Odette dhe Odille në baletin “Liqeni i Mjelmave” të Çajkovskit. Në këtë kategori balerina garonte përballë të vëllait, Anxhelo Muçollarit, edhe ai balerin, i spikatur nga juria Kult për performancën e tij të fëmijës në “Exil- Déjà vu”. Në një intervistë tek emisioni “Pasdite” i Rudina Magjistarit, Adela do ta vlerësonte të vëllain si një supertalent me rrugë të gjatë në balet. “ Ne jemi kritikët më të mirë të njeri-tjetrit, unë e shikoj me syrin se çfarë duhet të ketë perfekt në skenë dhe kjo na ndihmon të rritemi të dy profesionalisht”, thoshte balerina, ndërsa të vëllait ambicia për të ndjekur këtë karrierë iu shtua kur shihte të motrën, e cila e kishte nisur më herët.
“Adela kishte shumë shfaqje jashtë shtetit dhe që i vogël doja të isha si ajo. Hap pas hapi fillova shkollën e baletit, ambicia dhe dëshira u rritën dhe jemi këtu ku jemi sot”, do të shprehej Anxhelo. Shpesh ata kërcejnë bashkë dhe kalojnë një pjesë të madhe të ditës, duke ndarë të njëjtat ambiente pune. Balerinë të tjerë kandidatë ishin Ervis Nallbani, i cili e fitoi këtë çmim vitin e kaluar, Elton Merja, Ledia Sulaj dhe Rovena Shqevi.

Eugent Bushpepa


Mall, nga Eurovizioni në Kult
Kënga “Mall”, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës “Eurovizion” në edicionin që u mbajt në Lisbonë të Portugalisë në maj të këtij viti, u shpall si Kënga e vitit, në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Kult. Këngëtari Eugent Bushpepa nuk ishte i pranishëm në sallë për të tërhequr trofeun, megjithatë ka shprehur në rrjetet sociale falënderimin për akordimin e këtij çmimi. “Faleminderit Akademia Kult! Faleminderit dhe përkrahësve të artit tim! Shumë ndjesë që nuk arrita të jem aty me ju sonte! Gjithsesi prekja fizike e këtij çmimi më beri ta ndjej atë përkëdheli shpirtërore dhe morale që më dhatë”. E shkruar, kompozuar, orkestruar dhe interpretuar nga vetë Bushpepa, “Mall” ishte fituesja e edicionit të 56-të të Festivalit të Këngës në Radio Televizion, vitin e kaluar.   

Ai i shkroi vargjet bazuar në pikëpamjet e tij të nostalgjisë. Konkurrentë për çmimin e këngës së viti ishin “E çmendur” , fituese e edicionit të kaluar të “Kënga Magjike:, interpretuar nga Anxhela Peristeri, Aurela Gaçe me “S’mundem”, Elhaida Dani me “E ngrirë”, Elton Deda me “Fjalët” dhe bashkëpunimi i Miriam Canit dhe Alban Skendërajt, titulluar “Dhurata”, një këngë kushtuar së bijës.

Një libër  për  Atin
Romani “Ati” i shkrimtarit Ardian Kyçyku, nga “Botimet POETEKA”, u vlerësua me çmimin “Libri i Vitit” . Ndonëse autori nuk ishte i pranishëm, trofeun e tërhoqi botuesja e tij, Silvana Leka. Ky libër i shkrimtarit që jeton dhe punon në Rumani, vjen si një himn kushtuar prindërve, flijimeve të tyre të pafundme dhe heshtjes së përkorë që i shoqëroi, përkushtimit që jo gjithmonë u shndërrua në mirënjohje dhe keqkuptimeve të shumta me shoqërinë dhe kohën në të cilën jetojmë. Fjalia që të godet që në krye është kjo: “Ati ishte aq i pamëkat, sa nganjëherë të vinte ta vrisje”. Duke u shprehur mbi këtë krijimtari, menjëherë pas botimit të veprës në nëntor 2017, autori ndalet të tregojë se kjo fjali e ndalonte të bënte ndryshime në roman gjatë 14 vjetëve, që kur libri filloi të ngjizet e të shkruhej në kujtesën e autorit. “Librin kam vazhduar ta shkruaj qysh nga shkurti i 2003-shit, por vetëm në kokë. Mbeti një libër që shkruhej pa duar, në kujtesën time dhe në mosnjohjen e lexuesit”, do të thoshte autori pas botimit. Të tjerë vepra dhe autorë shqiptarë në këtë kategori ishin Besnik Mustafaj me “Biri i Adamit”, Flutura Açka me “Të ftuar në rrethin e dhjetë”, Mira Meksi me “Flutura mes gjinjve”Sadik Bejko me “Këngë të Solomonit” dhe Zija Çela me “Ora e Zooparkut”.


“Rastet” fituese të Montales
Si vepra më e mirë e përkthyer në gjuhën shqipe gjatë vitit të kaluar u vlerësua “Rastet” e Nobelit të Letërsisë, Eugenio Montale, me shqipërimin nga gjuha italiane e përkthyeses Mimoza Hysa. “Befasi dhe kënaqësi që “Rastet” më dhanë çmimin e Përkthyesit të vitit: një punë e nisur më shumë se dhjetë vite më parë, kur vendosa të mbroj tezën për Montalen në Itali; një sfidë me veten dhe me shtresëzimet gjuhësore, kuptimore dhe stilistike të autorit”, ka t hënë përkthyesja.
Vëllimi “Rastet” është paraqitja stilistike e kundërshtisë së vazhdueshme, e ngërçit të përhershëm mes emocionit dhe arsyes, mes shpirtërores dhe pamjes së qashtër të reales: njëra dorëzanë për tjetrën, sepse rasti – domethënë çasti i përveçëm apo ngjarja magjike – rrëfehet me një koherencë të përpiktë realiste dhe ndërkallet në një sintaksë logjike-racionale. Në këtë kategori juria kishte nominuar vepra si “Orlandi i çmendun” të Ludovico Ariostos, me përkthim të Abesin Prezës, “Armëpushimi” nga mbijetuari i kampeve shfarosëse të nazizmit, Primo Levi, shqipëruar nga Aida Baro, Gjenerali në labirintin e tij” i shkrimtarit Gabriel Garcia Marquez, të sjellë në shqip nga Bashkim Shehu, ““Anna, soror…” nga Marguerite Yourcenarl”, përkthyer nga Brikena Çabej dhe “Sharlota” e shkrimtarit francez David Foenkinos me përkthimin e Edmond Tupes.


Anila Omari me veprën studimore më të mirë
Një tjetër çmim në fushën e letrave ka shkuar për librin studimor të vitit, që këtë vit ka vlerësuar si më të mirin “Leksiku i Veprës së Pjetër Bogdanit”, të studiueses Anila Omari, botim i Qendrës së Studimeve Albanologjike. Ky leksik vjen në vazhdim të botimit kritik, të përgatitur nga e njëjta autore, të veprës së Bogdanit Cuneus Prophetarum. Vepra të tjera studimore, kandidate për këtë çmim ishin Areali kulturor i Veriut në shek. XVI-XIX”, nga Bardhyl Demiraj, “ Studime mbi tekstet e vjetra shqipe” të Evalda Pacit, “101 profile biografike nga Kosova për Kosovën” të Marenglen Verlit dhe vepra e punuar nga Shaban Sinani “Hieronymi në botën arbëreshe”

Zëri i makinerive, instalacioni kult i Sadik Spahisë


 Në fushën e artit pamor, fitues u shpall skulptori  Sadik Spahija me  ‘Vox-machina’  ekspo-instalacion sonor me performancë nga trupa e baletit, që fokusohet në trashëgiminë materiale, konkretisht të rrënojave dhe mbetjeve industriale të fabrikave të mbyllura të para vitit 1990. Piktori Gazmend Leka me ekspozitën “Taso” ishte gjithashtu kandidat për këtë çmim, bashkë me Jorgji Gjikopullin për ekspozitën “Atje… ku kam qenë, atje…ku dua të jem”, Ardian Isufi me "Pushteti i luleve"  dhe piktorin Zef Shoshi me “Vepra 1956-2014”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë