Lajme

Nga sot fiken transmetimet analoge, PD e cilëson si antikushtetuese

Që nga sot nuk do të lejohen transmetimet analoge. Autoriteti i Mediave Audiovizive ka vendosur që të mos e shtyjë më afatin e vendosur, duke bërë që transmentimet analoge të fiken. Por banorët e qarkut të Tiranës, Durrësit që janë pjesa më e madhe popullsisë duhet të blejnë pajisjet e posaçme për të mundësuar transmentimet e kanaleve televizive, në sistem digjital. Mësohet se pranë AMA-s anëtarët e saj, përfaqësues të opozitës kanë kërkuar shtyrjen e këtij afati, por që nuk është pranuar. Tre anëtarët e propozuar nga opozita në këtë institucion Sami Nezaj (nënkryetar) dhe Suela Musta dhe Agron Gjekmarkaj propozuan shtyrjen e këtij vendimi. Për Gazeta Si, Nezaj bën të ditur se votimi u nda në 3 me 3, ku për shkak të ligjit vota e kryetarit të saj Gentjan Salaj cilësohet dy vota dhe është rrëzuar. Anëtari  Gledis Gjepali shprehet se arsyeja që ishin kundër kësaj ka bëjë me faktin se AMA kishte shtyrë tre herë afatin dhe nuk kishte kuptim ta shtynin për herë të katërt.

Nga e majta Agron Gjekmarkaj, Sami Neza dhe Gentina Sala anetare te AMA-s gjate nje aktiviteti

Por tre anëtarët propozues Neza, Gjekmarkaj dhe Musta në një deklaratë për median japin edhe arsyet se pse duhej shtyrë sërisht një afat i tillë. Në të theksohej se Strategjia e miratuar në pikën 2.12.2, në fq 42 ku flitet për subvencionimin e dekoderëve se duhet që qytetarët te pajisen në masën 100% me dekoderë: “Përfundimisht në planifikimin e nevojave për dekoder, duhet marrë parasysh pajisja me ta e 100% të familjeve”. Sipas anëtarëve nuk rezulton se janë pajisur të gjithë qytetarët me dekoderin e posaccëm.

AMA sipas tre anëtarëve ka kryer një sondazh me një kampion prej 1600 familje të kontaktuar nëpërmjet telefonit fiks në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë. Nga gjetjet e sondazhit rezulton se 16% e popullsisë nuk është e pajisur ende me dekoder DVB-T2. Duke konsideruar që telefonat fiks zakonisht përdoren më shumë në zonat urbane sesa në zonat rurale mendohet që kjo shifër të jetë disi më e lartë pasi zonat rurale janë më të ekspozuara ndaj mbylljes së transmetimeve analoge pasi, përveç faktorëve ekonomiko-social, aksesi në programet televizive është kryesisht nëpërmjet teknologjisë tokësore (procesverbal i mbledhjes sëAMA, 29 gusht 2019).

"Bazuar nga shifrat e familjeve të përshkruar në strategji i bie që rreth 70.430 familje në Tiranë, Durrës (nga gjithsej 347369 familje) dhe Vlorë (nga 92819 familje) nuk janë pajisur me dekoder.  Aktualisht qarku Tiranë ka 749,365 banorë, qarku Durrës: 262,785  banorë, qarku Vlorë 175,640  banorë, në total: 1,187,790 banorë.  Tre kompanitë më të mëdha në vend që tregtojnë dekoderë janë furnizuar me një sasi dekoderësh apo tv më dekoder të inkorporuar në masën 160 mijë copë por asnjëra nga këto kompani nuk ka raportuar se sa prej tyre janë shitur", thuhet në këtë deklaratë.

Për tre anëtarët vendimi për mbylljen e transmetimeve analoge televizive pa u siguruar kushtet e parashikuara në strategji është kryer shkelje kushtetuese që lidhet me të drejtën për informim të qytetarëve. Kushtetuta e Shqipërisë, parashikon në nenet 22 dhe 23 të saj ku përcaktohet se "Liria e shprehjes është e garantuar. 2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar. 3.Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet; dhe se  Neni 23:E drejta e informimit është e garantuar".

Për këtë dështim sipas anëtarëve, faji bie edhe te qeveria, pasi që nga shtatori 2017 nuk ka funksionuar ndërinstitucional u bëjnë pjesë përbërje 5 ministra ose 4 të tillë me përbërjen e sotme të qeverisë, ministrin e Financës, atë të Infrastrukturës, Drejtësisë, Kulturës si dhe kryetarin e AMA, të AKEP, Autoritetit të Konkurencës dhe drejtorin e RTSH.

Autoriteti më pas ka dhënë një deklaratë për median u ka theksuar arsyet se pse e mori një vendim të tillë. Sipas AMA-s, në mbledhjene  zhvilluar  u vendos mbyllja e transmetimeve analoge në qarqet Tiranë dhe Durrës, në 01 tetor 2019, si dhe shtyrjen e afatit të kalimit në transmetimet numerike për qarkun Vlorë, deri në një datë të dytë që do të përcaktohet në vijim nga AMA.

Përkundër se sa shprehen anëtarët e opozitës në këtë institucion, në njoftim zyrtar AMA thekson se nga të dhënat dhe informacionet e depozituara nga operatorë të ndryshëm tregtarë, ka rezultuar se në treg ka numër mëse të mjaftueshëm dekoderash, që plotësojnë nevojat dhe kërkesat e qytetarëve. Qeveria sipas këtij institucioni në kuadër të këtij procesi ka shpërndarë 88 mijë dekodera falas për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.

"Me kalimin në transmetimet numerike, shikuesit kanë mundësi të ndjekin 38 kanale pa pagesë të cilat mund të shikohen nga të gjithë dekoderat e tipit DVB-T2, më shumë se në çdo vend tjetër të Ballkanit. Mbulimi me sinjal numerik i territorit dhe cilësia e transmetimit përmes teknologjisë digjitale janë shumë herë më të larta krahasuar me teknologjinë analoge. AMA, pavarësisht se pjesa më e madhe e qytetarëve tashmë janë të pajisur me dekodera, fton qytetarët që nuk janë pajisur ende me këtë pajisje, të marrin masa për të mundësuar aksesin në transmetimet televizive numerike", thuhet në njoftim për shtyp.

Ish-deputetja Albana Vokshi, Gazeta Si, 30 shtator 2019

Për këtë vendim të AMA-s, ka reaguar edhe ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi, duke e cilësuar si një shkelje të Kushtetutës. " Nga ky vendim antikushtetues i AMA-s preket e drejta kushtetuese e mbi 300 mijë shqiptarë të varfër (vetëm në Tiranë, Durrës e Vlorë), të cilët nuk kanë asnjë mundësi të blejnë një dekoder. Vendimi mbyll 36 televizione lokale private, të cilët për shkak se nuk mund përballojnë kostot e larta financiare per të kaluar transmetimet e tyre në valët dixhitale të Radio Televizionit Shqiptar janë të detyruara të mbyllen", deklaron Vokshi.

Partia Demokratike përsërit kërkesën qeverisë të bëjë transparencë urgjente për: Cila është ecuria e tenderave për blerjen e dekoderave për familjet në nevojë?  Ku kanë shkuar 2.5 milionë euro për 2 tendera që duhet të pajisnin 80 mijë famijë me dekodera? Cilat jane familjet që janë pajisur me dekodera?  Pse Grupi  ndërinstitucional për implementimin e strategjisë dhe ndjekjen e gjithë procesit deri në kalimin e plotë në trasmetimet numerike l nuk funksionon prej më shumë se dy vjetësh?

AMA ka shtyrë tre herë afatin e fikjes së transmentime analoge, fillimisht u shty vjet në qershor, më pas në shtator të këtij viti, si dhe më pas u shty në muajin tetor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë