I prezantuar më 12 shkurt 1947, në mes të një dimri jashtëzakonisht të ftohtë, koleksioni i parë i Christian Dior-it “ New Look” , pati një sukses të pashembullt, si në nivel simbolik ku përfaqësonte rilindjen e modës franceze pas pushtimit gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore, si në nivel tregtar.
“New Look” shënoi një pikë kthese në historinë e modës dhe përcaktoi drejtimin e stilit pas luftës, megjithëse modeli ishte më shumë nostalgjik sesa inovativ. Siç shkroi Edna Woolman Chase, redaktorja e “Vogue” në atë kohë, në kujtimet e saj, veshjet e Dior-it “u jepnin grave ndjesinë e të qenit të veshura si në një kostum; po në një frymë mjaft romantike. ” Pas viteve të ashpra të luftës, ato përfaqësonin gjithashtu një rikthim te feminiliteti dhe estetika”
New Look – Një Siluetë
Në dhjetor të vitit 1946 më pak se dy vjet pas çlirimit të Parisit, Christian Dior themeloi shtëpinë e tij të modës me mbështetjen e manjatit të tekstileve Marcel Boussac dhe gjeti sukses të menjëhershëm me siluetën e tij “New Look”.

Ky stil zëvëndësonte linjat e drejta me ato të harkuara, duke zëvendësuar supet e gjera dhe fundet e shkurtra të diktuara nga kufizimet e kohës së luftës me forma të harlisura që kërkonin metra të tërë stofi.
Në autobiografinë e tij, Dior shkroi:
“Si pasojë e luftës dhe uniformave, gratë ende dukeshin dhe visheshin si Amazonat. Por unë krijova rroba për gra të ngjashme me lule, me supe të rrumbullakosura, gjoks të plotë femëror dhe bel të hollë mbi funde të mëdha dhe të gjera.”
Nga ana simbolike, “New Look” përfaqësonte një rikthim te idetë tradicionale dhe dekorative të feminilitetit. Duke reflektuar mbi reagimin ndaj koleksionit të tij të parë, Dior shkroi:
“Besoj se kjo ndodhi sepse solla përsëri artin e harruar të të kënaqurit.”
Sfilata e Dior-it ringjalli modën franceze
Sipas redaktores së modës të Vogue në atë kohë, Bettina Ballard, koleksioni “New Look” ndryshoi jo vetëm siluetën, por edhe mënyrën e prezantimit të veshjeve. Në librin e saj “In My Fashion”, ajo përshkruan përvojën e parë të Dior-it në pasarelë:
“Parisi e merr modën shumë seriozisht . Të gjithë shpresonin që Christian Dior të sillte freski dhe energji në këtë panoramë. Teksa ulesha në karrigen time të artë në sallonin ngjyrë gri të butë, dhe vështroja nga pasqyra e oxhakut e zbukuruar me një kurorë barok madhështore me lule të vërteta të dizajnuara nga Dior, ndjeva një tension elektrik që nuk e kisha përjetuar kurrë më parë në modën e lartë.

Ata që nuk ishin ulur ende tundnin kartat e tyre në panik, të frikësuar se mos humbnin diçka të rëndësishme.
Papritmas, konfuzioni pushoi, të gjithë zunë vendet dhe një heshtje mbizotëroi. Vajza e parë doli, duke ecur me hapa të shpejtë, me një lëvizje provokuese dhe tunduese, duke u rrotulluar në dhomën e mbushur plot, duke rrëzuar mbajtëset e cigareve me hapjen dramatike të fundeve të saj të palosura, dhe duke i mbajtur të gjithë në buzë të karrigeve të tyre nga dëshira për të mos humbur as edhe një detaj të këtij momenti historik.
Pas disa veshjeve të tjera të paraqitura me të njëjtin ritëm emocionues, audienca e kuptoi që Dior kishte krijuar një pamje të re, dhe se z. Boussac kishte vënë bastin më të sigurt në historinë e modës. Na u prezantua një shfaqje e përkryer, e një lloji që nuk ishte parë kurrë më parë në një shtëpi mode. Ishim dëshmitarë të një revolucioni në modë dhe të një revolucioni në mënyrën e shfaqjes së saj.”
“La Ligne Corolle” dhe origjina e emrit “New Look”
Linja që u bë e njohur si “New Look” fillimisht quhej “La ligne corolle”, një term që besohet se u zëvendësua falë Carmel Snow, ish-redaktore e Vogue dhe në atë kohë kryeredaktore e Harper’s Bazaar. Në biografinë e Snoë, “A Dash of Daring”, autorja Penelope Roëlands rikrijon momentin historik:
“Zoti ndihmoftë blerësit që bënë porosi para se të shihnin Dior-in!” tha Carmel, duke iu referuar faktit se shumë blerës amerikanë kishin lënë Parisin për t’u kthyer në shtëpi para se koleksioni të prezantohej.
“Është vërtet një revolucion, i dashur Christian. Fustanet e tua kanë një pamje krejt të re.” I tha ajo më vonë Dior-it.

Ky emërtim u përhap menjëherë, një “viralitet” që e konfirmon edhe Bettina Ballard. Në kujtimet e saj, ajo shkruan një anekdotë interesante:
“Pas prezantimit, disa prej nesh qëndruan dhe i provuan këto veshje të jashtëzakonshme. Teksa provonim fundet ne ndjenin se ishim të dehur nga emocionet. Të gjithë këmbëngulën që të porosisja menjëherë fustanin e quajtur ‘1947’, i cili, kur u ktheva në Neë York, më dha një moment të shkurtër fame. Madje edhe shoferët e taksive e vunë re këtë fakt.
Jo të gjithë e pëlqyen “New Look”
Në Teksas, në gusht të vitit 1947, një zonjë e irrituar, Mrs. William J. Woodëard, formoi klubin “Little-Above-the-Knee” për të protestuar kundër fundeve të gjera dhe të gjata të Dior-it. Kundërshtimet e saj i lidheshin me prakticitetin, joshjen, estetikën dhe ekonominë e veshjeve të tjera të “vjetëruara” tashmë me qëllim nga moda e re e “New Look”
Ndërkohë, racionimi i stofit ishte ende në fuqi në Francë dhe Britani deri në vitin 1949, çka do të thoshte se “New Look” pati kryesisht sukses si një produkt i eksportuar. Përdorimi i 25 deri në 40 jardë stofi për një fund shihej si një shpërdorim i tepruar, duke pasur parasysh nevojën e vazhdueshme për materiale pas luftës.

“New Look” nuk ishte vetëm modë
Koha është gjithmonë e rëndësishme, por rrallëherë aq sa në rastin e “New Look”, i cili erdhi menjëherë pas pushtimit të tmerrshëm dhe të paimagjinueshëm të Parisit, kryeqytetit të modës.
Christian Dior shkroi:
“Ndodhi që prirjet e mia përkonin me tendencën e kohës dhe për këtë arsye fituan një rëndësi të shtuar.”
Falë përpjekjeve të Lucien Lelong, ish-punëdhënësi i Dior-it (i cili ishte i pranishëm në debutimin e tij), gjermanët hoqën dorë nga planet për të zhvendosur “couture-in” jashtë Francës.
Debutimi i Dior-it ishte një lajm i madh në vetvete, por suksesi i tij u bë një simbol i rilindjes dhe rëndësisë së modës franceze. Në shkurt të vitit 1947, kur Christian Dior prezantoi për herë të parë atë që tani është bërë koleksioni historik “New Look” me planin e tij të hapur dhe tëguximshëm për ta bërë femrën sërish ekstravagante, romantike dhe joshëse, ai padashur krijoi një botë të re për gratë e pasluftës.
Burimi: Vogue, Përshtati: Gazeta “SI”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.