Shendet

Nënvarianti i ri i Omicron BA5 ‘pushton’ Europën, Alimehmeti: Tek ne s’kryhen analiza për identifikimin e nëntipeve të virusit

Gazeta Si- Omicron, varianti më i fundit i Covid-19 që po qarkullon prej 2 vitesh në botë, vijon të pësojë mutacione duke nxjerrë lloje të reja në qarkullim.

Pas nënvariantit BA2 që qarkulloi në dimër e deri më tani kanë qarkulluar disa variante të reja ku më i fundit është BA5.

Doktor Ilir Alimehmeti në një prononcim për Gazetasi.al tha se në Europë aktualisht 37 për qind e rasteve me Covid-19 janë BA5, 10 për qind janë BA4 dhe 47 për qind e rasteve janë Omicron BA2.

LEXO EDHE:
- BA.4 dhe BA.5 Omicron: Sa duhet të shqetësohemi?
- Shfaqen BA.4 dhe BA.5, dy nënvariante të reja të Omicron

"Por nënvarianti BA5 po bëhet dominant dhe këtë e vërtetojnë rritjet e rasteve sikurse dhe në vendin tonë. Por problemi qëndron në faktin që në Shqipëri nuk kryhen analiza për identifikimin e nëntipeve të virusit Covid-19", thotë Alimehmeti.

Sipas mjekut, Afrika e Jugut dhe Portugalia e kanë kaluar pikun dhe nuk u shënuan raste të rënda si me variantet e tjera. Alimehmeti thotë se ky pik infektimesh po i afrohet  Anglisë, Italisë, Francës dhe Gjermanisë.

"Ne kemi filluar rreth dy javë më parë me valën e re të infektimeve që mendohet të qëndrojë dhe për dy muajt e verës si pasojë e shtimit të numrit të turistëve që pushojnë në Shqipëri apo dhe si pasojë e udhëtimeve jashtë vendit", thotë doktor Alimehmeti.

Gjatë 24 orëve të fundit, në vend janë konfirmuar pozitivë me Covid-19, 284 qytetarë, ndërsa asnjë person nuk ka humbur jetën nga virusi.

Rastet pozitive me Covid-19 kanë dalë nga 827 testime që janë kryer, nga ku janë konfirmuar edhe 88 të shëruar.

Që prej fillimit të pandemisë në vend janë konfirmuar gjithsej 273.740 raste shërimi nga Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë