Ekspozite

“Nëntori” në tablo – motive vjeshte dhe homazh Skënderbeut

Nota impresioniste, ngjyra të gjalla, peizazhe dhe koncepte janë mbresat e dyzetepesë tablove që kanë pushtuar muret e Galerisë “Fab” në ekspozitën e përvitshme “Nëntori” , që sëbashku me njëzetepesë artistët pjesëmarrës, mbërriti në të njëzetenjëtin vit.

Hasan Çapari

Motivet e vjeshtës dhe figura e Skënderbeut ishin tematikat qendrore të kësaj ekspozite, ku spikatnin peizazhet malore, me kombinime të gjalla ngjyrash dhe forma kubiste të piktorit Ksenofon Dilo. Natyra vjen edhe në  butësinë e liqenit të Pogradecit të Kujtim Buzës, me gjendjen e tij mbi dhe  evokimi i  impresionistëve me teknikën e pontilizmit të Hasan Çaparit. 

Robert Guci paraqitet me një triptik të natyrës së qetë. Ngjyrat dhe peizazhi ia lë më pas skenën heroit Gjergj Kastrioti  me  gjëmën e burrave të veriut mbi prijësin në shtratin e vdekjes, ku zinë e thyen e kuqja e ndezur e flamurit, me të cilin piktori Zef Shoshi, ka zgjedhur ta mbulojë heroin, në nder të 550 –vjetorit të cilit ky vit është pagëzuar si Viti i Skënderbeut.

Stefan Taçi

Ndërsa Stefos, piktori Stefan Taçi e ka sjellë idenë e patriotizmit apo krenarisë për heroin kombëtar në nota ironie, të kohëve moderne; një tatuazh në krahun e një burri të ri, i ulur në breg të detit, i zhveshur, sëbashku me një vajzë të re, e veshur vetëm me dy tatuazhet e saj në formë lulesh, në krah dhe kofshë. “Vlerë e shtuar” është një tjetër punim i Stefos, me figurën e Skënderbeut në një bono thesari, me vlerën 40 mijë.

Figura e ngadhënjyer e Skënderbeut vjen në pikturën e Llazarit Taçit, ku mbizotëron e bardha e kalit dhe grija e sfumuar e parzmores së heroit, që shkrihet dhe njëtrajtësohet me sfondin prej resh dhe malesh.

Llazar Taçi
Zef Shoshi

Nuk mungon as tema e nudos, të cilën e sjell në një prej dy pikturave të ekspozuara me firmën e tij, piktori Buron Kaceli, ndërsa piktorja e re Meri File, sjell nudon e një çifti, të ngërthyer mbi njëri-tjetrin.

Figura njerëzore shpaloset edhe në pikturën e Nikolin Ivanaj, që i prezantohet publikut artdashës me portretin e mikut të tij, shkrimtarit Luan Rama dhe me ciganen e menduar, titulluar “Lola”, që për piktorin vajza e re është në çaste ëndërrimi.

"Lola" Nikolin Ivanaj


Për organizatorin, Besim Tula, që në këtë “Nëntor” vjen me dy punime, “Ikona e ngecjes” dhe “Ngushtë”, ajo që i lidh bashkë artistët në këtë ekspozitë është tendenca e tyre e vetëdijshme ndaj realitetit, edhe pse sipas tij nuk ka qenë kjo tema e ekspozitës. Shqetësimet për realitetin shfaqen në pikturën e Aleksandër Filipit sesi në epokën virtuale jo vetëm komunikimi ka humbur, por edhe kuptimi i marrëdhënieve ndër njerëzore.

Orlis Vathi, gjithashtu sjell një punim të titulluar “Komunikim” , një gjendje e ngatërruar duarsh që përpiqen të flasin. Zymtësia shfaqet në tablonë me përmasa të mëdha të Gazmend Lekës, i cili vetëm para pak kohe, çeli ekspozitën vetja “Lutja” në këtë galeri dhe kjo gjendje përçohet edhe në pikturat e së resë Dea Tili, ku një prej tyre titullohet “Ankth”.

Sipas organizatorit Tula, kjo ekspozitë- e cila nuk ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës - njëzet e një vjet parë, lindi pikërisht si opozitë ndaj fenomeneve sociale, por deri në datën 15 të nëntorit, ata që duan të marrin një shije të tre gjeneratave të piktorëve shqiptarë, mund të bëjnë një ndalesë në galerinë “Fab” , për të kundruar “Nëntorin” e njëzetepesë artistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë