Lexo me "Si"

Nënë Tereza, humanistja e përbotshme…

Nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe - Sa herë përkujton Nënë Terezën, skedon, kërkon burime të tjera, në kujtesë të vetëtijnë kujtime të dëgjuara apo të lexuara të dhimbjes njerëzore, qoftë dhe përtej realitetit, mbushesh me motivin për të shkruar diçka për nyjen më të rëndësishme të njerëzimit, për dhimbjen, sepse të ndodh një dilemë e çuditshme. Kush e motivoi dhe ç’e ushqeu fuqinë e një gruaje të brishtë shqiptare, për t’u përfshirë, për t’u zhytur, për të marrë në jetën njerëzore të globit një “protagonizëm” të tillë, për t’i shërbyer dhe për të lehtësuar dhimbjen njerëzore, në cakun ekstrem ku vdekja shfaqej dhe shfaqet me “vullnetin” e saj më të ashpër? Kjo dilemë të imponon për të kërkuar një histori të tillë bashkëshoqëruese si ajo e Nënë Terezës, që sado e kërkon nuk e gjen. Pastaj ka edhe një “dyshim” të çuditshëm në raportin e njeriut me ekzistencën, në raportin dhe mundësinë e komunikimit të një njeriu tokësor me perëndinë apo djalin e perëndisë Krishtin, sepse përmasa e kësaj nëne të botës e ka zhbërë teorinë e përmasës që ka metafora, ajo është një realitet.

Monografi i shquar i Nënë Terezës, publicisti dhe gazetari Renzo Allegri është përpjekur të depërtojë brenda botës dhe ndjeshmërisë së natyrshme të saj në disa gjendje jetësore dhe veprimtare të saj; dhe kur ajo ishte në ditët optimale, dhe kur ishte në udhëtimet e largëta, në mjediset dhe meshat kishtare, ku adhurohet dhe bisedohet me perënditë, dhe kur ishte pushim, dhe kur ishte në shtëpinë e shenjtë të Vatikanit, me njerëzit e thjeshtë të rrugës, dhe mes motrave të misionit të saj. Në të gjithë këtë marrëdhënie të saj, që përgjatëroi gjithë jetën, duket se një ‘sentencë’ e “Misionareve të Karitasit” na njofton një dimension interesant, sublim dhe që Nënë Tereza e mbarti gjithë jetën e saj, kur thuhet: “Ne Misionaret e Karitasit duhet të vuajmë së bashku me Krishtin”, metafora e të cilit ka në themelin e vet shërbimin që biri i perëndisë i bëri njerëzimit sakrificën për të tjerët. Siç edhe kuptohet, “sakrifica e Krishtit” ka qenë dhe ka mbetur një motiv i brendshëm mbijetues që e ka kurajuar Nënë Terezën dhe misionaret që kontribuuan bashkë me të në veprimtarinë e saj në disa dekada.

Në personin e Nënë Terezës, ka diçka fatlumnisht të përafërt me daljen në dritë të Krishtit, si një njeri i njerëzimit dhe i perëndisë, një urë lidhëse mes tyre në mënyrë të përjetshme. Ka një diçka jetike dhe njerëzore, diçka tokësore si kumt i njerëzve të thjeshtë, të cilët perëndia i ka prerë për të qenë zëdhënësit/et e saj në tokë. Rrugëtimi jetësor i Nënë Terezës e tregon mjaft mirë këtë. Perëndia dhe Krishti kanë qenë një vegim i hershëm në shpirtin dhe zemrën e madhe të Nënë Terezës, por rruga e saj për ta bërë shërbesën e saj te njerëzit ka qenë e gjatë dhe e vështirë. I tillë ka qenë dhe formimi i saj, i përditshëm, i rast pas rasti, për shkakun e tendencës dhe veprimtarisë së saj për të ndihmuar njerëzit në të katër anët e globit, pa asnjë kufizim, vetëm me një formulë hyjnore, se të gjithë njerëzit, dhe ata që janë të veçuar nga shoqëria (lebrozët), dhe ata që janë në grahmat e fundit të jetës, janë të dashurit e Zotit. Kjo përbën një shkollë të përditshme, në të cilën ka mësuar Nënë Tereza dhe misionaret e tjera që e ndoqën nga pas. Dhe ashtu siç e njohu njerëzimi Nënë Terezën, qe kjo lidhje e fortë e saj me këto shtresa të dhimbshme të shoqërisë njerëzore, për ta parë atë si nënë të njerëzimit.

  • Këtë 26 gusht shënohet 111-vjetori i lindjes së humanistes botërore, Nënë Tereza

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë