Kalimi në Francë ndoshta nuk ishte menduar aq mirë nga Nejmar, i cili disa herë gjatë periudhës së fundit është përfolur për rikthimin në Spanjë. Emri i tij është përmendur shpesh në merkaton e Realit të Madridit, pasi presidenti Florentino Perez e ka konsideruar si goditjen e madhe pas largimit të Kristiano Ronaldos. Madje është shkruar edhe për një skenar mes Realit dhe Nejmarit që në kohën e transferimit të tij te PSG-ja, për të kaluar më pas te madrilenët. Por vetë braziliani duket se ka në mendje Barcelonën dhe është penduar për largimin nga katalanasit.
Një vit më parë PSG-ja pagoi 222 milionë euro për Nejmarin, pasi e kishte atë në qendër të projektit për të ardhmen. Por sulmuesi brazilian është mërzitur shpejt në Paris dhe dëshiron rikthimin te katalanasit. Lajmin e bën të ditur “Mundo Deportivo”, e përditshmja spanjolle e njohur për lidhjen e afërt me Barcelonën. Nejmar kërkon me çdo mënyrë të kthehet te kjo skuadër, ku ka lidhje të forta me shokët, veçanërisht me Lionel Mesin, pavarësisht se shpesh ka pasur zëra se ishte pikërisht hija e argjentinasit që e shtyu brazilianin të largohej.

Muajt e fundit drejtuesit e Barcelonës i kanë parë sinjalet e Nejmarit shumë ftohtë. Largimi i tij nga “Camp Nou” është ende një “plagë” e hapur për ta. Megjithatë, tani duket se ka nisur të fryjë një erë tjetër dhe drejtuesit e klubit po e vlerësojnë mundësinë e rikthimit të brazilianit, por me kushte që favorizojnë Barcelonën. Një opsion i komplikuar, por jo i pamundur.
Në 2017-ën braziliani pranoi ofertën stratosferike (36.8 milioni euro) të sheikut Al-Khelaifi, i cili i premtoi se skuadra do të ishte në shërbim të tij për të fituar Champions League dhe çmime të tjera individuale, sepse duke qenë nën hijen e Mesit, Nejmar nuk mund ta fitonte kurrë “Topin e artë”. Por gjërat nuk shkuan si “O’Ney” shpresonte. PSG-ja u eliminua nga Championsi në fazën e 1/8-ave, për të mos folur pastaj për shpërthimin e Kilian Mbape, 19-vjeçarit të shpallur kampion bote dhe një idhull tashmë në Francë. Arsye që po e shtyjnë brazilianin për një arratisje të dytë, këtë herë drejt shtëpisë…
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.