Komisioneri i Zgjerimit në BE, Oliver Varhelyi mbërrin këtë të enjte në Tiranë në një vizitë zyrtare në kuadër të turit të vizitave në Ballkanin Perëndimor, ku në përfundim të vizitës do të ketë një konferencë për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.
Ndalesa në Tiranë e Varhelyit pasona vizitat e tij në Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut, në një kohë kur Sofja ka dhënë sinjale se nuk do të tërhiqet nga vetoja e vendosur ndaj Shkupit nëse ky i fundit nuk njeh në nivelin e Kushtetutës minoritetin bullgar në vend.
“Për të nisur procesin e bisedimeve të anëtarësimit, kushti për Maqedoninë e Veriut për të regjistruar bullgarët në Kushtetutë mbetet në fuqi”, ka deklaruar ministrja e Jashtme bullgare, Teodora Genchovska para një konference ku merr pjesë edhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi.
Bllokada e mundshme bullgare edhe në samitin e qershorit do të thotë automatikisht mungesën e një date për negociata anëtarësimi edhe për Shqipërinë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se nëse as në qershor BE nuk do të caktojë një datë, atëherë do të kërkojë shkëputjen nga Maqedonia e Veriut.
Ndarja ose jo e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut ishte pjesë e 12 pyetjeve që Rama vendosi në atë që e quan procesi i konsultimit kombëtar. Kur njoftoi përgjigjet e dhëna nga qytetarët, ai tha se shumica e shqiptarëve kërkonin ndarjen.
Por, vetë ndarja nuk është më shumë në dorë të Shqipërisë se sa të Brukselit. Avancimi paketë mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit ka qenë një kërkesë që në 2016-n e Holandës e mbështetur më vonë edhe nga Franca, Gjermania dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje