Politike

Negociatat, Tsipras paralajmëron të ndajë Shkupin nga Tirana

“Greqia mund të bllokojë perspektivën europianë të Shqipërisë”. Ky ka qenë paralajmërimi i kryeministrit grek Aleksis Tsipras në një intervistë të gjatë me gazetën britanike “Financial Times”, ku i kërkoi qeverisë shqiptare të mbrojë të drejtat e minoritetit grek në vendin tonë ose ndryshe rrezikon anëtarësimin në BE.

Tsipras ka folur rreth marrëdhënieve me vendet fqinje dhe veçanërisht me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se i ka shpjeguar këtij të fundit rëndësinë e të drejtave dhe lirive të minoritarëve grekë. “Nëse Shqipëria i përmbush detyrimet e të drejtave të njeriut, Greqia dhe unë personalisht, do të mbështesim vendimin e duhur në qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut që të hapin procesin e anëtarësimit të tyre në BE së bashku”, shprehet Tsipras. “Por ne nuk do të rrezikojmë procesin e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ajo ka bërë përparim. Do të ishte e padrejtë”, thekson kryeministri grek.

Tsipras theksoi se Athina nuk dëshiron të fitojë reputacion duke u dhënë leksione të tjerëve, ose duke vënë veton ose kushte tepër të ngurta për vendet që aspirojnë në BE. “Popujt e Ballkanit kanë nevojë për nxitje për reforma” ka theksuar ai.

Megjithëse politika e jashtme zyrtare e Athinës ka qenë pro zgjerimit, Greqia ka rezultuar të jetë një pengesë e madhe për vendet fqinje, ku pas Maqedonisë së Veriut, duket se ka piketuar tanimë Shqipërinë, për shkak të akuzave për konfiskimin e pronave të minoritetit grek në Himarë.

Alexis Tsipras

Vetë Tsipras është ndalur në intervistën me gazetën britanike tek zgjidhja e problemeve në marrëdhëniet greko-shqiptare, e cila sipas tij do të jetë hapi i ardhshëm i qeverisë së tij. Megjithatë, duke folur disa muaj më parë pas një takimi me kryeministrin Zoram Zaev, kryeministri grek është shprehur se negociatat me Shqipërinë pritet të jenë edhe më të vështira.
“Negociatat me Shqipërinë janë më të vështira se ato për emrin me Maqedoninë, për shkak të kufirit detar dhe të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri”, deklaroi ai.

Duke folur për “Financial Times”, kryeministri Tsipras gjithashtu mbrojti marrëveshjen e Greqisë me Maqedoninë e Veriut, duke iu referuar një bisede që ai kishte pasur me kancelaren gjermane Angela Merkel lidhur me këtë çështje.

"I thashë kancelares se Greqia do të përfitojë vetëm nëse ne mund të zgjidhim mosmarrëveshjet me fqinjët tanë veriorë. Greqia ka mjaftueshëm probleme me fqinjët tanë në lindje dhe nuk kemi nevojë për të tjera konflikte, veçanërisht me vende që unë besoj se po kërcënojnë Greqinë ", u shpreh kryeministri.

Pronat në Himarë

Greqia ka paralajmëruar prej javësh tanimë se rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian mund të bllokohet. Më 30 mars, kryeministri Tsipras ka deklaruar nga Burureshti se diçka negative po ndodhte me minoritetin grek në Shqipëri që mund të bllokonte hyrjen e vendit tonë në BE.

Pasi vlerësoi arritjet e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se është në rrugë të mbarë drejt integrimit evropian, Tsipras u ndal te Shqipëria.

Kryeministrat Edi Rama dhe Alexis Tsipras

“Do të isha i lumtur të thosha të njëjtën gjë edhe për Shqipërinë. Kohët e fundit po shikojmë zhvillime që nuk na pëlqejnë. Sot mësova që ka pasur një zhvillim negativ në lidhje me minoritetin grek. Nëse është e vërtetë, do të jetë një zhvillim shumë negativ. Një çështje që fatkeqësisht neve nuk na jep optimizëm drejt perspektivës europiane. Nëse informacioni që kemi është i vlefshëm, nuk ekzistojnë parakushte për të ecur në këtë drejtim. Shpresoj të jem i gabuar. Sepse dëshira e të gjithëve është që hapat e vendeve të Ballkanit drejt perspektivës europiane të bëhen realitet. Por, ne çdo shtet e shikojmë veç e veç”, tha ai.

Më vonë do të mësohej se Tsipras i referohej regjistrimit të pronave bujqësore në zonën e Himarës dhe të kalimit të këtyre pasurive në administrimit shtetëror me qëllimin për zhvillimin e turizmit, duke vënë në alarm edhe palën shqiptare.

Pak pas deklaratave të tij, qeveria “Rama” është tërhequr nga procesi i pezullimit të dhënies së titujve të pronësisë për zonat e Vlorës, Himarës dhe Sarandës. Në mbledhjen e qeverisë më pesë prill është vendosur që të mos bllokohet procesi i dhënies së titujve të pronësisë për tokat bujqësore, përpara se ato të kalojnë në administrimin e ministrisë së Turizmit.

Pas këtyre zhvillimeve, mediat greke bënë publik lajmin se mes dy kryeministrave Tsipras dhe Rama kishte pasur një telefonatë, ku në fokus kanë qenë pikërisht çështja e minoritetit grek në Shqipëri, si dhe për reformat e nevojshme për të filluar procesin e pranimit të Shqipërisë në BE.

Sipas burimeve diplomatike, kryeministri Tsipras, në me homologun e tij shqiptar, u përqendrua në ligjin mbi pronën në bregun e Jonit dhe në Aktin e Minoriteteve. Ata diskutuan gjithashtu zhvillimet rajonale dhe marrëdhëniet ekonomike dypalëshe.

Por retorika duket se do të vijojë edhe 2 javët e ardhshme, pasi janë zgjedhjet për Parlamentin Europian dhe ato lokale në Greqi dhe Tsipras e shfrytëzon këtë situatë për politikën e brendshme. Fundi i majit përkon edhe me publikimin e raportit të Komisionit Europian, ndërsa në mes të qershorit është vendimi i liderëve të BE-së për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së veriut.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë