Treg

Në vitin 2022, mbi 1.000 konsumatorë vetë-prodhuan energji elektrike deri në 102 megavat

Nga Gazeta ‘SI’ - Gjatë vitit 2022, në Shqipëri, vetë-prodhuesit e energjisë kaluan shifrën e 1.000 subjekteve dhe 627 u shtuan vetëm vjet, tregojnë shifrat e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas OSSH-së, 59% e tyre janë të instaluara në Tiranë dhe pranë portit të Durrësit.

Vetë-prodhues quhen të gjithë subjektet që kanë instaluar burime të rinovueshme energjie që përmbushin nevojat e tyre energjetike, me kosto të ulëta dhe 2022-shi ka sjellë një rritje të shpejtë të kërkesave për to.

Vetë-prodhuesit në Shqipëri të lidhur me rrjetin e shpërndarjes kanë një kapacitet të kombinuar total prej 102 MW. Prodhuesit industrialë mund të instalojnë deri në 500 kW.

OSSH theksoi se viti 2022 solli një bum në numrin e kërkesave, pasi ato përbënin gjysmën e të gjitha aplikimeve në tre vitet që nga ndryshimi i ligjit përkatës.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha së fundmi se qeveria synon ta bëjë Shqipërinë një eksportuese neto të energjisë elektrike deri në vitin 2029. Në vend janë tre termocentrale të mëdha diellore në proces ndërtimi dhe një tjetër eolik që pritet të miratohet.

Ajo njoftoi se në fund të marsit Bursa Shqiptare e Energjisë Elektrike ose ALPEX do të nisë funksionimin.

Vendi ka edhe termocentralin e parë diellor lundrues në rajon, ndërsa një tjetër parashikohet të instalohet dhe të integrohet me një hidrocentral ekzistues dhe njësinë e tij fotovoltaike në një nga digat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë