Treg

KESH nis zbatimin e planit të ri/ Kontrata afatgjata për blerjen e energjisë, 3-5 vite

Nga Gazeta 'SI' - Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, KESH, ka nisur të ekzekutojë planin e marrëveshjeve afatgjata për blerjen e energjisë elektrike, siç pati lajmëruar më herët.

Në njoftimin e fundit, KESH kërkon blerjen e energjisë me një kontratë 3-5 vjeçare që nis qershorin e këtij viti dhe përfundon në maj 2028. Gara për oferta do të jetë e hapur deri më 14 prill dhe shitësi ka përgjegjësinë për të gjitha kostot shtesë të transmetimit.

KESH ka vendosur minimumin e kapacitetit që do të pranojë për të blerë, 100 megavat energji, baseload.

Korporata argumenton se duke qenë se portofoli konsiston në asete hidroenergjetike, ajo ka nevojën të importojë në periudha të ndryshme të vitit në mënyrë që të minimizojë sezonalitetin e reshjeve dhe ndryshimet e klimës në tërësi.

Në njoftim nuk ka një çmim referencë, lidhur kjo dhe me luhatshmërinë e shpeshtë të energjisë në bursa, por KESH thotë se do të pranojë çmimin më të ulët të ofertuar.

Kjo risi vjen pak muaj pasi drejtuesi i këtij institucioni, Ergys Verdho, pranoi se po planifikohej një strategji e tillë, me qëllim uljen e kostove dhe rreziqeve, përballë një të ardhmje jo fort të sigurtë energjetike, që ka rënduar dhe financat publike.

Ndërkohë Shqipëria po vijon intensivisht diversifikimin energjetik, me më shumë se 10 centrale fotovoltaike të miratuara, një central lundrues, më shumë se 1.000 auto-prodhues dhe 1 ankand eolik në proces miratimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë