Dosje

Momenti i arrestimit, në uzinën e Poliçanit kapen dy çekë që po fotografonin. Jashtë tuneleve i prisnin bashkëjetueset (Foto-Video)

Gazeta Si - Pas sulmit në uzinën e Gramshit, duket se një tjetër precedent i ri po përsëritet. Mësohet se dy shtetas çekë janë kapur këtë të diel, pasi po fotografonin tuunelet e uzinës ushtarake në Poliçan të Beratit.

Së bashku me ta janë shoqëruar edhe dy bashkëjetueset e tyre çeke, rreth 1.5 kilometra larg tuneleve të uzinës.

Sipas burimeve policore, çekët kanë qenë të veshur me uniforma kamuflazhi ngjyrë të gjelbër dhe të ndarë në dy grupe, ku fillimisht janë pikasur femrat.

Në një njoftim për mediat, policia e Beratit tha se në ambientet e jashtme të Uzinës Ushtarake Poliçan, janë konstatuar shtetaset P. B., 38 vjeçe dhe M. M. (G), 34 vjeçe, me kombësi çeke, me aparat fotografik.

Shërbimet e Policisë në bashkëpunim dhe me Policinë Ushtarake, pas informacioneve të marra se në brendësi të tuneleve të Uzinës, ndodhen dhe dy shtetas të tjerë, kanë ushtruar menjëherë kontroll të imtësishëm.

Në brendësi të njërit prej tuneleve, gjatë kontrollit, janë konstatuar dhe dy shtetasit e tjerë, TH. M., 51 vjeç, dhe R. B., 42 vjeç, të dy me kombësi çeke.

Katër shtetasit çek janë shoqëruar në ambientet e DVP Berat për veprime të mëtejshme procedurale.

Më herët, Ministria e Mbrojtjes deklaroi se bëhet me dije se rreth orës 08:40 të mëngjesit të sotëm, tek një nga tunelet në Uzinën e Poliçanit, janë konstatuar lëvizje të personave të paidentifikuar.

Menjëherë Policia Ushtarake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, kanë izoluar hyrjet e tuneleve të cilët janë pothuaj se të gjithë komunikues me njëri-tjetrin dhe pas kërkimeve kanë ndaluar dy persona me kombësi çeke.

Rreth orës 12:30 në distancë 1.5 km larg tuneleve jashtë perimetrit të rrethimit të repartit u konstatuan dhe shoqëruan edhe dy shtetase të kombësisë çeke, bashkëjetuese të dy shtetasve të mësipërm.

"Personat e mësipërm janë ndaluar dhe aktualisht vazhdojnë procedurat nga autoritetet e sigurisë në vend", - deklaron Ministria e Mbrojtjes.

Pas kësaj ngjarjeje, raportohet për prezencë të madhe e policisë ushtarake në këtë uzinë, ndërsa pritet që në vendngjarje të mbërrijnë prokurorët.

Në Berat ka mbërritur Drejtori i Policisë së Beratit, Policia Ushtarake dhe dy furgona të FNSH.

Ky është rasti i dytë brenda 24 orëve që kapen shtetas të huaj duke filmuar dhe fotografuar uzinat ushtarake në Shqipëri.

Pasditen e së shtunës, 2 rusë dhe 1 ukrainas u arrestuan pasi filmuan uzinën e Gramshit dhe sulmuar dy ushtarakët roje duke i hedhur spraj neuroparalizues.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë