Treg

Në supermarketet e Tiranës tani po blihen më pak ushqime, bie konsumi dhe në furrat e bukës

Nga Megi Iskurti - Ndryshe nga fillimi i luftës, kur blerjet nga paniku prekën të gjithë zinxhirin tregtar dhe shitjet në supermarkete u rritën nga 10 deri në 40%, kërkesa për mallrat tashmë ka rënë.

Mbingopja e konsumatorit me vaj, miell, oriz dhe produkte të tjera ushqimore ka ndikuar në rënien e shitjeve.

Foto nga një supermarket në Tiranë në ditët e para të luftës ku shqiptarët u dyndën të blejnë miell dhe pse cmimi i tij ende nuk kishte ndryshuar

Në një vëzhgim nga tregu që Gazetasi.al bëri pasditen e djeshme (22 prill) në disa supermarkete dhe furra buke në Tiranë, konstatoi se qytetarët po blejnë më pak, nxitur nga çmimet e larta por edhe nga fakti i të paturit produkte stok në shtëpi.

Në zonat pranë qendrës, aty ku është përqendruar e gjithë gara për konsumatorin dhe ku dendësia e popullsisë është më e madhe, shitësit ndonëse po detyrohen të mbajnë çmime konkurruese pohojnë për Gazetasi.al se ka një ndryshim drastik të blerjeve nga muaji mars në prill.

“Blerjet e klientëve kaluan nga piku, në stabilizim dhe tashmë në rënie. Javët e para konsumatorët patën tendencën të krijonin sa më shumë rezerva ushqimore dhe shumë nga supermarketet u gjendën të papërgatitur përballë atij bumi kërkese. Kërkesa u rrit deri në 40% dhe ne u detyruam që të krijonim stoqe për një periudhë 3 mujore për shkak të rrezikut për mungesën e furnizimeve.

Por tashmë shitjet kanë rënë dhe qytetarët nuk po blejnë jo vetëm aq sa në mars por as sa në janar apo shkurt. Kuptohet që çmimet e larta janë faktori kryesor”, tha për Gazetasi.al një nga punonjësit e Big Market, në rrugën e “Dibrës”.

Rritja atipike që u ndje thuajse në të gjithë produktet po i detyron konsumatorët të blejnë më pak, të furnizohen vetëm më produktet e domosdoshme ndërkohë që kriza tashmë ka hyrë në xhepat e tyre.

Në një dyqan të vogël pakice, situata dukej ca më keq akoma.

“Ecuria është shumë e dobët dhe lë për të dëshiruar. Njerëzit po ndalojnë për të blerë zakonisht vetëm ndonjë gjë të shpejtë, mos të them vetëm ndonjë paketë cigareje ndryshe nga dikur kur xhiroja ime ditore ishte e kënaqshme.

Me një rënie kaq të madhe të fuqisë blerëse dhe me një normë të ulët fitimi deri me 10%-15% mbi xhiron, do e kem të pamundur që të mbijetoj”, thotë për Gazetasi.al Fredi Bana, shitësi i cili pohon se ndryshimet kaq të mëdha në blerje dhe vetë situata në tregje e ka konfuzuar këto kohë.

Shitja me racione që u vendos në disa supermarkete gjatë muajit mars, sipas tregtarëve ishte një tjetër arsye që dërgoi në mbingopjen e konsumatorëve dhe uljen e fuqisë blerëse.

Një njoftim i afishuar në një market të Tiranës, në mars

“Unë në rrjetin e supermarketeve të mia nuk e pashë aq kritike gjendjen sa të afishoja njoftime për t’u diktuar qytetarëve vetëm një numër specifik produktesh që duhet të blinin. Raftet e miellit, makaronave, vajit do të zbrazeshin në moment”, thotë për Gazetasi.al Çlirim Xhemollari, drejtori i rrjetit të “Alb Market” ndërsa kasierja nga po i njëjti supermarket pohoi se ai racionim nxiti më shumë panik mes qytetarëve të cilët tashmë kanë krijuar rezerva të shumta në shtëpi.

Qytetarët u ‘mbingopën’ me produktet bazë gjatë marsit

E njëjta panoramë për uljen e konsumit, ravijëzohet edhe në bare e restorante. Ndonëse shqiptarët konsiderohen si një popull kafedashës dhe frekuentues të mëdhenj të kafeneve, duke i shëndërruar ato në një ‘tempull’ ku çlodhen, bëjnë takime pune, familjare e kësisoj, konsumi ka rënë.

Edhe pse në këto struktura, ndryshimet në çmim kanë qenë shumë të lehta, rritja e çmimeve të produkteve të shportës e ka detyruar konsumatorin të tregohet i kujdesshëm me shpenzimet.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahaj, thotë për Gazetasi.al se kostoja është amortizuar nga subjektet e shërbimit të cilët nuk do të kenë mundësi që ta përballojnë edhe për shumë gjatë.

Enri Jahaj, Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve

Ashtu si në Italinë e famshme për kafen ku grosistët pohojnë se tashmë kjo është shdërruar në një biznes mbijetese Jahaj pohon për Gazetasi.al se lokalet e vogla të lagjeve ku kafeja kushton 60 lekë, priret të shkojnë drejt falimentimit pasi nuk do ia dalin dot të mbulojnë kostot.

Ai pohon se kur ka pasiguri në horizont, njerëzit janë të prirur të tkurrin shpenzimet e tyre dhe sjellja konsumatore kufizohet jo vetëm në klientelë por edhe në mendësi.

Një kafene thuajse bosh në Tiranë, foto ilustruese

Bie konsumi dhe në furrat e bukës, një trend drejt gatimit të saj në shtëpi

Mielli, ishte një nga produktet bazë të shportës që u diskutua më shumë gjatë ditëve të para të luftës pasi sipas INSTAT, rreth gjysma e sasive vjetore të grurit (46%) që importon Shqipëria, vjen nga Rusia, ndërsa nga Ukraina erdhi 4% për vitin 2021.

Nga “Buka e Artë Qato”, thonë për Gazetasi.al se blerjet e bukës kanë rënë me 15% dhe se ka një tendencë të qytetarëve drejt përgatitjes së bukës në shtëpi.

Shitëse në një dyqan buke në Tiranë

Të njëjtën gjë në fakt, pohoi për Gazetasi.al para disa kohësh edhe Gëzim Peshkëpia, kryetari i Shoqatës së Bukës, Brumrave dhe Pastiçerisë i cili tha se , furrat e bukës nuk po punojnë me 100% kapacitet, për shkak të rritjes së çmimit dhe se rënia e prodhimit është ndikuar nga shtimi i prodhimit të bukës në shtëpi.

Ai shtoi se rënia e kapacitetit të furrave të bukës është më e lartë në zonat rurale, pasi janë më të familjarizuar me prodhimin e bukës në shtëpi.

Sipas të dhënave të INSTAT për inflacionin i cili në mars arriti nivelin prej 5.7%, rritja më e madhe u ndikua nga çmimet e ushqimeve me 9.3%.

Ky është niveli më i lartë që prej vitit 2002 dhe është shumë më i lartë se objektivi prej 3% i vendosur nga Banka e Shqipërisë.

Ministrja e Financave dhe Guvernatori i Bankës, Gent Sejko, kanë lajmëruar për një zgjatje të inflacionit, por në një mesatare të 4.5%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë