Para

Euro prek minimumin historik, leku do të vijojë të forcohet

Euro po e mbyll javën me zhvlerësimin më të fortë kundrejt lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro këmbehet sot (22 prill) me 120.18 Lekë, sa kufiri minimal i shënuar në dhjetor të vitit 2007.

Arsyet që qëndrojnë pas kësaj janë disa sipas agjentëve të këmbimit valutor të cilët në fakt shprehen jo pak të surprizuar për Gazetasi.al dhe thonë se ecuria e kursit të këmbimit po bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u parashikuar.

“Me fillimin e luftës në Ukrainë dhe presionet inflacioniste që u shtrinë kudo në botë u rrit kërkesa për Euro në tregun e brendshëm gjë që na bëri të mendojmë se leku do e kishte shumë të vështirë që të qëndronte në të njëjtat nivele.

Situata në Ukrainë i gjeti pa përgatitur tregjet të cilat sapo kishin nisur rimëkëmbjen e brishtë pas pandemisë që i zhyti në kolaps për një kohë të gjatë dhe po e shtynte më tëj forcimin e Euros ndaj lekut. Por ndërsa ne po mendonim që leku po hynte në një spirale krize nënçmimi, kjo situatë u përmbys shpejt”, tha Dritan Poka, një agjent këmbimi valutor për Gazetasi.al.

Mandej, në arsyet që sipas tij kishin ndikuar në këtë ulje të ndjeshmë të Euros në vend, ai përmend si arsye kryesore ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë gjatë muajit mars e cila shiti euro në tregun e brendshëm për të stabilizuar kursin.

“Shitja e Eurove dhe anullimi i ankandeve për blerjen e valutës që në fakt ishin planifikuar për muajt mars dhe prill ishin faktorët e parë që sipas meje kanë ndikuar në këtë tendencë”, tha ai për Gazetasi.al duke shtuar se kjo ka ndikuar në rritjen e ofertës së Euros në treg.

Besohet se ky vendim u mor me qëllim shmangien e kërkesës shtesë për euro në tregun e këmbimit valutor, faktor që në teori mund të ushtronte presione mbiçmuese në kursin e monedhës europiane ndaj lekut.

Në fillim të muajit mars, monedha e përbashkët europiane shënoi një rritje të shpejtë në kursin e këmbimit me lekun. Më datë 8 mars, euro u këmbye me 127.08 lekë, duke shënuar nivelin më të lartë që prej marsit të vitit 2020. Euro u mbiçmua me 4.7% kundrejt lekut në harkun e një jave.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë u konfirmua edhe nga Guvernatori, Gent Sejko, i cili tha se qëllimi i ndërhyrjes ishte qetësimi i panikut në tregun valutor. Sipas tij, mbiçmimi i shpejtë i Euros nuk reflektonte faktorët thelbësorë të kërkesë/ofertës dhe stabilizimi i kursit pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë e provon këtë më së miri.

Një vendim të ngjashëm Banka e Shqipërisë e pati marrë edhe në vitin 2020, menjëherë pas shpërthimit të pandemisë. Edhe në atë rast, kursi i Euros ndaj lekut shënoi një rritje të shpejtë, kryesisht si rezultat i panikut të tregut valutor prej situatës që krijoi pandemia në tregje. Kursi u stabilizua pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë, megjithatë, ky institucion vendosi të anulonte të gjitha ankandet e blerjes së valutës që ishin programuar për vitin kalendarik 2020 dhe ankandet rifilluan vetëm në vitin 2021.

Agjentë të tjerë nga tregu pohojnë për Gazetasi.al se një arsye tjetër që mund të ketë ndikuar është dhe rritja e normës bazë së interesit.

Më 23 mars, Banka e Shqipërisë vendosi të rrisë normën bazë të interesit me 0.5 për qind duke e çuar në 1 për qind.

Në një konferencë për mediat ku foli për goditjen e Shqipërisë nga rritja e çmimeve të produkteve ushqimore dhe karburanteve, Guvernatori Gent Sejko tha se norma e inflacionit do të luhatet deri në 6%.

Guvernatori i BSH, Gent Sejko gjatë konferencës ku njoftoi rritjen e normës bazë të interesit

Megjithatë, ata shprehen me skepticizëm për peshën që në fakt mund të ketë luajtur ky faktor në rënien e Euros.

Dritani pranon për Gazetasi.al se nuk ka patur luhatje shumë të ndjeshme kërkesë-oferte nga klientët gjatë këtyre javëve.

“Nënçmimi në nivele rekord i Euros duhet të jetë i lidhur me operacione të shitjes së euros në vlera të mëdha, por është e vështirë të identifikohet burimi i ofertës. Unë mendoj se rënia e Euros nuk do të vazhdojë edhe poshtë nivelit të 120.18lekëve.

Duke parë një ulje kaq të madhe të kursit, për shkak të çmimit të leverdisshëm, mund të rritet më tej kërkesa për Euro. Të gjithë qytetarët të cilët mund të kenë shpenzime që i bëjnë në Euro që lidhen me importin apo biznese të ndryshme, mendoj që do të nxitën të blejnë më shumë për shkak të kursit të favorshëm”, thotë ai ndër të tjera për Gazetasi.al.

Më tej ai shton se ka ndikuar edhe fakti që nga fillimi i marsit Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike(OSHEE) nuk ka realizuar më blerje të energjisë elektrike për të importuar energji por pritet që të kthehet në treg për të blerë së shpejti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë