Shendet

Në Shqipëri mbërrijnë testet e para për linë e majmunit, do të kryhet në ISHP. Ka 250 raste të dyshuara

Gazeta Si- Kanë mbërritur në Shqipëri testet e para për diagnostikimin e rasteve të dyshuara me linë e majmunit apo kontakteve të tyre.

Gjatë një vizite në laboratorin e referencës në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manatirliu tha se testimet për linë e majmunit do të kryhen në Shqipëri.

“Për 250 rastet të para që mund të jenë të dyshuara, tashmë kemi dhe testet specifike në këtë laborator. Në këtë laborator do të testojmë rastet e dyshuara dhe gjithashtu dhe kontaktet e dyshuara të rasteve”, tha Manastirliu.

LEXO EDHE:
- Sa të shqetësuar duhet të jemi nga lia e majmunëve?
- Virusi i lisë së majmunit mund të përhapet edhe nëpërmjet ajrit

Duke folur për modernizimin e laboratorit të ISHP, Manastirliu tha se pritet që të forcohen kapacitetet me një aparaturë moderne për sekuencimin e genomit.

“Deri në vjeshtë ne duam që të kemi gjithashtu një tjetër aparaturë moderne në ISHP, që është sekuenciatori genomik. Pra do të kemi mundësi që në këtë laborator të mund të sekuencojmë genomin dhe është një ndër proçedurat që të gjithë laboratorët e referencës e kanë. Ndërkohë që me Institutin e Shëndetit Publik, jemi duke punuar për të përfunduar edhe masterplanin e të gjithë korpusit të Insititutit të Shëndetit Publik, përfshirë edhe godinën qendrore dhe një godinë të re që do të jetë kulla e laboratorëve, duke përfshirë nga laboratorët bazë, kimik, biokimik, gjithashtu laboratorët e virologjisë dhe mikrovirologjisë”, tha Manastirliu.

Duke folur për situatën epidemiologjike ku ditët e fundit është vënë re një rritje e rasteve pozitive me Covid-19, Manastirliu i bëri apel qytetarëve që të vijojnë të vaksinohen.

“Ashtu sikurse edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka alertuar, do të kemi edhe një rritje të rasteve. Vjeshta sigurisht që do të vijojë që të ketë sfidat e saj në raport edhe me rastet covid, në raport edhe me variantet e reja. Por vaksinimi është fjala kyçe. Ne do të vijojmë proçesin e vaksinimit. Do të vijojmë që të jemi në të gjithë territorin. Ndërkohë që ne kemi të miratuar dhe dozën e katërt”, tha Manastirliu.

Duke folur për monitorimin e situatës për linë e majmunit, Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Dr. Eugena Tomini tha se “aktualisht kemi sërish një survejancë e angazhuar siç është ajo e lisë së majmunit, duke shtuar kapacitetet diagnostike në Institutin e Shëndetit Publik dhe që diagnoza kryhet në vend, pavarësisht se ne kemi vazhdimisht komunikim me networkun e laboratorëve të referencës në Europë, për të konfirmuar diagnozën”.

Sipas Qendrës Europiane për Kontrollin e Sëmundjeve, Shqipëria vlerësohet me risk të ulët përsa i përket lisë së majmunit. Vendet Europiane tashmë janë në alert, sepse janë më shumë se 29 vende ku janë konstatuar më shumë se 1700 raste të lisë së majmunit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë