Ndërkohë që shumica e liderëve botërore përqendrohen vazhdimisht tek sfidat me të cilat po përballet rendi i ri global ose vendi i tyre, në SHBA, politikanët kanë krijuar një “trend” të ri, duke folur vetëm e vetëm për sfidat e tyre personale. Tre nga katër kandidatët demokratë për presidentë në SHBA, Joe Biden, Elizabeth Warren dhe Kamala D. Harris duket se i kanë “hapur zemrën” publikut duke i rrëfyer të gjitha tragjeditë e tyre personale.
Fushata presidenciale e Joe Biden nuk ka qenë saktësisht një seri suksesesh. Në fakt, shumica e lajmeve në lidhje me të kanë qenë të këqija, duke filluar nga polemikat mbi mënyrën se si Biden prek gratë dhe vajzat, komentet e tij mbi punëtorët amerikanë, performanca e dobët në debatin e parë televiziv dhe strategjia e tij e dukshme për të kufizuar paraqitjet e tij publike, në mënyrë që ai të mos dëmtojë edhe më shumë kandidaturën e tij.
Sidoqoftë, Biden ka vazhduar të kryesojë në sondazhe, megjithëse kjo epërsi është ulur përgjatë muajve të fundit. Në reklamën e tij të dytë të sapo publikuar, Biden duket se e ka kthyer garën në një sfidë personale duke folur për të gjitha tragjeditë me të cilat është përballur në jetë.
Biden është i njohur për entuziazmin e tij, por shumica e votuesve me siguri nuk janë të vetëdijshëm për tragjeditë personale që ai ka duruar, të cilat i përshkruan në këtë reklamë.
Aksidenti me makinë i vitit 1972 që i mori jetën gruas dhe vajzës së tij dhe la të plagosur rëndë dy djemtë e tij, pasi Biden ishte zgjedhur në Senat dhe vdekja e djalit të tij Beau nga kanceri në 2015, duket se kanë lënë shenjë në jetën e zëvëndespresidentit amerikan.
Padyshim e pamundur ta kuptosh plotësisht Biden pa i ditur humbjet që pësoi, por si do t’i ndihmojë kjo votuesit amerikanë të gjykojnë dhe të parashikojnë se çfarë presidenti do të jetë ai?
Reklama e Biden duket se lidhet edhe me çështje konkrete që shqetësojnë amerikanët. Ja çfarë thotë ai: “Pas aksidentit, nuk mund ta imagjinoja se si do të ishte sikur djemtë e mi të mos kishin kujdesin shëndetësor që u duhej menjëherë. Dyzet vjet më vonë, Beau u diagnostikua me kancer dhe iu dha vetëm disa muaj jetë. Nuk mund ta imagjinoj çfarë do të kishte ndodhur nëse kompanitë e sigurimeve do t’i kishin thënë: Për gjashtë muajt e fundit të jetës tuaj jeni i vetëm. Kujdesi shëndetësor është personal për mua. Obamacare është personale për mua. Të shoh presidentin Trump teksa përpiqet ta shkatërrojë, është humbje personale për mua”, thotë Biden gjatë reklamës presidenciale.
Por deri më tani, as ai dhe asnjë kandidat tjetërnuk ka dhënë asnjë platformë tjetër shëndetësore. Por ajo që Biden po përpiqet të komunikojë është se, kur bëhet fjalë për sigurimin shëndetësor, amerikanët duhet t’i besojnë, pasi për shkak të asaj që ai vuajti, ai kurrë nuk do të linte askënd tjetër të përballet me diçka të ngjashme pa e ditur së paku se do të kenë mbulim shëndetësor.
Kur Biden thotë “është personale për mua”, duket po përpiqet t’u tregojë amerikanëve se mund të mbështeten tek ai. Duke treguar historinë e jetës së tij, Biden duket se po përpiqet t’u tregojë amerikanëve se ai është një prej tyre.
“Sidat personale” duket se janë forca më e madhe e Bidenit, aftësia e tij për të zhveshur shpirtin e tij në një mënyrë që i lejon tjerët të bëjnë të njëjtën gjë dhe të kërkojnë ngushëllim.
Biden ishte në të mirën e tij kur është duke folur me një nënë, djali i së cilës kishte humbur jetën në aksident ose kur fliste me një djalë të ri që vuante nga kanceri. Sepse për kandidatin demokrat duket se është e pamundur ta ndajë jetën politike nga ajo personalja. Megjithatë mbetet për t’u parë nëse kjo është mënyra e duhur për të fituar zemrën dhe votat e publikut amerikan.
Votuesit mund të mos e mendojnë në këtë mënyrë, ata thjesht mund ta përjetojnë këtë si një ndjenjë ngrohtësie dhe simpatie, por kjo është ajo që bëjnë pothuajse të gjithë kandidatët presidencialë në SHBA. Kur Elizabeth Warren tregoi historinë e babait të saj që kishte pësuar një sulm në zemër dhe atë të nënës së saj që kishte punuar për vite me radhë me rrogë minimale që e mbante familjen, ajo po përpiqej të bindte votuesit amerikanë se i kuptonte betejat e njerëzve të zakonshëm.
Warren filloi me një prezantim kryesisht intelektual, të bazuar në politika, duke gërshetuar historinë e saj personale me politikën si një maestro që drejtonte një orkestër simfonike.
Edhe senatorja Kamala D. Harris ka folur për racizmin më të cilin ishte përballur kur ishte fëmijë, duke premtuar se mund ta drejtojë vendin drejt një të ardhme më të drejtë. Harris është shfaqur në kisha, duke përqafuar dikë që ka humbur një të dashur të qëlluar nga policia ose duke u dhënë këshilla grave dhe vajzave të reja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.