Vende dhe Udhetime

Në Qafëmollë, mbrapa malit të Dajtit, atje ku rrjedh uji i Selitës dhe ka gështenja qindravjeçare

Në Qafë-Priskë, majtas në rrugën e vjetër të Shëngjergjit, një tabelë njofton se pas 6 km rrugë mbërrin në fshatin Qafëmollë, mbrapa malit të Dajtit, ku tre-katër kilometrat e parë të rrugës përshkojnë territorin e fshatit Shkallë.

Një lapidar i ngritur aty në kujtim të disa viktimave të shkaktuara nga rrëzimi i një makine në greminë, të bën të jesh shumë i kujdesshëm, sepse je duke kaluar një rrugë malore në anën më të pjerrët të malit.

Më tutje, në fillim djathtas e pastaj majtas, rruga ka degëzime që të çojnë në tunelet dhe territoret e reparteve ushtarake të atjeshme.

Kur arrin në lartësinë 804 metra, ke hyrë në zonën e kufirit të tre fshatrave: në veri ndodhet fshati Shëngjin i Vogël i komunës Zall-Bastar, në jug fshati Shkallë dhe më pas, pasi kalon disa bar-kafe ndodhesh në fshatin Qafëmollë.

Rruga tashmë është vijë kufitare me komunën e Shëngjergjit deri lart në malin e Qafëmollës.

Fshati Qafëmollë

Emri i fshatit ka ardhur, se pikërisht në hyrje të tij, dikur rritej një pemë molle shumë e madhe, në një pozicion që erërat e forta nuk e rrihnin shumë.

Aty pranë është edhe një qendër e përpunimi industrial dhe e tregtimit të ujit të Selitës.

Qafa dhe vendi i saj përfaqësojnë kuotën më të lartë tokësore të korridorit ajror të fluturimit të helikopterëve mbrapa Malit të Dajtit.

Rruga brenda fshatit, deri në qendër të tij është e shtruar në një pjesë të saj me çakull dhe kalon pjerrësive e kthesave malore, ndërsa vendi duket piktoresk.

Djathtas, lart nga mali, sidomos gjatë dimrit, zbret me zhurmë uji tepricë i Selitës.

Më tutje del në kthesën mbi rezervuar, ku gjenden disa shtëpi, kurse poshtë përballesh me një mur guri të gjatë me dy-tri porta, që zbret deri poshtë. Muri rrethon një sipërfaqe të bukur jo të vogël të asaj faqeje kodre të mbuluar me drurë gështenje qindravjeçarë.

Fshati është “i mbledhur”, i shtrirë në “gjoksin” e malit me të njëjtin emër.

“Dikur ka qenë nënprefekturë, më pas i pesti fshat malor i ish-kooperativës së bashkuar me qendër në Shkallë. Në fshat ka pasur 30 shtëpi me rreth 40 familje, por sot kanë mbetur shumë pak persona. Familjet si Hallvaxhi, Dishaj, Bylyku etj., ose kanë zbritur me kohë në qytet, ose kanë emigruar jashtë” shprehet Skënder Farka, studiues i fshatrave të Tiranës, në një botim për këto fshatra me titull “Shëtitje turistike në fshatrat e rrethit të Tiranës”.

Në lagjen e sipërme gjenden disa shtëpi qindravjeçare dykatëshe të stilit malor me gur e dru, me “perde” dërrase, siç i quajnë vendasit dhe me dritare të vogla në to, shtëpi, që sot janë tepër të dëmtuara.

Prej këtij grupi shtëpish zbret poshtë nëpër një copë rrugë të pjerrët e pak të ngushtë, e cila u shërben njerëzve, dhive, mushkave e madje edhe ujërave dhe në ditë me shi i ngjan një përroi. Në fund të kësaj rrugine del në një vend të hapur, në krye të një kodre të bukur për nga pozicioni, forma dhe pjerrësia. Në pjesën më të sipërme ngrihet xhamia e fshatit: pa minare, me hyrjen me tri rradhë qemeri prej guri të gdhendur dhe të vendosur me shije e kujdes të veçantë.

Ajo ka një hajat pritës të ngritur nga të dyja anët, i mbështetur mbi katër shtylla të forta druri me ornamente të gdhendura.

“Dhoma me përmasa 5.5x5.5 m nga brenda kishte një tavan të lartë dërrase me katrorë 20x20 cm, me çibukë drurë të punuar bukur dhe dy palë dritare 50x70 cm në dy lartësi, me nga dy kanate xhami, por dhe me kapakë druri që i mbyllnin ato plotësisht. Në muret e suvatuara e të lyera ruheshin vizatime dhe ornamente të bukura. Aty dikur vareshin ajete kuranore të gdhendura në dru, sot të hequra. Nga ana e jashtme, muret e rënda prej guri me trashësi 65 cm e të mbuluara me rrasa guri të zgjedhura e zmadhojnë ndërtesën kur e shikon nga jashtë. Streha është e gjerë dhe pak e rrumbullakosur nga të katër anët, “e qëndisur” me dërrasa të punuara e të vendosura pjerrtazi nën të“, - shpjegon Farka për Gazetasi.al.

Më 1968 xhamia u kthye në depo kimikatesh, si hapësirë e sigurt, kurse pas vitit 1990 u konsiderua pronë e familjes, që dikur kishte dhuruar tokën. Nuk u rihap si xhami dhe u ndërprenë edhe varrimet e përqendruar dikur aty. Në këto kushte disa familje u janë kthyer vendvarrimeve të vjetra, duke bërë riparim varresh të riparuara, madje kanë filluar të krijohen të reja pranë shtëpive, mbi bazë fisi.

Në fshat ruhen toponime të ndryshme, si: “Përroi Gjeshkuq”, “Përroi i Qokjeve”, “Përroi i Fushës”, “Poshtë Vilave” dhe “Përroi i Grave”. Vendi lart në mal që quhet “Te Dëllenja”, ku ka qenë një dëllinjë e madhe, shekullore dhe e veçantë, që sot nuk është se e kanë prerë, dikur ka shërbyer si pikë topografike.

Toponime të tjera janë: “Shkambi i Kuq”, “Shpella te Shkambi i Kuq”, ndërsa lart ku janë mbjellë pishat quhet “Kodrat e Qafëmollës”. Si toponime kanë mbetur edhe emërtimet në vendet “Kodër Varr” dhe përballë, matanë përroit “Kodër Kishë”.

Në fshat, në vitin 1950 u ngrit stacioni i pompave të ujit, që furnizon HEC-in e Selitës. Uji i Shënmërisë, nga mali në stacionin e pompave shkon me gravatacion dhe prej atje, përmes tunelit të Dajtit del dhe bie në turbinat e HEC-it të Selitës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë