Nga Christopher P.Kosta & Colin P.Clarke- Pavarësisht gjithë fitoreve që kanë pasur Shtetet e Bashkuara në luftën e tyre kundër Shtetit Islamik - dhe numri i tyre është i madh - ne nuk e kemi kuptuar ende se si ta mposhtim njëherë e mirë atë. Një sulm terrorist në një sallë koncertesh në kryeqytetin rus Moskë më 22 mars, vrau më shumë se 130 njerëz dhe la të plagosur shumë të tjerë.
Ai shërbeu si kujtesa e fundit vdekjeprurëse se Shteti Islamik - sidomos dega e tij në Khorasan, ISIS-K, aktive në Afganistan, Iran dhe Pakistan - mbetet një kërcënim i madh. Është një mësim i dhimbshëm, të cilin e përvetësuan afganët dhe amerikanët në gushtin e vitit 2021, kur ISIS-K kreu një sulm vetëvrasës, që i mori jetën të paktën 170 civilëve afganë dhe 13 pjesëtarëve të misionit amerikan në Kabul, në mesin e një tërheqjeje kaotike të SHBA-së nga Afganistani.
Që nga fillimi i këtij viti, ISIS-K ka ndërmarrë sulme vdekjeprurëse në Iran dhe Turqi. Disa komplote të tjera të këtij grupimi janë parandaluar në kohë, teksa ka pasur shumë arrestime në Austri, Francë, Gjermani dhe Holandë. Katër ditë pas sulmit në Moskë, media Al-Battar e lidhur me ISIS-in, publikoi një mesazh që kërcënonte Italinë, Francën, Spanjën dhe Britaninë: “Kush e ka radhën tani?”.
Që nga ajo kohë, Franca dhe Italia e kanë rritur ndjeshëm nivelet e gatishmërisë ndaj kërcënimit terrorist. Që të gjitha këto ngjarje tregojnë atë që ne e dimë tashmë:Shkatërrimi i Kalifatit të vetëshpallur të ISIS, nuk është njëlloj me mposhtjen e tij. Në kulmin e tij, Kalifati ishte po aq i madh sa territori i Britanisë së Madhe.
Ai shtrihej nga Levanti deri në Azinë Juglindore, dhe mburrej me mbi 40.000 luftëtarë të huaj në radhët e saj, të cilët vinin nga më shumë se 80 vende të botës. I detyruar t’i përshtatej rrethanave të reja, ISIS është rigjallëruar në vende të tjera, duke vepruar në ilegalitet në forma më pak të dallueshme por më të rrezikshme.
Për ta penguar këtë kërcënim të mbërrijë në SHBA dhe tek aleatët e saj, Uashingtoni duhet të parandalojë atrofizimin e ekspertizës kundër terrorizmit, gjë që në fakt po ndodh prej dy dekadash. Sigurisht, ekzistojnë edhe kërcënime të tjera serioze që meritojnë vëmendjen e Uashingtonit, përfshirë aventurizmin e Kinës dhe sfidën që paraqet Inteligjenca Artificiale.
Por për t’i mbajtur amerikanët të sigurt, lufta kundër terrorizmit duhet të mbetet një prioritet strategjik. Dhe kjo përfshin gjetjen e një mënyre për të mos hequr vëmendjen nga Shteti Islamik, sidomos në pjesë të botës ku ne nuk kemi më prani ushtarake.
Pas sulmeve terroriste nga Al Kaeda më 11 shtator 2001, publikut amerikan iu tha që të kishte durim, sepse lufta kundër terrorit do të ishte një luftë brezash. Shtetet e Bashkuara bënë disa gabime të mëdha në luftën dhjetëvjeçare që pasoi, dhe tani Uashingtoni po e kthen vëmendjen tek kërcënimet e tjera gjeopolitike.
Por asnjëri nga këto fakte, nuk e shmang nevojën për të mbetur i përkushtuar në luftën ndaj terrorizmit transnacional. Duke tërhequr trupat dhe mjetet e inteligjencës nga zonat aktive të konfliktit, Shtetet e Bashkuara kanë lejuar gjallërimin e grupimeve si ISIS-K.
Prandaj nuk është koha të heqim dorë nga kjo luftë, në të kundërt do ta gjejmë veten përballë një kundërshtari të ringjallur. Shteti Islamik është shumë rezistent. Fushatat ushtarake agresive perëndimore ndihmuan në shpërbërjen e kalifatit, dhe gjatë viteve të fundit i kanë kufizuar ndjeshëm operacionet e militantëve të ISIS-it në vende të tjera, përfshirë Filipinet dhe Sirinë.
Por në vend se të zhduket nga skena, ISIS ka vazhduar të rigrupohet, të rekrutojë luftëtarë të rinj nën të njëjtin flamur dhe të organizojë sulme të reja. Disa prej tyre janë rishfaqur në vende të tjera, më të trajnuar dhe shumë më të vështirë për t'u gjetur dhe kapur. Të tjerët synojnë të kryejnë akte terrorizmi si ato që po shohim tani, duke udhëtuar përtej kufijve për të depërtuar në vendet e synuara.
Po si arriti të zgjerojë rrjetet e tij një grup xhihadist që vepron nga një rajon i largët i Afganistanit, dhe të fillojë planifikimin e operacioneve të jashtme me një shtrirje kaq globale? Një pjesë e përgjigjes është se ne u larguam prej tyre. Para tërheqjes ushtarakë të SHBA-së nga Afganistani, ISIS-K ishte shumë më i kufizuar, veçanërisht në lidhje me aftësinë e tij për të kryer sulme jashtë këtij vendi.
Gjatë një marrëveshjeje të vitit 2020 nënshkruar në Doha të Katarit midis Shteteve të Bashkuara dhe Talebanëve, këta të fundit u zotuan të parandalojnë grupet terroriste që ta përdorin territorin afgane për të kërcënuar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj. Në këmbim, Uashingtoni ra dakord të tërhiqte plotësisht forcat e tij nga vendi.
Nga ana tjerët Talebanët dhe ISIS-K, janë armiq të egër dhe e kanë luftuar njëri-tjetrin që kur ISIS-K filloi të veprojë në vend në vitin 2015, në kulmin e të ashtuquajturit kalifat të Shtetit Islamik. Pra, ndërsa talebanët, dikur në pushtet, mund të kenë synuar të luftonin ISIS-K dhe të mbanin nën kontroll militantët e tij, suksesi i tyre ka qenë në rastin më të mirë i përzier. Luftëtarët talebanë ishin kryengritës shumë efektivë, por po tregojnë se janë shumë më pak efektivë në rolin e tyre ende të ri kundër kryengritësve dhe kundër terrorizmit. Kanë treguar një përparim modest në eliminimin e komandantëve të ISIS-K, dhe në rimarrjen e disa territoreve nga kontrolli i këtij grupi.
Por edhe kur ka ndodhur kjo, militantët e Shtetit Islamik veprojnë ende përgjatë kufijve të Afganistanit, duke e ruajtur kapacitetin për sulme spektakolare. ISIS-K zotëron tani një rrjet të gjerë ekstremistësh, tek të cilët mund të bazohet duke u përhapur në rajone të paqëndrueshme si Kaukazi dhe Azia Qendrore.
Mijëra banorë nga ku rajon i janë bashkuar Shtetit Islamik, dhe shumë uzbekë dhe taxhikë mbajnë poste drejtuese, veçanërisht në radhët e ISIS-K. Militantët nga Azia Qendrore tani përbëjnë shtyllën kurrizore të kuadrit të operacioneve të jashtme të ISIS-K. Talibanët nuk janë më në gjendje të frenojnë të vetëm kërcënimin e ISIS-K.
Dhe ka ikur koha e përpjekjes për të rrëzuar sërish talebanët, duke mbështetur fshehurazi grupet opozitare afgane si Panjshirët e Frontit të Rezistencës Kombëtare , të cilët kundërshtojnë si Al Kaedën ashtu edhe Talibanët. Tani është koha e diplomacisë.
Uashingtoni dhe aleatët e tij mund të angazhojnë katarët ose sauditët për të ofruar stimuj për talebanët, që këta të fundit të shtojnë presionin e tyre mbi ISIS-K, të ndajnë me ta të dhënat e shërbimeve sekrete dhe ndoshta me kalimin e kohës, të distancohen nga premtimi i tyre i dikurshëm për të mbështetur pa kushte Al Kaedën.
Ndoshta talebanët kanë mësuar nga pasojat e rënda të refuzimit të Mullah Omar për të dorëzuar Osama bin Laden tek Shtetet e Bashkuara pas sulmeve të 11 shtatorit. Por ndoshta jo. Sidoqoftë, është jorealiste të pritet që talebanët të jenë një partner i besueshëm kundër terrorizmit në një përpjekje ndërkombëtare për të mposhtur ISIS-K.
Megjithatë sado jo tërheqës, një nivel bashkëpunimi është i nevojshëm. Inteligjenca njerëzore kaq jetike në luftën kundër terrorizmit mund të mblidhet vetëm në terren. Pa asnjë prani amerikane në atë vend, interesat tona kundër terrorizmit do të shërbeheshin më mirë me të dhënat e marra nga operacionet e talebanëve kundër ISIS-K, një armik i përbashkët.
Por bashkëpunimi duhet të mbetet i kufizuar në shkëmbimin e informacionit dhe të mos shtrihet në trajnime ose sigurimin e pajisjeve. Historia e shërbimeve sekrete, është e mbushur me shembuj të pakteve të leverdishme për të dyja palët, madje edhe midis vendeve armike.
Edhe pse një “luftë në hije” ka vazhduar për dekada midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara thuhet se i paralajmëruan në janar iranianët mbi kërcënimet e një sulmi të afërt terrorist. Uashingtoni bëri të njëjtën gjë me Moskën 2 javë para sulmit të ISIS-K në sallën e koncerteve.
Sigurisht, arritja e çdo lloj marrëveshjeje me talebanët, është një përpjekje shumë e ndërlikuar dhe e diskutueshme. Edhe një marrëdhënie shumë e kufizuar me talebanët, do të ishte e papëlqyeshme dhe e mbushur me dilema etike, duke pasur parasysh të dhënat e regjimit për të drejtat e njeriut. Por është konsideruar më parë. Dhe mos harroni se alternativa është më e keqe:një sulm shkatërrues i drejtuar ndaj amerikanëve jashtë apo në territorin e tyre.
Burimi: New York Times/Përshtati Gazeta Si
Shënim:Christopher P.Costa, ish-zytar i lartë i shërbimeve sekrete amerikane, ndihmës i posaçëm i presidentit dhe drejtor i lartë për antiterrorizmin në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në vitet 2017-2018. Colin P.Clarke, drejtor i kërkimit në Soufan Group, një kompanie e konsulencës në fushën e sigurisë me qendër në New York.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.