Bota

Në Napoli dhurohen tamponë për ata që nuk i përballojnë dot testet

Me mungesën e testeve falas të koronavirusit në dispozicion në qytetin e Napolit, qindra banorë po mbështeten te mirësia e të huajve.

Napoli është krenar për traditën e tij të "caffe sospeso", ku një klient paguan dy herë për një kafe në mënyrë që dikush që nuk ka mundësi ta pijë falas. Tani ky akt bamirësie po shfaqet në testet e koronavirusit.

Në qytetin jugor italian, shërbimi shëndetësor lokal po përpiqet të merret me numrin e rasteve të koronavirusit dhe, si në shumë pjesë të Italisë, testet falas të koronavirusit mund të jenë të vështira për t'u marrë.

Në kishën San Severo Fuori Le Mura, në një nga zonat më të populluara të Napolit, një organizatë e komunitetit lokal u ofron banorëve një shans për t’u testuar dhe në mënyrë anonime njerëzit mund dhuronin një tampon.

"Është një zonë me rrezik të lartë, sepse ka grupe të mëdha familjare që jetojnë në vende shumë të vogla, kështu që rreziku i infektimit është shumë i lartë", tha Angelo Melone, kreu i grupit jofitimprurës që drejton iniciativën.

Që kur filluan dy javë më parë, 1.000 njerëz janë testuar dhe 300 prej tyre po përfitojnë nga bujaria e bashkëqytetarëve të tyre.

"Ne Napolitët kemi një zemër të madhe, në kohëra të mira dhe në të këqija ndajmë gjithçka," thotë Giuseppina Puglise, pasi paguajti për një shtupë shtesë.

Testet e para-rezervuara kushtojnë 18 euro (21 dollarë) secili dhe kryhen nga një ekip prej tre mjekësh dhe dy infermierësh brenda kishës.

Testet e shpejta janë lehtësisht të disponueshme në të gjithë Italinë, vendi i parë europian që u godit nga koronavirusi, ku tani ka regjistruar më shumë se 50,000 vdekje.

Por ato mund të jenë të shtrenjta. Një test i tillë në një klinikë private në Napoli mund të kushtojë midis 30 dhe 45 euro, ndërsa një test më i saktë PCR mund të kushtojë 70 euro.

Antonio Campagna, një shofer taksie 33-vjeçar me tre fëmijë, ka luftuar me krizën ekonomike të provokuar nga bllokimi kombëtar i Italisë në fillim të këtij viti.

"Kam dëgjuar se ekzistonte mundësia e një prove falas," thotë ai. "Unë do të doja të përfitoja nga kjo iniciativë, të cilën unë e konsideroj një akt plot altruizëm." Ekonomia e Italisë është goditur nga pandemia, dhe rajonet e varfëra të jugut janë më të prekurat.

Papunësia në Napoli vitin e kaluar ishte tashmë dyfishi i mesatares kombëtare, me 23.3 përqind krahasuar me 10 përqind. Por banorët ndiejnë një ndjenjë solidariteti ndërsa përballen me këtë sfidë.

Pasi pagoi për një provë shtesë, Luigi Parisi, një 32-vjeçar nga Napoli, tha që ndihmonte qytetarët e tjerë të testoheshin ishte për të një detyrë qytetare. /The Local/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë