Ne rrjet

Në kulmin e debatit për kufijtë, Serbia përforcohet me avionë rusë

Në kulmin e debatit për ndryshime kufijsh në Ballkan, Serbia ka marrë përforcimin e parë të flotës ushtarake ajrore nga Rusia. Dy avionë MiG-29 kanë mbërritur në Beograd, ku janë pritur në një ceremoni pompoze në të cilën ishte i pranishëm edhe vetë Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.

Në fjalën e mbajtur në këtë event, Presidenti serb pati edhe një propozim për Shtabin e Ushtrisë.

“Unë propozoj që tetë avionët që do t’i bashkohen flotës ajrore të mbajnë emrat e heronjve që dhanë jetën gjatë bombardimeve të NATO-s”, u shpreh ai.

“Heronjtë”, sipas serbëve janë ata pilotë serbë që iu kundërvunë avionëve të NATO-s në ajër në vitin 1999, por që u rrëzuan në përpjekje për të ndaluar aksionin e Aleancës.

Avionët MiG-29 janë dërgesa e parë e një pakete blerjesh armatimesh, që Beogradi thotë se po përfiton me çmim të arsyeshëm nga Moska. Paketa përfshin edhe 30 tanke të tipit T-30, 30 autoblinda si dhe sisteme të mbrojtjes kundërajrore.

Në total janë 185 milionë euro që Serbia do të shpenzojë për modernizimin e flotës luftarake ajrore me MiG-29, që Vuçiç thotë se nëse do të bliheshin me çmimet normale në treg, shuma do të shkonte mbi 600 milionë euro.

Aktualisht, Serbia thotë se është në bisedime me Rusinë edhe për blerjen e helikopterëve luftarakë dhe për operacione kërkim-shpëtimi, por edhe për sisteme të mbrojtjes kundërajrore.

Për vitin 2018, buxheti i Serbisë për ushtrinë është rreth 700 milionë dollarë, 10 milionë dollarë më shumë se 2017.

Serbia ka një ushtri prej rreth 40 mijë trupash në total, shifër që mund të ndryshojë nëse propozimi i Aleksandër Vuçiç për të rikthyer shërbimin e detyruar ushtarak do të miratohet.

Ushtria serbe ka mbi 80 për qind të armatimit të trashëguar nga teknologjia sovjektike. Vitet e fundit, Beogradi është përpjekur që të ruajë një ekuilibër të brishtë mes Perëndimit dhe Rusisë edhe në këtë sektor, duke premtuar blerje armatimesh në të dyja krahët.

Serbia refuzon të anëtarësohet në NATO dhe premton ruajtjen e neutralitetit ushtarak në rajon. Megjithatë, përgjatë 2017, bashkëpunimin më të madh në fushën ushtarake, të paktën atë të trajnimit e ka me Aleancën dhe vendet perëndimore dhe vetëm dy me Rusinë. Por, Moska, sipas Shteteve të Bashkuara, ka në Serbi të maskuar si qendër humanitare bazën më të madhe ushtarake dhe të spiunazhit në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë