Sport

Në hije edhe Erkand Qerimaj, shumë larg podiumit

Edhe peshëngritësi, Erkand Qerimaj nuk ka mundur dot të shkëlqejë në garën e tij në kampionatin botëror që është duke u zhvilluar në Ashgabat të Turkmenistanit. Sportisti shkodran ka garuar në baterinw e peshës 81 kilogram dhe ka bërë vetëm dy tentativa nga gjashtë që kishte në dispozicion.

Në provën e parë në shkëputje, Qerimaj ngriti vetëm 150 kilogram, ndërsa në shtytje çoi sipër 180 kilogramë. Me një total prej 330 kilogram Erkand Qerimaj nuk mundi të shkonte më tepër se sa vendi i 16-të në dygarësh. Gjithsesi renditja nuk është përfundimtare, pasi gara do të vijojë edhe pasditen e kësaj të hëne.

Qerimaj në një reagim nga Turkmenistani për Gazeta Si, ka pohuar se ky nuk është maksimumi për të, por që gjithsesi ai është i kënaqur, pasi vinte nga një dëmtim.

Qerimaj ia ka dalë që në këtë paraqitje të tij në kampionatin botëror të ngrejë peshën që kishte ngirtur gjatë stërvitjes në tre muajt e fundit. Në këtë bateri, 81 kg do të garojë pasdite edhe peshëngritësi tjetër shqiptar, Daniel Godelli. Nga ky i fundit pritet futja në zonën e medaljeve edhe pse gara është shumë e fortë, pasi kjo bateri dhe aty ku garon Briken Çalja janë më të populluarat.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë