Ne rrjet

Në Greqi shpërthejnë sulmet ksenofobe ndaj emigrantëve!

Incidentet raciste dhe ksenofobe janë kthyer përgjatë javëve të fundit në një shqetësim madhor në Greqi. Situata është më kritike në qytetet e medha, ku dhjetëra refugjatë po sulmohen cdo ditë nga qytetarët grekë, të cilët kërkojnë kthimin e tyre në shtëpi.

Qeveria konservatore e kryeministrit Qiriako Mitsotaqis ka deklaruar javën e kaluar se e ka të pamundur menaxhimin e këtyre sulmeve për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të emigrantëve dhe refugjatëve.

Ministri për Mbrojtjen e Qytetarëve deklaroi gjatë një seance në parlamentin grek se "problemi në ishuj po bëhej eksploziv”.

“Është e pamundur që Greqia të përballojë këtë cunam njerëzish që mbërrijnë cdo ditë në ishuj”, tha ai.

Refugjatë në një kamp në Greqi. Gazeta Si, 2019

Reagimet ekstreme të banorëve erdhën pas planit të qeverisë për të transferuar refugjatët nga ishujt në qytetet e mëdha. Shumica e grekëve e kanë bërë të qartë se
nuk pajtohen me transferimin e azilkërkuesve duke shkaktuar shqetësime të mëdha. Ata kanë bllokuar rrugë, kanë kërcënuar hotelet që kanë pranuar të ofrojnë dhoma për refugjatët, kanë goditur me gurë në autobusë që mbajnë refugjatë dhe emigrantë.

Përgjatë javës së fundit ka pasur madje marshime studentore që kërkonin largimin e emigrantëve të paligjshëm. Të mërkurën e kaluar, një student iranian në Selanik u sulmua me thikë nga disa të rinj grekë, që e paralajmëruan që të mos vinte më në shkollë.

Në të njëjtën kohë, deputetët nga partia qeveritare Demokracia e Re dukej se mbështetnin indirekt lëvizjet raciste, duke ngjallur reagime të forta edhe brenda partisë së tyre. Një shembull tipik është ai i deputetit të Demokracisë së Re Kostandinos Kiranakis i cili i doli në mbrojtje një "barbekjuje me mish derri dhe alkool", të organizuar nga një grup i ekstremit të djathtë jashtë një kampi refugjatësh në Greqinë veriore.

Refugjatët protestojnë kundër sulmeve taciste në Greqi. Gazeta Si, 2019

Motra e Kryeministrit Mistotaqis, Dora Bakojanis u përgjigjë ashpër, duke i akuzuar mbështetësit e grupeve ekstremiste për "mungesë humanizmi". Edhe vetë kryeministri grek shprehu pakënaqësinë e tij për deklaratat e bëra nga anëtarët e partisë së tij gjatë një mbledhje të kabinetit, por nuk ka dalë ende me një deklaratë zyrtare për këtë çështje.

Por partia SYRIZA e ish-kryeministrit Aleksis Tsipras është e bindur se rritja e sulmeve ksenofobe ka ardhur për shkak të "retorikës raciste" të qeverisë konservatore. Ajo thotë së qëndrimi i ashpër i qeverisë ndaj emigrantëve nxiti reagimet ksenofobe në rrjetet radikale dhe në mesin e ekstremistëve të djathtë".

“Mitsotsqis është bllokuar nga grupet e djathta. Në vend që të dënojë publikisht retorikën raciste dhe ksenofobike, ai nuk po thotë asgjë. Ai praktikisht po i mirëpret këto sulme", deklaroi një zëdhënës i SYRIZA-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë