Njerez

Në çdo vend, burrat paguhen më shumë se gratë

Një studim i ri global ka zbuluar se burrat vazhdojnë të paguhen më shumë se gratë në çdo vend.

Në sondazhin e parë të këtij lloji, studiuesit nga Qendra e Politikave Publike në Institutin Indian të Menaxhimit, shqyrtuan të dhënat e disponueshme për 2.85 milion familje në 45 vende, të dhëna që datojnë nga viti 1973 deri në 2016, për të arritur në përfundimet e tyre.

Studimi, i botuar në Journal of Economic Behavior&Organization, analizoi të ardhurat e çifteve midis moshës 18-65 vjeç gjatë periudhës katër dekada.

Studiuesit, Profesoreshë Hema Swaminathan dhe Profesor Deepak Malghan, shqyrtuan të dhënat e mbledhura nga Organizata Jofitimprurëse “Studimi i të Ardhurave në Luksemburg” (LIS).

"Supozimi i përgjithshëm është se brenda një familjeje, të ardhurat grumbullohen dhe shpërndahen në mënyrë të barabartë. Por familja është shpesh një “vend” me pabarazi të madhe dhe ne donim ta studionim këtë”, thotë Swaminathan.

Ndërsa ekipi pranoi se pabarazia e pagave ishte më shumë e përhapur në rajone të caktuara, ata donin të vlerësonin pamjen globale, veçanërisht në vendet që janë më të zhvilluar dhe shpesh paraqiten si më progresive për gratë.

Sidoqoftë, ekipi arriti në përfundimin se pabarazia gjinore e pagave vazhdon në të gjitha vendet dhe në familje të pasura dhe të varfra.

Ata zbuluan se edhe kur të dy partnerët ishin të punësuar, nuk ka asnjë vend të vetëm ku gratë të fitonin aq sa burrat e tyre, madje edhe në vendet më të pasura.

Një gjetje pozitive ishte se pjesëmarrja e grave në tregun e punës ishte rritur gjatë periudhës 40-vjeçare.

“Në shumë pjesë të botës, shumë politika që janë bërë për barazi gjinore kanë ngushtuar hendekun. Ka pasur lëvizje për pagesë të barabartë, për punë të barabartë", tha Swaminathan.

Sidoqoftë, studiuesit mendojnë se qeveritë nuk po bëjnë aq sa duhet.

"Kompanitë nuk po rekrutojnë mjaft gra që janë “të ndëshkuara” për të qëndruar në shtëpi dhe për të bërë punët e shtëpisë”, tha Swaminathan.

Ajo tha se çdo shtet ka nevojë për sensibilizim, që burrat ta kuptojnë se duhet të ndajnë punët e papaguara me gratë dhe kompanitë punëdhënëse duhet t’i përfshijnë gratë më shumë.

Një studim i Qendrës Kombëtare të Ligjit të Grave në Amerikë në gusht zbuloi se femrat me ngjyrë zakonisht paguhen vetëm 63 cent për çdo dollar që paguhet një burrë i bardhë, duke humbur afër 1 milion dollarë në fitime gjatë gjithë jetës.

Dhe në maj 2020, në pesëdhjetë vjetorin e Aktit të Pagesës së Barabartë, Kongresi i Sindikatave (TUC) deklaroi se gratë vazhdojnë të jenë të nënpaguara dhe të nënvlerësuara, me pandeminë që e thekson këtë.

Nga 9.8 milion punëtorët kryesorë në Mbretërinë e Bashkuar, gati dy të tretat janë femra, sipas TUC, me 2.6 milion prej tyre që fitojnë më pak se 10 paund në orë.

Sekretarja e Përgjithshme e TUC Frances O'Grady tha se pesëdhjetë vjet pasi femrat fituan të drejtën ligjore për pagë të barabartë, koronavirusi ka konfirmuar se pabarazia e pagave është ende e përhapur sot në Britani.

“Gratë që punojnë kanë udhëhequr luftën kundër koronavirusit, por miliona prej tyre kanë “ngecur” në punë me pagesë të ulët dhe të pasigurta. Ndërsa dalim nga kjo krizë, ne kemi nevojë për një llogaritje se si e vlerësojmë dhe shpërblejmë punën e grave", tha O’Grady.

Burimi: The Independent. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë