Muzike

Në botën baroke të Daorsa Dervishit

Suadela Balliu - Ajo do ta merrte me vete publikun dhe do t’i bënte udhë nëpër oborrin mbretëror të Frederikut të II Prusisë. Aty ku, përkrahësi i arteve do të bëhej së pari përkrahës i dy motrave të tij, princeshës Wilhelmine von Bayreuth dhe princeshës Ana Amalia, të cilat në shkëlqimin e viteve ‘700, që do të njihej si Epoka Baroke, do të luanin në harpsikordë, flaut, violinë e do të kompozonin vepra që, në dhjetorin e 2018-ës flautistja shqiptare do t’i sillte të gjalla nga kohërat për koncertin në famullinë e Shën Mëri Asuntës, në qytezën Paderno d’Adda, në krahinën e Lombardisë. Koncerti, i titulluar “Baroku vishet me rozë”, solli përmes një mbrëmjeje muzikore, krijimtarinë e këtyre dy anëtareve të familjes mbretërore, të cilat fillimisht kishin luajtur dhe kompozuar muzikë fshehurazi atit të tyre, mbretit Frederik i I, i njohur se e urrente muzikën. Ashtu si edhe Ana Bon, virtuozja me origjinë italiane, të cilën vetë monarku Frederiku i II - që ndryshe nga i ati kishte shprehur interes në artet dhe njihet në histori si një prej sovranëve më të kulturuar dhe të rëndësishëm të shekullit të 18-të - i kish dhënë rolin zyrtar të Virtuozes së Muzikës së Dhomës në oborrin e Madhërisë së Tij, kur ajo ishte vetëm 16 vjeç. Moshë që thuhet se edhe i kompozoi veprat e saj.

“Koncerti “Baroku vishet Rozë” ishte një nga koncertet e edicionit të XV të festivalit tejet të konsoliduar, Brianza Classica”, rrëfen Daorsa Dervishi, flautistja shqiptare, e cila e nisi rrugëtimin me muzikën, në shkollën “Jan Kukuzeli”, në qytetin e saj të lindjes, Durrës, për t’u diplomuar në Konservatorin “Giuseppe Verdi”, të Milanos.

Festivali "Brianza Classica"


Festivali, i cili zhvillohet në vende të ndryshme të krahinës lombarde si Milano, Monzë, Leko, i ka pasur të pamungueshme në program koncertet e repertorit të hershëm, të interpretuar me instrumente origjinale dhe, siç vijon më tej muzikantja shqiptare, ka një publik të gjerë dhe shumë të edukuar. “Është hera e dytë që “Albanian Baroque Ensemble” merr pjesë në këtë festival”, thotë Dervishi ndërsa i referohet Ansamblit italo-shqiptar, të përbërë nga ajo në flaut traversier, një tjetër shqiptar si Jusuf Beshiri në klaviçembal dhe drejtori artistik i festivalit Giorgio Matteoli, në violonçel barok. Kësaj here, thotë flautistja, ishte drejtori Matteoli që i ftoi të propozonin një program me në qendër figurën femërore dhe me pjesë, rrallëherë të performuara. “Ideja e një koncerti me muzikë të krijuar nga kompozitore gra, ngjall akoma më kureshtje sepse, përveç faktit që janë shumë të pakta në numër, luhen shumë rrallë”, thotë Dervishi. Baroku, i veshur në rozë, solli në një mbrëmje një suitë për klaviçembal dhe tri sonata për flaut dhe basso continuo, duke i bërë të pranishmit të frymëmerrnin pak, nga shpirti i shekullit të Iluminizmit.


Arti Barok erdhi në jetë, përmes edukimit. Ishin njerëzit nga të gjitha shtresat sociale, që nisën të zgjeronin mendjet, të eksploronin tema jo tradicionale e që, më pas u pasqyruan në art, nëpër të gjithë Europën Perëndimore, nga 1600 e deri më 1750-ën. Edhe më herët, kësaj periudhe, gratë kanë dhënë kontribut domethënës në muzikën klasike, rol që shpesh shpërfillet. Për të folur rreth rolit të figurës femërore gjatë epokës baroke, qoftë si kompozitore, muzë apo subjekt për të cilën kompozoheshin pjesë, Dervishi thotë se do të duhej një libër për ta cilësuar të përmbushur argumentin. “Sepse, roli i gruas trajtohej ndryshe nga njëri vend në tjetrin, nga Baroku i parë në atë të Mesëm dhe të Vonshëm, nga klasat borgjeze në ato aristokratike, nga të pamartuara në të martuara. Ishin këto të fundit që kishin më tepër liri, thekson Dervishi, muzikantja që i ka kushtuar jetën flautit, nga mosha nëntëvjeçare. Ky udhëtim i gjatë ka pasur të bukurat dhe të vështirat e tij”, pranon flautistja, e cila ka studiuar veç flautit barok, edhe atë klasik e modern. “Jam një natyrë që më pëlqen të bëj gjëra të ndryshme dhe, fatmirësisht, kuptova që flauti mund të ma jepte këtë kënaqësi: mund të merresha me muzikë, që është një univers i pafund me të reja për t’u zbuluar”.Eksplorimi i kësaj bote e çoi të përqendrohej veçanërisht tek flauti barok dhe ai klasik. “Këto instrumente janë paraardhësit e flautit të sotëm”, sqaron ajo dallimet mes flautit të cilësuar nga muzikantët dhe studiuesit si flaut modern, nga pararendësit e tij, që ndryshe nga ai bashkëkohësi prej metali, janë të punuar me dru. Daorsa Dervishi luan pikërisht me një të tillë.

https://www.youtube.com/watch?v=X7xvam42A_8

“Janë instrumente prej druri dhe kanë një tingull të mrekullueshëm, volum më të ulët, por të pasur me harmonikë dhe, ndërsa me flautin klasik nis eksperimentimi i shtimit të çelësave, në flautin barok ndodhet vetëm një çelës. Një sfidë e bukur është të jesh e intonuar sepse, këto instrumente ndërtohen në mënyrë artizanale dhe gjatë lojës, duhet të zotërosh një teknikë shumë të mirë për të korrigjuar akordaturën”, sqaron ajo anën teknike dhe sfidat profesionale të lojës në flaut. Nëse në Europën Perëndimore, ku kjo muzikë lindi dhe mori hov, ishte thuajse i humbur nga veshët për një shekull dhe pak i luajtur, në Shqipërinë e kohës kur Dervishi studionte ishte edhe më pak, për të mos thënë asfare i njohur apo i studiuar.“Kam folur gjithnjë për mënyrën e interpretimit të kësaj periudhe, sepse nuk mund të luhet një pjesë baroke me të njëjtat kritere që luhet një pjesë romantike, duhet patjetër dokumentimi, konsultimi i traktateve të çdo periudhe. Për këtë arsye bëhen studime specifike”, shpjegon Dervishi, duke iu referuar intervistave të mëhershme, kur do të thoshte se atëkohë, në fazën e parë të studimit të flautit, nuk do ta mendonte se do të studionte flaut barok.

“Të luash notat me pasion dhe të mjaftohesh me kaq nuk është tjetër veçse një punë sipërfaqësore. Përgjatë këtyre studimeve specifike, natyrisht, përballesh edhe me zbulimin e partiturave që nuk janë botuar më parë, që gjenden akoma në dorëshkrime”. Dervishi do të sillte për herë të parë në Shqipëri, me përkrahjen e violinistit të mirënjohur Florian Vlashi, në koncertet e Bienales “Netët e Muzikës Klasike”, koncertin për flaut, orkestër harqesh dhe basso continuo të kompozitorit italian të epokës baroke dhe klasike, Giovanni Battista Ferrandinit të cilin, thotë ajo, “e transkriptova nga dorëshkrimi i hershëm”. Edhe Ferrandini si një fëmijë gjeni, hyri në oborrin e Dukës Ferdinand të Bavarisë, në moshën 12 vjeçare, si oboist dhe gjatë karrierës së tij shkroi disa opera dhe kantata.


Kjo punë, shton flautistja, është gjithnjë në zhvillim e sipër dhe thotë se ka ende shumë për të sjellë.Flauti i saj duket se ka magjinë ta transportojë publikun, përmes tingujve, në një tjetër epokë, siç ndodhi në rastin e koncertit Baroku vishet me Rozë, në oborrin e përndritur të Frederikut të Madh të Prusisë.“Do të thosha në një botë tjetër”, shton ajo, ndërsa e ka fjalën pikërisht për atë efekt transportues që muzika, ka. “Unë mendoj se, çdo muzikant i mirëfilltë duhet të kërkojë dhe të zbulojë sa më shumë informacione mbi pjesën që luan, të dokumentohet mbi kompozitorin, periudhën, mënyrën dhe rregullat e interpretimit për t'i qëndruar sa më besnik dhe sa më pranë idesë së kompozitorit”.Ky proces, thotë e bindur ajo, nuk duhet të shtypet, por duhet të ecë paralelisht me interpretimin personal.“Interpretuesi duhet të kapë, të kuptojë, emocionalisht sensin e një kompozimi dhe, nëpërmjet zotërimit të plotë të teknikës të elementeve ekspresivë, ia përcjell publikut. Vetëm nëse interpretuesi emocionohet kur luan, do të emocionohet edhe publiku”, thotë Dervishi duke cituar, të birin e një nga kompozitorëve më të mëdhenj të periudhës Baroke, Johann Sebastian Bach. Carl Philip Emanuel Bach, kompozitori klasik, në traktatin “Versuch über die Wahre Art das Klavier zu spielen”, më 1753 shin, në kapitullin me udhëzimet e tij mbi interpretimin.


Daorsa Dervishi, e zhvillon aktivitetin e saj koncertor në formacione të ndryshme dhome me flautin barok, klasik dhe modern dhe gjatë karrierës ka performuar në institucione të rëndësishme si, Akademia e Arteve në Tiranë, Teatri i Durrësit, Instituti Peri i Rexhio Emilias, Teatri Fraschini i Pavisë, Akademia e Brerës në Milano, Bazilika e Shën Markut në Milano, Tribuna e Davidit, në Firence dhe teatri Migjeni në Shkodër. Ajo është gjithashtu një prej themelueseve të Ansamblit Shqiptar Barok, formacionit me të cilin performoi mbrëmjen e 8 dhjetorit dhe jo vetëm, edhe në shumë ngjarje muzikore. “Ndonëse me bashkëthemeluesit, klaviçembalistin Jusuf Beshiri dhe violonçelistin/ viola da gamba Perikli Piten, njiheshim prej kohësh, grupi lindi, me rastin e Festivalit të parë shqiptar dedikuar muzikës së vjetër, “Vox Baroque”, ideator dhe drejtues i të cilit është vetë Jusuf Beshiri”, rrëfen Dervishi.


Ky festival ndërkombëtar i muzikës baroke, është i vetmi aktivitet i llojit të tij, që zhvillohet në Shqipëri. Një festival që synon gërshetimin mes përhapjes së repertorit antik, rigorozisht të ekzekutuar sipas rregullave të traktateve të kohës dhe iniciativave alternative promovuese të atyre artefakteve, pjesë të trashëgimisë kulturore kombëtare. “Një element i rëndësishëm që iu bashkua grupit tonë gjatë edicionit të dytë të Festivali është violinistja Koldiana Babo”, thotë ajo. Secili prej muzikantëve, ushtron aktivitetin individual, që për shkak të intensitetit, nuk u ka bërë të mundur, pavarësisht dëshirës, që të bëhen bashkë edhe përtej ngjarjeve koncertore apo festivalit; për realizimin e një albumi muzikor me muzikës të vjetër. “Por kjo nuk përjashton projekte të ardhshme”, shton ajo.

https://www.youtube.com/watch?v=mggVUyAJ7lo


Nismën e festivalit “Vox Baroque” e sheh si një plus, për veprimtaritë muzikore që zhvillohen në skenat shqiptare. “Por nuk duhet të mjaftohemi me kaq”, mendon muzikantja. Edhe pse nuk u prezantua si përfaqësuese e muzikës baroke, gjatë performancave në Shqipëri, zgjoi kureshtje të madhe tek studentët e klasës së flautit. Kjo i bëri të mendonin se Shqipëria kishte nevojë të dëgjonte tinguj të rinj, dhe të gostitej me shije të vjetra, për botën, por të reja për vendit. “Krijimi i katedrës së klaviçembalit, me pedagog Jusuf Beshirin, në Universitetin e Arteve, në Tiranë, ishte një dritë shprese për vëmendjen kundrejt kësaj gjinie”, thotë Dervishi dhe pas kësaj katedre, hapi i mëpasshëm mendohej të ishte, siç thotë ajo krijimi i një Laboratori të mirëfilltë Barok, si në të gjithë universitetet evropiane.

“Mirëpo, deri më sot, ndonëse gatishmëria jonë për të dhënë kontributin tonë edhe në Shqipëri, si pionierët e parë të specializuar në muzikën e vjetër, nuk po bëhen hapa të mëtejshëm. Shpresoj që edhe për këtë fenomen drejtuesit përkatës të mos bëjnë hapa mbrapa, por të jenë të vëmendshëm kundrejt standardeve europiane”, përfundon Dervishi. Ajo gjithashtu, ka interpretuar në Festivalin Lodoviciano të Viadanës si soliste, ashtu edhe në rolin e flautit të parë të orkestrës së festivalit, në stinët konceptore “Concerti nel Chiostro” në Milano, “Ricerca D’Ascolto” në Kremona, “Danzal Parco” në Breshia, “Note Barocche” në Vale Skrivia, Netët e Muzikës Klasike në Durrës, Festivali i Muzikës në Krema apo Festivali i Muzikës Antike “Suoni d’Arte”, në Xhenova.Për flautin, epoka e artë është cilësuar pikërisht ajo Baroke, ku kompozitorë të mëdhenj i kanë kushtuar flautit, disa prej veprave më trallisëse të katalogut muzikor. Si flautiste, Daorsa Dervishi ndihet si në shtëpinë e saj, kur shëtit përmes tingujve në oborret mbretërorë të asaj kohe që i dhuroi botës vepra të mrekullueshme muzikore, që edhe sot, kanë fuqinë të të transportojnë në kohë dhe botë të tjera, më të bukura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë