Analize

Ndryshon historia në Stamboll, Erdogan humbet ‘folenë e tij politike’

"Nga ky qytet në kemi rikthyer sot demokracinë në mbarë Turqinë”. Këto ishin fjalët e para të Ekrem Imamoğlut, kryebashkiakut të ri të Stambollit pas fitores dërrmuese kundër kandidatit të partisë së Presidentit Rexhep Tajip Erdogan. Pas 25 vjetësh në pushtet, presidenti turk ka humbur tanimë “folenë” e tij politike, duke marrë një goditje të rëndë nga votuesit turq, të cilët duket se kanë i dërguar një mesazh të fuqishëm për qeverisë e tij: rikthimin në demokraci. Kjo është humbja më e madhe e pësuar nga partia e Erdoganit (AKP) që nga themelimi i saj dhe ka gjasa të jetë fillimi i fundit të presidentit turk.

Përsëritja e zgjedhjeve lokale në Stamboll mund të quhet tanimë vetëvrasja politike e Erdoganit pasi vetë ai kishte pranuar para votimit të së dielës se "kushdo që fiton Stambollin, fiton Turqinë".

Në reagimin e tij të parë në Twitter, presidenti turk duket se pranoi kësaj radhe humbjen duke i hapur rrugën fitores së opozitës pas më shumë se dy dekadash udhëheqje në Stamboll. "Unë e përgëzoj Ekrem Imamoglu, i cili ka fituar zgjedhjet në bazë të rezultateve paraprake", shkruante Erdogan.

Ekrem Imamoglu

Qindra përkrahës të Imamoglut u mblodhën në fortesën e tij, në Beshiktash. Të rinjtë festuan më flamuj turq, fotografi të Ataturkut dhe maska të kryebashkiakut të sapozgjedhur. Shumë nga këta të rinj kanë parë vetëm AKP-në dhe Presidentin Erdogan në pushtet. Për ta, fitorja e Stambollit është një mundësi për të nxitur ndryshime të mëdha në të gjithë vendin.

"Shumë të rinj dëshirojnë të largohen nga Turqia" thotë Ayca Yilmaz, një studente 22 vjeçar. "Por tani, ne mund ta konsiderojmë të qëndrojmë këtu, sepse sot na është rikthyer shpresa”, tha ajo.

Mbështetësit e Imamoglut festuan në rrugët e Stambollit deri në orët e para të mëngjesit, kur u konfirmua se ish-biznesmeni i njohur triumfoi me pothuajse 800,000 vota.

Duke folur nga Beshiktashi, fortesa e tij politike, Imamoğlu deklaroi se: Ne kemi ardhur këtu për të përqafuar të gjithë. Ne do ta rikthejmë demokracinë në këtë qytet, do ta rikthejmë drejtësinë dhe barazinë. Në këtë qytet të bukur, ju premtoj se ne do të ndërtojmë të ardhmen".

"Kjo e përsëritjes së zgjedhjeve ishte një bumerang për qeverinë dhe them se do t’i japë fund diktaturës", thotë Gülçan Demirkaja, një 48 vjeçare që kishte dalë për të festuar në lagjen Kagithane të Stambollit. "Nëse Zoti e do, do të doja ta shihja Imamoglun si president pas pesë vitesh. Sundimi nga një njeri i vetëm duhet të mbarojë", shton ajo.

Pas Erdoğanit edhe dhe rivali i tij, ish-kryeministri Binali Yıldırım i uroi Imamoglut fat si kryebashkiak. Presidenti turk dhe partia e tij vazhdojnë të kenë mbështetje të fortë midis turqve të devotshëm dhe konservatorëve, por recesioni ekonomik, kriza financiare dhe kontrolli gjithnjë e më i ashpër i Erdoganit ka alarmuar pjesën më të madhe të votuesve.

Rezultatet ka të ngjarë të shkaktojnë një kapitull të ri në politikën turke, pasi tre qytetet më të mëdha të vendit mbahen tanimë nga opozita. Humbja e Stambollit pritet të shkaktojë përçarje brenda partisë të Erdoğanit, duke i zhvendosur fokusin tek mankthi i tij më i madh: problemet ekonomike.

"Humbja e Stambollit do të ketë një ndikim në të ardhmen e politikës turke duke pasur parasysh margjinën e fitores. Është një shenjë alarmante për anëtarët e AKP-së ", thotë Sinan Ülgen, studiues dhe ish-diplomat turk në Bruksel.

Analistët thonë se humbja mund të shkaktojë një riorganizim të kabinetit në Ankara dhe ndryshime në politikën e jashtme. Kjo mund të çojë edhe mbajtjen e zgjedhjeve kombëtare përpara vitit 2023.

Presidenti Rexhep Tajip Erdogan

"Turqia tani duhet të kthehet në agjendën e saj të vërtetë, procesi zgjedhor duhet të mbyllet," tha udhëheqësi i partisë MHP Devlet Bahceli. “Por më vonë duhet të flasim edhe për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme”.

Pasiguria mbi fatin e Stambollit dhe vonesat e mundshme në reformat ekonomike kanë tronditur tregjet financiare në Turqi. Kërcënimet me sanksione nga Shtetet e Bashkuara nëse Erdogani instalon një sistem rus për mbrojtjen nga raketat gjithashtu kanë pasur pasoja në ekonomi.

AKP-ja gjithashtu humbi kontrollin mbi Ankaranë në zgjedhjet lokale të marsit, të cilat u mbajtën ndërkohë që Turqia luftonte me inflacionin e lartë dhe rënien e vlerës së lirës.

Stambolli, një qytet me më shumë se 15 milionë banorë, tërheq miliona turistë çdo vit dhe është qendra tregtare dhe kulturore e Turqisë. Ai përbën 31% të PBB-së së Turqisë.

Vetë Erdogan ka sinjalizuar më parë një mungesë vullneti për të punuar me një kryebashkiak të opozitës, duke thënë se partia e tij kontrollon 25 nga 39 rrethet e Stambollit dhe se ka shumicën në kuvendin komunal. Por Imamoglu premtoi të punonte me zyrtarët e opozitës.

Duke iu drejtuar Erdoganin në një fjalim, ai tha: "Jam gati të punoj me ju për të zgjidhur problemet e Stambollit". Ozgur Unluhisarcikli, drejtori i zyrës së Fondit Marshall në Ankara argumentoi se humbja e Stambollit ka gjasa të ushqejë përçarje edhe midis mbështetësve të presidentit turk.

"Tani është e qartë se një pjesë e konsiderueshme e votuesve të AKP-së janë seriozisht e pakënaqur nga politikat e qeverisë. "Opozita është më e bashkuar se kurrë, por AKP-së është tejet e përçarë", tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë