Analize

Ndryshimi i kufijve, Italia: Gati të ndërmjetësojmë. Britania kundër

Ndërkohë që Britania e Madhe paralajmëron se ndryshimi i kufijve do të ishte katastrofik për Kosovën, Italia fqinje ka dalë pro skenarit për shkëmbimet territoriale, duke sinjalizuar kështu një tjetër përplasje mes aleatëve historikë të Prishtinës.

Me anë të një reagimi të papritur, Roma zyrtare duket se është pozicionuar në frontin e vendeve që mbështetin ndryshimin e kufijve të Kosovës, madje është shprehur e gatshme edhe të ndërmjetësojë në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës.

Kryeministri italian, Xhuzepe Konte ndodhet sot në një vizitë zyrtare në Serbi, ku pritet të diskutojë ndër të tjera edhe për dialogun me Kosovën dhe arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

Një ditë para se Konte të arrinte në Beograd, Carlo Lo Cascio, Ambasadori i Italisë në Serbi, ka deklaruar se marrëveshja me Prishtinën duhet të arrihet sa më parë, pasi sipas tij kjo marrëveshje finale sjell stabilitetin në rajon. Roma zyrtare ka theksuar po ashtu sipas saj në dialogun Kosovë-Serbi nuk duhet të ketë vija të kuqe, edhe nëse ato përfshijnë kufijtë.
Cascio ka thënë se Serbia dhe Kosova duhet që të punojnë për arritjen e një marrëveshjeje, pasi sipas tij Italia përkrah dialogun që po zhvillohet në Bruksel.

Xhuzepe Konte

Ambasadori italian është pajtuar me qëndrimet e kryediplomates së Bashkimit Evropian Federica Mogherini se nuk do të ketë vija të kuqe në bisedimet mes dy vendeve, duke thënë se cilado që është marrëveshja që do të arrihet në Bruksel, Italia do ta respektojë.

Roma zyrtare u ka bërë thirrje të dyja palëve që t’i kthehen bisedimeve në Bruksel në mënyrë që të arrihet marrëveshja historike, duke thënë se fillimisht Prishtina zyrtare duhet që të heqë taksën ndaj produkteve serbe, e cila ka bllokuar dialogun prej tre muajsh.

Marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës sipas Italisë, është prioritet i Bashkimit Europian për Ballkanin. Sipas ambasadorit, Serbia mund të luajë rol për sigurimin e stabilitetit në Ballkan, kurse Kosova mund të kontribuojë kësaj sigurie dhe paqen në rajon.

Ndërkohë, në prag të vizitës së tij në Beograd, kryeministrit të Italisë, Giuseppe Conte, ka folur për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale në mes të dy vendeve, investimet dhe mbështetjen për integrimin e Serbisë në BE.

Kjo është hera e parë që nga marrja e detyrës, që Konte po udhëton drejt Ballkanit Perëndimor. Mediat serbe shkruajnë se Beogradi ka përgatitur një ceremoni mirëseardhje për kreun e qeverisë italiane para Pallatit Presidencial të Serbisë.

Konte ka zhvilluar një takim me kryeministren serbe, pasuar nga një mbledhje plenare e delegacioneve të dy qeverive.Ai do ta vazhdojë vizitën e tij me një takim me presidentin Aleksandër Vuçiç. Përpara vizitës së tij, Vuçiç i tha agjencisë italiane ANSA në një intervistë, ndër të tjera, se mbështetja e Romës ishte "vendimtare për ekonominë e Serbisë, rrugën evropiane të vendit tonë dhe zgjidhjen e çështjes së Kosovës".

Por ndërkohë që Italia është treguar e hapur për ndryshimin e kufijve të Kosovës, duke dalë kështu kundër vullnetit të kancelares Angela Merkel, pas deklaratës së ambasadorit italian erdhi edhe një reagim i prerë nga qeveria britanike.

Deklarata e bërë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi se nuk do të ketë këmbime territoriale me Serbinë, duket se e ka kënaqur Britaninë e Madhe. Deputetët britanikë kanë deklaruar në debatet parlamentare të martën se ata janë kundër idesë së ndryshimeve të kufijve.

Deputet, John Grogan tha se është "i lumtur që presidenti i Kosovës deklaroi javën e kaluar se nuk do të ketë këmbime territoriale", duke ngritur alarmin se në Londër janë paguar shumë para për mbështetjen e këtij skenari.

Boris Xhonson dhe Presidenti Hashim Thaci

"Vitin e kaluar, ai foli për shkëmbime territoriale me Serbinë, por kjo ishte një lëvizje mjaft e gabuar. Shumë para janë shpenzuar për të lobuar në favor të këtij skenari në Londër dhe vende të tjera, por jam i lumtur që presidenti e ka ndërruar mendjen. Kryeministri dhe parlamenti kishin të drejtë të shqetësoheshin për këtë propozim, sepse kjo mund të destabilizonte vendin ", tha Grogan.

Ndërkohë Ministri britanik i Shtetit për Evropën dhe Amerikën, Alan Duncan tha se Kosova dhe Serbia duhet të ndjekin shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, duke thënë se ai pret që ushtria e Kosovës të vazhdojë të veprojë krahas KFOR-it. Sipas tij, është në dorën e Kosovës që të pezullojë taksën ndaj importeve të Serbisë dhe të lejojë rifillimin e dialogut.

"Është në interesin më të mirë të Kosovës për të ruajtur vrullin dhe për të arritur një marrëveshje. Britania e Madhe beson se një marrëveshje e bazuar në ndryshimet e kufijve është një kërcënim për stabilitetin e Kosovës, Serbisë, Bosnjës dhe Maqedonisë së Veriut. Ndryshimet do të ishin të rrezikshme dhe do të përdoreshin nga palët e tjera në rajon dhe jo vetëm", tha Duncan.

Ushtria britanike në Kosovë

Ministri tha se të dyja palët duhet të përqendrohen në arritjen e një marrëveshje që do të forconte sigurinë dhe stabilitetin bazuar në parimet e multietnicitetit.

Po edhe pse vende të fuqishme si Britania e Madhe dhe Gjermania kanë thënë se janë kundër idesë së shkëmbimeve territoriale midis Kosovës dhe Serbisë, SHBA-ja ka deklaruar se do të pranojë çdo marrëveshje mes dy palëve. Presidenti Donald Trump po u bën prej kohës presion Prishtinës dhe Beogradit për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve, ndërkohë që një sërë ekspertësh janë të bindur se arsyeja e vetme pse marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë nuk është arritur ende, është kundërshtimi i Berlinit dhe Londrës.

Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se ideja për ndryshimet kufitare është një ide e vjetër e organizuar nga Serbia. Ai gjithashtu ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin është gjithashtu i interesuar të shohë ndryshimet e kufijve në Ballkan, sepse ai dëshiron të rivendosë ndikimin e Moskës në vendet që dikur ishin nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë