Shoqata e Prokurorëve të Shqipërisë ka reaguar pas prezantimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës penale nga Kryeministri Rama ditën e djeshme.
Shoqata e Prokurorëve shprehet se ndryshimet e fundit në Kodin e Procedurës Penale cenojnë sekretin hetimor, ndërsa shton se barrierat procedurale mund të ngadalësojnë hetimet.
“Mbrojtja e të drejtave të personit nën hetim dhe të pandehurit nuk është pengesë për drejtësinë penale, por kusht themelor i saj.
Në të njëjtën kohë, një procedurë penale demokratike duhet të garantojë edhe aftësinë reale të shtetit për të zbuluar veprat penale, për të mbledhur dhe ruajtur provat, për të identifikuar autorët dhe për të mbrojtur viktimat dhe interesin publik. Një kod procedural ka nevojë për stabilitet të mjaftueshëm që institucionet ta zbatojnë në mënyrë të njëtrajtshme, që praktika gjyqësore të konsolidohet, që Gjykata e Lartë të mund të zhvillojë funksionin e saj njësues dhe që profesionistët e sistemit të krijojnë standarde të qëndrueshme pune.
Prandaj, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit procedural penal krijojnë, në vetvete, një problem të sigurisë juridike dhe të parashikueshmërisë së zbatimit të ligjit”, thuhet në reagim.
Shoqata e Prokurorëve vlerëson se ndërhyrje të përmasave të tilla, që prekin themelet e hetimit penal, balancën ndërmjet subjekteve procedurale, si dhe vetë funksionalitetin e sistemit të drejtësisë penale, duhet të mbështeten në një analizë të qartë të problemeve të konstatuara në praktikë dhe në një vlerësim të plotë të ndikimit të ndryshimeve të propozuara.
“Nga analiza paraprake e projekt-ndryshimeve të prezantuara, konstatojmë me shqetësim se një pjesë e konsiderueshme e dispozitave, në vend që të rrisin efektivitetin e ndjekjes penale dhe garantimin e drejtësisë penale, rrezikojnë të fragmentojnë kompetencat mes subjekteve procedurale, të ngadalësojnë ndjeshëm zbulimin e veprave penale, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të kufizojnë ndjeshëm informimin publik, duke cenuar interesin publik dhe besimin e qytetarëve te drejtësia”, shkruan Shoqata e Prokurorëve, duke shtuar se në mënyrë të veçantë, konstatohet një prirje për kufizim të kompetencave dhe mjeteve të kërkimit të provës në dispozicion të prokurorit gjatë fazës së hetimeve, duke vendosur barriera procedurale për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe përdorimin e provave të tjera.
“Ky kufizim vlerësohet si i pajustifikuar, teksa prokurori është magjistrat, i pavarur në ushtrimin e funksionit, si dhe ka kurdoherë detyrimin për të grumbulluar të gjithë provat që tregojnë njësoj si fajësinë, ashtu edhe pafajësinë e personit”.
Në këtë kuptim, shkruhet në reagim, çdo ndryshim duhet të niset nga kjo premisë dhe jo nga një mosbesim i përgjithësuar ndaj funksionit të prokurorit.
“Projektligji ndërthur institute dhe zgjidhje të marra nga modele të ndryshme procedurale, pa qenë gjithmonë e qartë filozofia unifikuese e tyre. Një dispozitë nuk mund të transpozohet mekanikisht nga një sistem ku hetimin e drejton një organ tjetër, ku prokurori mund të ketë status dhe funksion të ndryshëm ose ku ekziston një gjyqtar hetues me kompetenca të plota, dhe të vendoset në një sistem ku Kushtetuta dhe Kodi ia ngarkojnë prokurorit drejtimin dhe përgjegjësinë e hetimit”.
Në projektligjin e ri thuhet se Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti, gjykata duhet të caktojë gjendjen pasurore dhe çdo muaj prokurori duhet t’i raportojë gjykatës nëse arsyet e masës ekzistojnë.
Rama deklaroi se këto ndryshime në Kodin e Procedurës Penale nuk i heqin prokurorisë kompetencat për të përgjuar, kontrolluar, sekuestruar, hetuar pasurinë apo bashkëpunuar ndërkombëtarisht, “por ndryshon mënyrën e ushtrimit të këtyre kompetencave dhe forcon atë që na mungon dramatikisht, kontrollin e gjykatës mbi to.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje