Futboll

Ndryshime të Inter, prezantohet presidenti i ri

Në fushë çdo gjë po shkon siç duhet këtë sezon për Inter, por edhe jashtë fushës, duket se gjërat po shkojnë në vijën e duhur për ekipin zikaltër. Gjatë mbledhjes së aksionerëve të klubit milanez ditën e premte do të vendoset për disa ndryshime kupolën drejtuese të klubit. Në krye të Inter për herë të parë do të jetë në rolin e presidentit një 26-vjeçar, Stiven Zhang. Ai është djali i Zhang Jindong, pronari i kompanisë kineze, Suning, që ka blerë Inter dhe ka pjesën më të madhe të aksioneve.

https://twitter.com/Inter_en/status/1055760956536643584

Prej kohësh Zhang kishte marrë në kontroll ekipin, por vetëm gjatë ditës së premte kalimi është bërë formal. Kështu Inter largon nga timoni i klubit, Erik Tohir pas më pak se 6 vite, kur indoneziani e bleu klubin nga Masimo Morati.

Tohir për momentin do të vijojë të mbajë pjesën e tij të aksioneve në Inter, që janë në masën e 35% edhe pse besohet se shumë shpejt ai do të largohet tërësisht nga klubi zikaltër i Milanos. Suning dhe Tohir janë prej kohësh në negociata për të kaluar të gjitha aksionet e Inter në dorë të kompanisë kineze, por ende nuk është vendosur asgjë.

Sipas GdS me kalimin e Stiven Zhang në krye të klubit, mund të thuhet se tashmë Inter është tërësisht me indentitet kinez. Gjatë muajit dhjetor besohet se do të mbyllet marrëveshja e Tohir për t’i kaluar të gjitha aksionet tek Suning. Me Zhang në krye Inter do të ketë me të lehtë manovrimin në raport me partenrët komercialë por edhe në merkato.

Por ky nuk do të jetë ndryshimi i vetëm te Inter. Klubi zikaltër po përgatit infrastrukturën për të pritur në drejtimin e tij edhe ish-drejtorin e përgjithshëm të Juventus, Bepe Marota. Ky i fundit pas largimit nga drejtimi i klubit torinez është shumë pranë kalimit në Milano. Mediat italiane flasin prej ditësh për një takim me Stiven Zhang dhe Marotës, por deri më tani nuk është konkretizuar asgjë. Arsyeja e vonesës është dëshira e presidentit zikaltër për t’u siguruar që nuk do të ketë asnjë përplasje kompetencash mes drejtorit sportiv të Inter, Piero Ausilio dhe Bepe Marotës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë