Rend dhe Ligj

Ndihmë për kalim të kufirit, dy të arrestuar

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Policia thotë se janë vënë në pranga 2 shtetas, pasi u kapën duke transportuar 6 shtetas të huaj nga vendet e treta.

Në pranga janë vënë shtetasit E. Gj., 24 vjeç, banues në Tiranë dhe S. H., 59 vjeç, banues në Gramsh.

Siç njofton policia, arrestimi i shtetasit E. Gj. u bë për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, ndërsa arrestimi i shtetasit S. H. (punonjës policie në burgun e Peqinit), i cili ka qenë me uniformë policie në momentin e arrestimit, u bë për veprat penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, pasi u kapën në qytetin e Gramshit, duke transportuar me mjetin e tyre, 6 shtetas sirianë, për të kaluar kufirin, me destinacion vendet e BE-së.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 4 aparate celular, një armë zjarri, stema dhe dokumenti i policisë i shtetasit S. H., si dhe mjetin me të cilin qarkullonin.

Policia thotë se në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan vazhdojnë hetimet për vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë