Futboll

“Ndeshje” nderi për Konten, kërkon 23 mln euro nga Abramoviç

Antonio Konte dhe Roman Abramoviç në luftë të ashpër me njëri-tjetrin. Përfaqësuesit ligjorë të trajnerit italian janë në një betejë me organet e drejtësisë angleze për të marrë atë çfarë parashikonte kontrata e zgjidhur në mënyrë të njëanshme në korrik nga Çelsi. Klubit londinez ia lejonte kontrata këtë vendim, pasi kishte arsye për prishjen e kontratës. Konte ndërkohë i është drejtuar gjykatës për prishje imazhi dhe shtypi anglez ka zbuluar shifrën që ai kërkon. Çelsi i detyrohet trajnerit 13 milionë euro për prishjen e parakohshme të marrëveshjes, ndërsa prishja e imazhit vlerësohet nga 5 deri në 10 milionë euro, kështu që totali shkon deri në 23 milionë euro.

Klubi anglez ka kërkuar një akord me trajnerin italian në atë kohë, pasi e ka këtë të drejtë. Por Konte, për çështje kohe, nuk është paraqitur në takimet me avokatët e Abramoviçit dhe nuk i njeh kushtet e ofertës së tyre për mbylljen e parakohshme të kontratës. “League Manager Association” ka angazhuar një avokat për t’i shkuar kësaj çështje deri në fund, pasi rrezikohet të krijohet një precedent i rrezikshëm për trajnerët. Çelsi edhe më parë ka vepruar kështu me trajnerët, siç është rasti i Mourinjos. Në Londër, “era” nuk po fryn në favor të oligarkut rus, që jo rastësisht kërkon ta shesë klubin për 3 miliardë sterlina. Në sfond është tensioni anglo-rus, që e ka detyruar Abramoviçin të marrë nënshtetësi izraelite.

Konte dhe Abramoviç në tribunën e stadiumit

Çelsi kërkon të shpenzojë sa më pak të jetë e mundur dhe e justifikon prishjen e kontratës me Konten me disa pika që vërtiten rreth çështjes “Diego Kosta”, që ka dëmtuar klubin. Sulmuesi spanjoll, në 2017-ën bëri publik mesazhin, me të cilin Konte e “përjashtonte” nga grupi. Trajneri e akuzonte se nuk stërvitej si duhej. Kosta u shit më pas për 54 milionë euro, me një plusvalencë prej 30 milionësh. Në korrik të 2017-ës Abramoviç i rriti rrogën trajnerit dhe, nëse ndihej i dëmtuar, logjikisht duhej të kishte ndërhyrë atëherë. Argumenti “Digo Kosta” u bë objekt diskutimi një vit më pas. Çelsi nuk e ka ndëshkuar asnjëherë lojtarin për faktin që ka dhunuar privatësinë, duke bërë publik mesazhin e skandalit.

Për të përforcuar akuzat e tyre, avokatët e Çelsit kanë ngritur edhe disa shqetësime të tjera që kanë të bëjnë me problematikën e Kontes: vonesat e tij në konferencat e shtypit, pasi shpenzonte shumë kohë në dhomat e zhveshjes me lojtarët, vonesat apo dhe mungesat në takimet me sponsorët e klubit, si dhe parkimin e Nisanit të tij në qendrën sportive në vende që nuk ishin për të. Për këto akuza Konte nuk ka reaguar. Trajneri është ankuar për mënyrën e divorcit me klubin londinez. Akordi mes Çelsit dhe Sarrit u arrit në maj, pasi Napoli me vështirësi e liroi trajnerin e vet. Fatal në atë kohë ishte tensioni me ish-trajnerin e Italisë. Konte fiksoi grumbullimin e skuadrës më 27 qershor, por klubi kërkoi që të bëhej dy ditë më parë. Pastaj, 7 ditë pas grumbullimit, erdhi shkarkimi më 4 korrik. Shumë vonë, sipas avokatëve të Kontes, sepse kështu i mohoi të drejtën atij të hynte në bisedime me klubet e tjera para nisjes së sezonit.

Konte dhe Mourinjo

Konte ishte i lirë të firmoste më çdo skuadër, por “flirti” i munguar me Realin e Madridit konfirmoi se ai donte ta planifikonte më mirë të ardhmen e tij. Ai kërkon të marrë drejtimin e klubeve të nivelit të lartë dhe i pëlqen të zëvendësojë Mourinjon te Mançester Junajtid. Në Angli ndihet si në shtëpi dhe përplasja me Abramoviçin është edhe një çështje nderi. Në fillim të 2019-ës pritet të ketë hapa konkretë nga drejtësia angleze. “Mundja e dorës” me Çelsin dhe Abramoviçin vazhdon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë