Futboll

Ndeshja e madhe luhet në tribuna, Partizani-Tirana e varfër në fushë

“Air Albania Stadium” do të përjetojë një atmosferë shumë të zjarrtë sot në mbrëmje, kjo duket e sigurt nga shitja rekord e biletave. Stadiumi i ri pret për herë të parë derbin e kryeqytetit për llogari të javës së 15-të të Superiores. Ndeshja e madhe duket se do të luhet në tribuna, edhe pse ka një raport të zhdrejtë mes dy tifozërive, ku ajo e Partizanit është në maxhorancë absolute. Në fushë situata nuk është edhe aq premtuese.

Kualiteti i dy skuadrave, që nuk është i ndonjë niveli shumë të lartë këtë sezon, është zbehur nga disa mungesa të rëndësishme në secilën prej tyre. Si te Partizani, ashtu edhe Tirana, mungojnë titullarë që kanë një marrëdhënie shumë të mirë me topin dhe i shtojnë nuancat e spektaklit ndeshjeve të tilla, por sot në mbrëmje do të jenë tifozë edhe ata. Bruno Telushi dhe Esat Mala janë dy mungesa të mëdha te Partizani, i pari për shkak kartonësh dhe i dyti për një sjellje kapriçoze në raport me klubin, drejtuesit e të cilit kanë vendosur ta “ngujojnë”. Mala nuk ka pranuar kushtet e klubit për rinovimin e kontratës. Një tjetër mungesë te Partizani, edhe ajo në mesfushë, është Ron Broja, i skualifikuar. Trajneri Lerda ka menduar që t’i besojë një fanellë titullari Hysenit.

Esat Mala, një nga mungesat e Partizanit, në dyluftim me Kale gjatë derbit të parë. Gazet Si, 13 dhjetor 2019 .

Tirana vjen në derbin e sotëm me disa mungesa, ku veçohen ato të Edon Hasanit dhe Tefik Osmanit. Hasani është një nga lojtarët që ka shënuar rregullisht për bardheblutë dhe mungesa e tij patjetër do të ketë ndikim sa i takon çështjes së golit. Po ashtu, edhe përvoja e Osmanit do të ishte e nevojshme në një ndeshje si kjo me të kuqtë. Ismael Dunga është sulmuesi që mungon prej disa javësh te Tirana, që sot do t’i ketë shpresat te “problematiku” Majkëll Ngo.

Edon Hasani, mungesa e madhe e Tiranës në derbi. Gazeta Si, 13 dhjetor 2019

Derbi i sotëm është nga ato ndeshje, që asnjëra nga skuadrat nuk duhet ta humbasë, sidomos Tirana, që vjen me 6 pikë diferencë nga të kuqtë kryesues dhe pas dy humbjeve radhazi. Te Partizani kanë shumë më pak presion, edhe pse vijnë nga humbja në Ballsh. Tirana, me trajnerin provizor Emanuel Egbo, do të përpiqet të japë ndonjë shkëndijë rilindje për të thyer edhe tabunë shumëvjeçarë të derbit. Ndoshta “Air Albania Stadium” mund t’i sjellë fat, por teknikisht dhe psikologjikisht lë pak për të shpresuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë