Futboll

Rekord biletash të shitura, rreth 18 mijë një ditë para derbit

Që do të kishte interesim të madh nga tifozët për derbin Partizani-Tirana ishte e qartë, por duket se këtë radhë po thyhet çdo rekord sa i takon biletave të shitura për një ndeshje të Superiores. Partizani, ekipi organizator i ndeshjes, ka bërë të ditur në faqen zyrtare se deri dje në mbrëmje janë shitur deri tani 17.500 bileta. Një shifër shumë e lartë, e pazakontë jo vetëm për kampionatin shqiptar, por edhe për ndeshjet e Kombëtares. Dhe shitja vazhdon edhe sot.

Gjithçka vjen nga fakti se ndeshja luhet në “Air Albania Stadium” dhe tifozët janë kuriozë të shohin nga afër atë që është vlerësuar si një nga stadiumet më të mirë në Ballkan. Edhe pse çmimet e biletave kanë qenë të larta, nga 5 deri në 50 mijë lekë të vjetra, shitja ka ecur me një ritëm të jashtëzakonshëm. Arkëtimet për klubin e Partizanit do të jenë të mëdha këtë herë, por gjysma e tyre, siç bërë e ditur tashmë, do të shkojnë për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Klubi njofton se vazhdon të ketë një interesim të jashtëzakonshëm për derbin Partizani–Tirana, që luhet në “Air Albania Stadium”. Janë 17.500 bileta të shitura përgjatë ditës së sotme (djeshme). Bileta mund të blini edhe nesër pranë pikave të shitjes në stadiumin “Selman Stërmasi”, në dyqanin zyrtar të FSHF-së “Macron”, pranë Ambasadës Amerikane dhe pranë dyqanit “Joma”, rruga e Elbasanit”, shkruan klubi i kuq në një njoftim zyrtar për numrin e biletave të shitura.

Problemi më i madh për derbin do të jetë garantimi i sigurisë. Policia e shtetit garanton rendin vetëm jashtë stadiumit, ndërsa brenda stadiumit klubi i kuq duhet të sigurojë një numër të lartë stiuardësh, pasi asnjëherë më parë në një ndeshje kampionati nuk ka pasur kaq shumë tifozë. As në ndeshjen inauguruese me Francën nuk kishte kaq shumë tifozë në stadiumin e ri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë