Lajme

Masat e Policisë për derbin, Tirana “paralizohet” prej orës 16:00

Për të menaxhuar një numër të madh tifozësh rivalë do të jetë e vështirë për Policinë e Tiranës, që me anë të një njoftimi zyrtar ka bërë të ditur planin e masave për derbin Partizani-Tirana. Sipas këtij plani, do të ketë bllokime rrugësh pranë stadiumit të ri që në orën 16:00, tri orë para nisjes së ndeshjes. Po ashtu, në planin e masave jepen detaje edhe për rrugën që do të ndjekin dy tifozëritë për në stadium, në mënyrë që të mos ketë përplasje mes tyre. Nga Policia e Tiranës merret përsipër garantimi i sigurisë vetëm jashtë stadiumit “Air Albania”.

"Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë në sigurimin e rendit dhe sigurisë publike, në të gjithë territoret jashtë stadiumit dhe në të gjitha rrugëkalimet. Policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e qarkullimit të mjeteve nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, në segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara: Sheshi “Nënë Tereza”; Pjesë të segmentit të rrugës “Lek Dukagjini”; Rruga “Dervish Hima”; Përreth stadiumit “Air Albania”; Do të kufizohen rrugëkalimet gjatë kohës së kalimit të tifozëve të Partizanit dhe Tiranës", thotë Policia.

Po kështu blutë e kryeqytetit kërkojnë mirëkuptimin e tifozëve të Sport Klub Partizanit dhe Sport Klub Tirana që të zbatojnë kërkesat e mëposhtme:

Tifozët e Sport Klub Partizanit do të grumbullohen tek 21 Dhjetori dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga: 21 Dhjetori; ura “Vasil Shanto”; kryqëzimi i rrugës “Komuna e Parisit”, rruga “Sulejman Delvina”; Libri Univeristar; Presidenca drejt për tek COIN; Hyrjet tek tribuna N dhe E të stadiumit dhe anasjelltas;

Tifozët e Klub Sport Tirana do të grumbullohen te Teatri i Kukullave dhe do të kalojnë në itinerarin për tek stadiumi “Air Albania” nga; Ministria e Brendshme, Pedonalja; rruga “Xhorxh Bush”; Ura e Elbasanit, rruga e “Elbasanit”; Ambasada e SHBA-së; Kthim në rrugën “Dervish Hima; Kthim në rrugën “Sheh Ahmet Pazari”; Tribuna “S” dhe kthim anasjelltas;

Policia thotë se garanton dhe siguron lëvizjen e tifozëve përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

"Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara. Do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë apo lëndë piroteknike etj). Çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi. Nuk do të lejohen të futen në stadium fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit. Policia bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike do të ndërhyjë në ambientet e brendshme të stadiumit për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e shkelësve të ligjit në ambientet e Policisë për procedim penal apo administrativ. Ndaj shkelësve do të zbatohen me korrektësi dhe përgjegjësi kërkesat e akteve ligjore në fuqi", thuhet në njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë