Ne rrjet

Ndërsa aleanca e tij politike po shpërbëhet, Netanyahu përballet me një tjetër betejë në shtëpi

Duke luftuar ende armiqtë e jashtëm të Izraelit në fronte të shumta, kryeministri Benjamin Netanyahu u zgjua të hënën në një fushë beteje të re politike në shtëpi brenda vendit te vet.

Largimi këtë fundjavë i Benny Gantz dhe partisë së tij centriste të Unitetit Kombëtar nga qeveria emergjente e Izraelit gjatë kohës së luftës nuk ka gjasa të shkëpusë menjëherë kontrollin e zotit Netanyahu në pushtet. Koalicioni qeverisës i kryeministrit ende komandon një shumicë të ngushtë prej 64 vendesh në Parlamentin me 120 vende.

Pas Z. Gantz edhe Gadi Eisenkot, një tjetër anëtar i fuqishëm i Unitetit Kombëtar, u largua gjithashtu nga kabineti i vogël i luftës i zotit Netanyahu. Ata janë të dy ish-shefa ushtarakë, të cilët konsideroheshin gjerësisht si zërat kryesorë të moderimit në organin pesë-anëtarësh, i cili u formua në tetor, pasi sulmi i udhëhequr nga Hamasi ndaj Izraelit shkaktoi bombardimet izraelite dhe pushtimin tokësor të Gazës.

Dy politikanët e qendrës ngritën besimin e publikut në procesin e vendimmarrjes së qeverisë në një kohë traume kombëtare. Ata gjithashtu i dhanë kabinetit të luftës një atmosferë legjitimiteti dhe konsensusi ndërsa Izraeli luftonte Hamasin në Gaza, si dhe armikun e tij kryesor, Iranin dhe përfaqësuesit e tij të tjerë, duke përfshirë milicinë e fuqishme të Hezbollahut përtej kufirit verior të Izraelit me Libanin.

Z. Gantz e akuzoi zotin Netanyahu për "zvarritje politike", duke sugjeruar se ai kishte shtyrë vendimet strategjike kritike për të siguruar mbijetesën e tij në politikë. Vendimi i tij për t'u larguar nga qeveria e kohës së luftës sjell një periudhë të re paqëndrueshmërie politike dhe i la shumë izraelitë të pyesin se ku po shkon vendi.

Duke e përshkruar tronditjen politike si "tepër të rëndësishme", Yohanan Plesner, president i Institutit të Demokracisë së Izraelit, një grup kërkimor jopartiak në Jerusalem, tha në një deklaratë se izraelitët tashmë i kishin dhënë nota të ulëta qeverisë për një sërë çështjesh të kohës së luftës. Kjo përfshin trajtimin e luftimeve dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, aleatin vendimtar të Izraelit, tha ai.

“Me mungesën e Gantz-it, unë pres që ato nota të bëhen edhe më të ulëta,” tha zoti Plesner.

Z. Gantz kishte lëshuar një ultimatum tre javë më parë, duke paralajmëruar zotin Netanyahu se ai do të shpërbënte qeverinë e emergjencës nëse kryeministri nuk do të dilte me plane të qarta, duke përfshirë atë se kush do të zëvendësonte Hamasin si sundimtar të Gazës së pasluftës dhe si të rikthehej një numër i madh i pengjeve që mbahen ende në enklavën palestineze.

Z. Gantz iu bashkua qeverisë tetorin e kaluar për të nxitur një ndjenjë uniteti në kohë krize. Ai bashkoi forcat me rivalin e tij politik, zotin Netanyahu, pavarësisht mungesës së thellë të besimit mes të dyve dhe historisë së tradhtisë.

Partnerët zyrtarë të zotit Netanyahu që mbeten në kabinetin e luftës janë ministri i tij i mbrojtjes, Yoav Gallant, një rival brenda partisë së tyre konservatore Likud, të cilin zoti Netanyahu u përpoq ta shkarkonte  vitin e kaluar; dhe Ron Dermer, një njeri i besuar i Netanyahut me përvojë më shumë diplomatike sesa politike.

Një kabinet i veçantë dhe më i gjerë sigurie përfshin dy liderë të partisë ultranacionaliste: Itamar Ben-Gvir, ministër për sigurinë kombëtare dhe Bezalel Smotrich, ministër i financave. Të dy duan të rivendosin Gazën me izraelitët.

Z. Ben-Gvir dhe z. Smotrich janë zotuar të dy se do të rrëzojnë qeverinë e zotit Netanyahu nëse ai vazhdon me një propozim izraelit për një marrëveshje që përfshin një armëpushim dhe një shkëmbim pengjesh për të burgosurit palestinezë, e cila, siç është përshkruar nga Presidenti Biden për një javë më parë, në mënyrë efektive do të mbyllte luftën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë