Art dhe Kulture

Ndahet nga jeta kineastja e njohur kosovare, Vjosa Berisha

Nga Gazeta Si - Ndahet nga jeta regjisorja dhe producentja e njohur kosovare, Vjosa Berisha pas një beteje me sëmundjen e kancerit në një spital në Londër.

Lajmi për vdekjen e saj u bë i ditur nga bashkëshorti i të ndjerës, regjisori Fatos Berisha.

“Me pikëllim të thellë bëjmë të ditur se e dashura jonë Vjosa Berisha ndërroi jetë, sot me datë 23 qershor në spitalin University College Hospital në Londër. Datën dhe vendin e varrimit do ta bëjmë të ditur më vonë”, ka shkruar ai.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook e ka konsideruar vdekjen e Vjosa Berishës si një ikje të parakohshme që la zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të regjisores dhe producentes, Vjosa Berisha. Ikja e parakohshme ka ndalur përgjysmë veprimtarinë e saj artistike, menaxheriale dhe kjo lë zbrazëti shumë të madhe në artin dhe kulturën e vendit tonë. Vjosa Berisha, në 50 vitet e saj, la një trashëgimi mbi 20-vjeçare në industrinë e filmit dhe ishte bashkëthemeluese dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit ‘PriFest’ për më shumë se një dekadë. Kolegialiteti, qasja pozitive dhe angazhimi i saj ishte i pashoq dhe do ti mungoj gjithë komunitetit artistik. Sot nuk e humbëm vetëm një artiste, por humbëm një person me vlera të çmuara që kontribuoi pareshtur për kulturën e re të vendit tonë”, shkruan Ministria e Kulturës së Kosovës.

Për ndarjen e saj nga jeta ka reaguar edhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë në vendin tonë dhe i shpreh ngushëllime familjes dhe vlerëson kontributin e saj të madh në industrinë e filmit.

“Ndahet nga jeta kineastja e mirënjohur Vjosa Berisha pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

Vjosa Berisha la pas një trashëgimi mbi 20 vjeçare në industrinë e filmit. Ajo ishte bashkëthemeluese dhe drejtore e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “PriFest” për më shumë se një dekadë. Qendra Kombëtare e Kinematografisë i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve”, shkruan QKK.

Vjosa Berisha ka qenë producente dhe drejtoreshë e përgjithshme e festivalit ‘PriFilm Fest’.

Nëpër intervista televizive, Berisha shquhej për forcën që e karakterizonte e me të cilën po e përballonte sëmundjen e rëndë.

Berisha madje jepte edhe mesazhe për të gjitha gratë që po përballeshin me këtë sëmundje, duke u shprehur se duhet ta gjejnë forcën dhe të besojnë se edhe kjo sëmundje mund të shërohet.

“Të gjitha ato gra që janë të sfiduara me kancerin në këto momente, dhe janë duke u përballë me këtë sëmundje, ta gjejnë forcën dhe të besojnë se mund të gjejnë shërim. Nesër mundemi me dalë me na shkelë kerri, nuk i dihet jetës. Fatmirësisht kemi doktorë shumë të mirë. Unë jam duke e vazhdu jetën njëjtë si përpara, duke u ruajt në ushqim, por në aspektet tjera, jam duke e vazhdu punën e të gjitha”, do të shprehej producentja Vjosa Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë