Ekspozite

“Ndahemi t’bashkuem”, kur bunkeri kthehet në art me fragmente të së shkuarës

Pas ekspozitave që jemi mësuar të shohim nëpër galeri arti dhe muze, një tjetër na shfaqet në një vend të pazakontë, në një bunker.

Ekspozita “Ndahemi t’bashkuem”, është hapur në Bunkerin nën Tuma, (varret), në malin e Rrencit në Shëngjin, mu përballë detit. Hapësira prej betoni dhe arkitektura e vrazhdë e bunkerit tanimë mund të shihen edhe si mjet mendimi dhe meditimi.

Në brendësinë e bunkerit janë përzgjedhur dhe janë vënë disa fotografi, kryesisht nga arkivi i Fran Bushit, fotograf profesionist, i cili në punën e tij nuk është ndalur vetëm në paraqitjen e ngjarjeve historike dhe festave familjare, por dhe të jetës së përditshme.

Kuratorja Realda Abdija thotë për Gazetën Si, se ekspozita vjen në bunker në mënyrë që këto vepra gati absurde të mund të kthehen në elemente kulturore.

“Më pëlqen shumë ideja e formave të artit që gjenden në vende të pazakonta. Ekspozita vjen në bunker edhe për faktin sepse Shqipëria ka një numër të jashëzakonshëm bunkerësh dhe doja që nëpërmjet bunkerëve të njihet edhe historia jonë. Vetë bunkerët janë të lidhur ngushtë me diktaturën, por ne realisht i njohim pak dhe nuk i kemi konsideruar për t’i përdorur”, thotë për Gazetën “Si” Realda Abdiaj, kuratore e kësaj ekspozite. 

Për të dhënë idenë e Shqipërisë së mbyllur, brenda këtij bunkeri kishte vend edhe instalacioni i artistit Oltsen Gripshi, ku flamuri kombëtar vjen i “ngujuar” brenda një kafazi.

“Instalacioni ‘Braktisja e lirisë’ tenton një komunikim me të shkuarën, të tashmen dhe qëndron aty si rrëfim i një libri për të ardhmen. Vjen e ekspozuar në bunker, pasi bashkë me kuratoren kemi vite që merremi me një hulumtim shkencor rreth simbolikës së bunkerëve në periudhën komuniste dhe se si në vitet pas ‘90 ata mund të luanin një rol kyç për t’u shndërruar në hapësira për artin bashkëkohor”, thotë artisti Oltsen Gripshi për Gazetën Si”.

Instalacioni "Braktisja e lirisë"

Gjithë ekspozita synon të ndërtojë një lidhje mes të shkuarës, emigrimit dhe të sotmes si një nevojë për të ndërtuar memorien.

“Ekspozita në vetvete ka lindur për të bërë një lidhje me të kaluarën. Edhe fotot nga Fran Bushi janë nga vitet 1970 deri në vitet e para të demokracisë, pra tregon dy sisteme. Edhe vetë kafazi qëndron mirë në ekspozitë sepse jep idenë e izolimit i cili materializohet dhe në dyert e bunkerit duke kujtuar vuajtjet e shqiptarëve në atë kohë”, vijon Abdija për Gazetën “Si”.

Megjithëse ishte frymëzim i periudhës së pandemisë dhe bllokadës që pati e gjithë bota, për artistin Gripshi kjo tregon pikërisht Shqipërinë e një viti më parë, dhe aq më shumë atë Shqipëri të mbyllur gjatë periudhës komuniste.

“Ky instalacion është shëmbëlltyra apo pasqyrimi i gjendjes shpirtërore me të cilën u përfshiva gjatë periudhës së karantinës kombëtare si pasojë e COVID-19, por vepra është konceptuale dhe gërsheton simbolika të ndryshme. Në të vërtetë vepra përcjell një mesazh ekzistencialist për vetë metamorfozën e shoqërisë shqiptare, nga viti 1912 deri në bashkëkohësinë tonë, ku mjafton të kujtojmë vitet e hermetizmit totalitar se si jemi përdhosur, denigruar dhe çmaterializuar si qenie, aq sa shkëputëm realitetin nga realiteti për t’u zhytur në një izolim absurd, i cili la pezull ekzistencën e një kombi pa funddalje”, thotë artisti Gripshi.

Krahas fotografive dhe instalacionit në brendësi të bunkerit u dhanë edhe shfaqje teatrale, performanca muzikore dhe mbrëmje poetike.

“Kjo ekspozitë do të shërbejë si nxitje që veprat komuniste të shihen si vende ku mund të zhvillohet art. Deri më tani ka impresionuar turistët kosovarë. Ata janë ndier mirë para kësaj vepre dhe kanë qenë shumë kuriozë”, përfundon kuratorja për Gazetën “Si”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë